Hilda de Almeida Prado Hilst (21 prill 1930 – 4 shkurt 2004), e njohur si Hilda Hilst, ishte një poete, skenariste dhe romanciere braziliane, trilli dhe poezia e së cilës shpesh ka tërhequr tema të intimitetit delikat, njëherazi duke adresuar çështjen e marrëzisë e duke përfshirë aty edhe ngjarje të mbinatyrshme. Disa nga veprat e saj të fundit përfshijnë elemente të realizmit magjik.
Hilda Hilst shkroi për më se 50 vjet. Ajo, me punën e saj, fitoi çmimet më të rëndësishme letrare të Brazilit. Puna e saj vijoi në faza të ndryshme: e nisi si poete, duke botuar “Parandjenja” (Presságio) në 1950-ën; në 1967-ën nisi të botonte dhe të vinte në skenë pjesë dramatike; dhe kaloi në prozë në 1970-ën, me tekstin e saj eksperimental “Fluxo-Floema.”
Gjatë karrierës, duke nisur nga 1958, me Adoniron Barbosa, muzikantët kanë përzgjedhur poezi të saj për t’i kthyer në këngë. Në 1962-shin ajo fitoi çmimin “Prêmio PEN Clube of São Paulo”, për “ Shtatë këngët e Poetit për Engjëllin” (Sete Cantos do Poeta para o Anjo). Më 1969-ën, drama “Xhelati” (O Verdugo) fitoi çmimin “Prêmio Anchieta”, një nga më të rëndësishmit në vend për kohën. Shoqata braziliane e kritikëve të artit e vlerësuan “Trillimet” (Ficções ) si librin më të mirë të vitit. Më 1981-shin, Hilda Hilst fitoi Çmimin e Madh të Kritikës ( Grande Prêmio da Crítica) për “Bashkësia e Veprës” (Conjunto da Obra), po nga Shoqata braziliane e Kritikëve të Artit. Në 1984-ën, Dhoma Braziliane e Librit (Câmara Brasileira do Livro) i akordoi çmimin “Jabuti” për “Këngë të humbjes dhe parapëlqimit” (Cantares de Perda e Predileção) dhe në të njëjtin vit i njëjti libër pretendoi çmimin “Prêmio Cassiano Ricardo” nga klubi i Poezisë së Sao Paolos. “Rútilo Nada”, “Shkëlqim asgjëje” i botuar më 1993, mori çmimin “Jabuti” për tregimin e shkurtër më të mirë dhe në fund, më 9 gusht 2002 ajo u vlerësua në edicionin e 47-të të Çmimit “Prêmio Moinho Santista” në kategorinë e poezisë.
Nga viti 1982 deri më 1995 Hilda mori pjesë në Programin e Artistit në Rezidencë në Universitetin Shtetëror të Campinas-UNICAMP. Qysh prej 1995-ës dosjet e saj personale gjenden në këtë universitet dhe janë të disponueshme për kërkim e studim në të gjithë botën.
Në disa prej shkrimeve të saj Hilst trajtoi çështje të debatueshme politike dhe sociale, si sjelljet e turpshme, homoseksualiteti dhe incesti. Tetralogjia që përfshin “Ditari rozë i Lori Lamby-t dhe Rrëfime qesëndisje”. “Tekste groteske” (1990), “Letra të një joshësi” (1991) dhe “Bufólicas” (1992), përfshin material haptazi pornografik, për të mos thënë pornografi në vetvete. Ajo ka eksploruar edhe çështje teologjike në veprën e saj.
Deri në vdekjen e saj më 2004, shkrimtarja braziliane kishte marrë një numër të madh të çmimeve më të rëndësishme letrare të vendit të saj, Brazilit, dhe kishte botuar më shumë se 12 libra me poezi, dramë dhe fiksion. Ajo çka brazilianët menduan menjëherë lidhur me emrin e saj, sidoqoftë ishte fama që buroi nga ajo çka kritikët e etiketuan tetralogjia pornografike e Hilst-it gjatë viteve 1990-1992, me romanin “Letra nga një joshës” i cili u konsiderua si kryevepra nga të katërta.
Megjithatë akuzat për pornografi, të cilat Hilst nuk i mohoi, pak i qasen talentit të saj të thellë dhe shpirtit artistik në tërheqjen e një mënyre, që mund të shfaqet armiqësore ndaj artit. Te “Letra nga një joshës” Hilst angazhon ligjërata të shumëfishta, stile, forma dhe regjistra, duke përfshirë ato të një tradite epistolarë libertine, duke evokuar vepra nga Pierre Choderlos de Laclos apo Merkezi dë Sadë si edhe pararendës modernistë dhe modele të fundit të shekullit XX, për të krijuar një tekst polifonik postmodern që kapërcen kufijtë e romanit tradicional realist.
