Një 29-vjeçare ka mbetur e plagosur paraditen e sotme në Rrugën “Don Bosko” në Tiranë, pas të shtënave me armë zjarri nga autorë ende të paidentifikuar. Shtetasja me inicialet R.L., është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet. Nga hetimet paraprake dyshohet se autorët mund të kenë ngatërruar objektiv.
Në komunikatën për shtyp të Policisë deklarohet se është kryer sekuestrimi i pamjeve filmike në lokalin ku është qëlluar dhe po merren në pyetje disa dëshmitarë. Grupi hetimor në vendngjarje ka sekuestruar disa gëzhoja, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
“Nuk dihet ende nëse gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje kanë dalë nga një armë apo ka pasur shkëmbim zjarri. Gjithçka është informacion paraprak dhe rrethanat e ngjarjes së ndodhur janë ende të paqarta. Policia po punon për zbardhjen e tyre”, thuhet në komunikatë.




