Ambasadori i Britanisë në vend, Nicholas Cannon, kërkoi që drafti për dekriminalizimin të mos jetë një debat mes palëve politike, por me shoqërinë civile dhe qytetarët. Cannon, i pranishëm në aktivitetin e hapjes së kursit të anglishtes në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës, u shpreh se procesi i dekriminalizimit është një vendim që u takon shqiptarëve. “Mendoj se kjo është një çështje për t’u diskutuar dhe vendosur nga partitë politike dhe Parlamenti. Por publiku ka të drejtë të përfaqësohet nga niveli më i lartë që mund të kenë si përfaqësi. Duhet të diskutojnë se nëse ka pasur persona të dënuar apo të ndjekur penalisht, a dëshirojnë shqiptarët që këta njerëz të bëjnë ligji dhe të ulen në Parlament? Dëshironi ju që qytetet të menaxhohen nga njerëz që kanë pasur të shkuar si trafikantë të qenieve njerëzore apo të drogës? Kjo çështje është për t’u zgjidhur e për t’u diskutuar jo vetëm mes politikanëve, por edhe me publikun”, – tha Cannon. Më tej ambasadori britanik theksoi shqiptarët duhet të veprojnë me votë, ata nuk duhet të udhëhiqen nga gangsterë e të inkriminuar. “Mendimi im është se unë nuk dua të përfaqësohem në Parlament nga një gangster. Njerëzit duhet të mendojnë në këtë mënyrë për të atë që do të zgjedhin me votë”, – theksoi Cannon.