PRELUDE TË THELLA PËR HARRAQËT E DASHURISË
Hilda Hilst
I
Merrmë! Goja jote prej lini mbi gojën time
I rreptë. Më merr tani, më parë
Përpara se mishi të shpërbëhet në gjak, përpara
Vdekjes, i dashur, vdekjes sime, më merr
Shëtite dorën tënde, frymëmerr ajrin tim, gëlltite
Në kadencë agoninë time të errët
Kohë e trupit kjo kohë, urie
Nga brendia. Trup që njihet, ngadalë
Një diell diamantesh ushqen mitrën
Qumështi i mishit tënd, imja
Arratisje.
E mbi ne kjo kohë e ardhme thur
Thur rrjetën e madhe. Mbi ne jeta
Jeta derdet. Ciklike. Rrjedh.
Zbulohesh i gjallë mbi një lojë të re
Urdhërohesh. E unë e shpërbërë në ujë: dashuri, dashuri
Përpara murit, përpara tokës, duhet
Duhet të bërtas fjalën time, një ijë e magjepsur
Në pëlhurën e ngrohtë të një shkëmbi. Duhet të bërtas
Them për veten time. Por në krahun tënd shtriqem
E paanë. E purpurt. E Argjendtë. Delikate.
II
Prek. Ballin. Krahun. Shpatullën.
Magjepsja e thellë e supit.
Lëndë fëmije balli yt dhe unë
Pjekuri, mungesë në të çelëtat e tua
Pasuri.
Mjerë, mjerë unë. Ndërsa ecën
Në krenari të kulluar, unë tashmë jam e shkuara.
Ky ballë që është imi, i mrekullueshëm
Prej dasmash e altarësh
Është aq i ndryshëm nga balli yt i shkujdesur.
Prek. Dhe vetëm jetoj pak
Dhe vdes. Mes tokës dhe ujit
Ekzistenca ime amfibe. Shëtit
Mbi mua, dashuri, dhe korr atë që më mbetet
Luledielli mbrëmësore. Degë e fshehtë.
Box gri
Antonio Machado (1875-1939)
SYTË
I
Kur i vdiq e dashura
në shtëpi u pat ndryrë
dhe vendosi të plakej
fill i vetëm me kujtimin dhe me një pasqyrë
ku ajo shihej një dite me diell.
Mendoi se do të mund ta ruante,
si koprraci në arkë ar e argjend,
gjithë të djeshmen në një copë pasqyrë
dhe kohën ta ndalte në vend.
II
Viti u mbush dhe kaloi.
Si i kishte sytë, – pyeti, – ngjyrë kafe a të zes?
Të kaltër? Të gjelbër? Të hirtë?
Si i kishte, o Zot, ç’është kjo harresë?
III
Një ditë pranvere doli në rrugë
për të shëtitur heshturazi zinë dyvjeçare
me zemër të ndrydhur… Kur
te qemeri i errët, në një dritare,
pa të ndrisnin dy sy. Asgjë nuk tha,
uli të tijtë dhe vazhdoi rrugën…
Krejt si ata!
Shqip: A. Plasari
(Dy ose tri kolona anash)
Post mortum/ Poezia e frymëzuar nga Esenini, Pushkini apo Gëte që e shndërruan përkthyesin Jorgo Bllaci në një qelq të mbushur me ndjenja. Sjellim më poshtë në kujtim të poetit një pjesë nga krijimtaria e Bllacit, të përmbledhur në disa vëllime me poezi, ndër të cilat “Ligjërimet e pyllit” (1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Ndërsa janë emblematike shqipërimet nga Shevçenko, Pushkin, Esenin, Gëte etj., si dhe vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini” dhe “Ujërat pranverore” të Turgenievit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë
Më vjen turp të qaj i heshtur…!
Jorgo Bllaci
Dy hapa larg
Dy hapa larg e vite për t’arritur
Atje ku bujarisht fal jetën djell i ndritur
Atje ku po na qajnë për së gjalli
Dy hapa larg, dy hapa larg metanë
Pas mureve të lagësht e të errët,
po na vajton liria, që prej saj na ndanë
sepse më fort e deshëm nga të tjerët!
Dëshirë
Më vjen turp të qaj i heshtur,
si një shelg përbri moçalit!
Dua të gjëmoj pareshtur
Porsi lisi majë malit.
Rreth kurorës, shpesëria
Le të mos me cicërojnë
Që prej zgavrave të mia
shkabat të të vigjëlojnë.
Degët e fuqishme dua
të më tunden nëpër ere
Papushuar përmbi mua
borë e virgjër le të bjerë.
Sipër akujve të ftohtë
do të ngjitem der te retë
S’do më vijë keq në ndodhte
të zhuritem nga rrufetë!
Se n’u dashtë të zhuritëm
do zhuritem majë malit
Po s’do qaj e s’do nemitëm
i përulur, bri moçalit.
Të varri i tim vëllai
E di që më ke pritur, vëlla
E mbase dhe ke thënë me vete:
“Po ky njeri pse s’bëhet i gjallë? Ç’ka,
që thuajse në jetë,
nuk vjen këtu, së paku, për t’u çmallur?
***
S’i mbaj mëri për vitet e rinisë,
Që një nga një po m’ikin pa gëzim
As jetës plot andrralla, as dashurisë,
Që u tall ashtu siç desh me fatin tim.
Askend nuk e kujtoj për keq në botë, –
Në zemrën time shteg të mbyllur s’ka
Mjafton një fjalë e çiltër, fjalë e ngrohtë,
Që të më bësh prapë mik e prapë vëlla.
1967
***
Sa pisk e kam, sa dhembje ndiej, sa dua
Të më përpijë brenda dheu i zi!
Oh, zgjate dorën sonte edhe mbi mua,
Të ngrohtën dorë, o mëma Shqipëri!
Jam i sëmurë, buza po më dridhet,
Këtu në gjoks diçka më shpon, si gjemb,
Një lëmsh, nj’i fortë xhung në fyt më mblidhet,
S’marr frymë dot, çdo pjes në trup më dhemb.
Një çast më merr në gjirin tënd të shenjtë
Të mbështes kryet e të qaj, të qaj,
Ashtu siç mund të qajnë, o mëmë e shtrenjtë,
Veç foshnjat dhe fajtorët e pafaj!
1964
***
Ti këdo mbi dhe do ta çuditje,
Mike moj, që s`vure mend një herë
Kur më sheh me vajza në shëtitje,
Pse sërishmi bëhesh pikë e vrerë?
Foshnjë ishe, foshnjë, mike mbete,
Ndonëse për dikë tani je grua
Ç`dreqin ke, ç`tu shkrep pas kaqë vjetësh,
Qe xheloze behesh prap per mua ?
Unë kurrë ty s`ta kam rrëfyer
Brengën, që në shpirt mezi përmbaj
Dashuria, dashuri e fyer,
Gur më bën e nuk më lë të qaj
Ja kështu, moj mike, qenka jeta
Ndodh që nganjëherë, për çudi,
Lodhet prej mësimeve të veta
Edhe bëhet foshnjë porsi ti.
Ne s`e qeshim tekanjozen jetë,
Po kur ne gabojmë, ajo harron
Ndonse marrëzira bën dhe vetë,
Rëndë ne na tall e na ndëshkon.
Mike, që më bërë të trishtuar
Të të qesh, as që më shkon ndërmend
Eshtë i gjerë shpirti i përvëluar
Ka një vend dhe për gabimin tënd!
***
Ne fshehtazi shkëmbejmë shpesh vështrime
Po sot një hon i thellë po na ndan;
Në fund të tij, si foshnjëzë jetime
Me dhembje dashuria jonë qan
Pa ditur se përse, pa lot, pa fjalë
Pa puthje, në u ndame nëpër terr
Pasionet u ronitën me ngadalë
Dhe humbën në një mjegull plot mister
Dhe sot, që me pendim, me mall a vojtje
Të shkuarën sikush në shpirt përmban
Ne heshtim kryeulur e me drojtje
Si vjollca, anës honit që na ndan
1961
***
Brengën e madhe mbyta në një gotë;
Si qenkam dehur sonte s’e kuptoj!
Për gjërat më të bukura në botë
Sa më pëlqen të rri e t’ëndërroj
Sa më pëlqen gazmor t’i bie lirës
Po ku të lë mendimi të dëfresh?
Demon, demon i madh i hapësirës
Akoma ti kërkon të më gënjesh?
Ti po ma nxin me brenga djalërinë
Ti po m’i shqyen brinjët, po më ç’mend,-
Ose më kthe sërishmi qetësinë
Ose më sill këtu tërbimin tënd!
Se do t’i qepem qiellit kësaj nate
Për flokësh ta kap hënën e më të
Të sillem hapësirës së pamatë
E të mos zbres mbi tokë kurrë më!
1957




