Jetmir Olldashi
Kolegji Zgjedhor cilësoi të pabazuar në ligj kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet dhe përsëritjen e tyre në këtë njësi vendore
Një tjetër goditje u është dhënë zgjedhjeve nga Kolegji zgjedhor, i cili ka rrëzuar sërish Partinë Demokratike për Kurbinin. Vendimi i pritshëm i Kolegjit i ka dhënë në këtë mënyrë fund maratonës së zgjedhjeve në këtë Bashki. Trupa e gjyqtarëve e cilësoi të pabazuar në ligj kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet dhe përsëritjen e tyre në këtë njësi vendore. Partia Demokratike iu drejtua Kolegjit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një javë më parë, vendosi me katër vota pro t’i shpallte të vlefshme zgjedhjet e 21 qershorit në Bashkinë e Kurbinit. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, argumentoi sërish para Gjykatës se i gjithë procesi zgjedhor ishte administruar në shkelje të ligjit dhe se vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përpara nisjes së procesit dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, ka qenë e pabazuar në ligj. Odiseja e ankimimeve të Partisë Demokratike erdhi pas vendimit të marrë nga KQZ-ja për të mos pranuar dorëheqjen e Altin Bibës nga gara për Bashkinë e Kurbinit. Do të ishte Kolegji ai që do të vuloste Altin Bibën si kandidat të koalicionit të djathtë në zgjedhjet për Kurbinin, duke hedhur poshtë kërkesën e demokratëve për të garuar në 21 qershor me Ilir Pjetrajn. Pavarësisht vendimmarrjes së KQZ-së dhe Kolegjit, Partia Demokratike nuk u përfaqësua në zgjedhjet e 21 qershorit me asnjë kandidat. Kurbini ishte Bashkia e vetme në Shqipëri ku u garua me një kandidat të vetëm. Ndërkohë që pjesëmarrja ishte e ulët më pak se 25%, duke e deformuar totalisht procesin zgjedhor të 21 qershorit në këtë bashki.
PD ankimon Durrësin, KQZ-ja e pranon, vendos të hapë 8 kuti
Tetë kuti të qendrave të votimit në Bashkinë e Durrësit do të hapen. Vendimi u mor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili vendosi hapjen e kutive për tetë qendra votimi në Bashkinë e Durrësit, duke aprovuar kërkesën ankimore të Partisë Demokratike. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso, kërkoi në emër të opozitës pavlefshmëri të zgjedhjeve në këto qendra votimi.
Sipas Kasos, është votuar në emër të atyre personave që nuk kanë qenë në Shqipëri, duke shtuar më tej se duke u mbështetur në kodin zgjedhor, procesi duhet të shpallet i pavlefshëm.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridjan Salianji, deklaroi se provat e PD-së janë absurde, duke kërkuar tërheqjen e kërkesës dhe pranimin e rezultatit.
Përmbledhja e mbledhjes së KQZ-së/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së djeshme shqyrtoi:
-Projektvendimin, “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Kukës, qarku Kukës, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21.6.2015”. KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për koalicionet zgjedhore dhe partitë që konkurojnë më vete, për këshillin e bashkisë Kukës, qarku Kukës dhe të shpallë kandidatët fitues nga listat shumemërore të partive politike të miratuara nga KZAZ nr. 11.
Aleanca për Shqipërinë Evropiane, 17 mandate
Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, 13 mandate
Lavdrim Shehu, 1 mandat
-Projekt-vendimin, “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Ura Vajgurore, qarku Berat.
Aleanca për Shqipërinë Evropiane, 15 mandate
Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, 6 mandate
-Projekt-vendimin, “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Maliq, qarku Korçë.
Aleanca për Shqipërinë Evropiane, 21 mandate
Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, 10 mandate
-Projekt-vendimin, “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Divjakë, qarku Fier.
Aleanca për Shqipërinë Evropiane, 21 mandate
Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, 10 mandate
-Projekt-vendimin, “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Roskovec, qarku Fier.
Aleanca për Shqipërinë Evropiane, 14 mandate
Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, 7 mandate
-Projekt-vendimin, “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Patos, qarku Fier.
Aleanca për Shqipërinë Evropiane, 17 mandate
Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, 4 mandate
-Projekt-vendimin, “Për shpërndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë Mallakastër, qarku Fier.
Aleanca për Shqipërinë Evropiane, 14 mandate
Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, 7 mandate
Debate në KLD/ Pezullohen nga puna gjyqtarët e akuzuar për korrupsion
Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u mor vendimi për pezullimin nga detyra dy gjyqtarëve, të cilët janë të akuzuar për korrupsion.
Në një njoftim për shtyp, KLD deklaroi pezullimin e dy gjyqtarëve Parashqevi Ademi dhe Rasim Doda, të cilët do të jenë në fuqi deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
Gjyqtarja e qarkut të Lezhës, Parashqevi Ademi u arrestua në qershor në zyrën e saj së bashku me një avokat, që merrnin shuma parash për të favorizuar vendimet e çështjeve të ndryshme.
Ndërsa gjyqtari në Sarandë, Rasim Doda, u kallëzua dy ditë më parë nga KLD nën akuzën e fshehjes së pasurisë, së bashku me bashkëshorten e tij Enkelejda Kashuri, edhe ajo gjyqtare e qytetit të ekstremit jugor.
Gjithashtu në këtë mbledhje u morën edhe disa vendime të tjera, ku janë shqyrtuar kandidaturat për gjyqtarë, për plotësimin e tre vendeve vakant, në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Daniela Shirka, Miliana Muça dhe Bib Ndreca janë 3 emrat që KLD vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, Bujar Nishanit.
Ndërkohë, Ndue Gjura, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës është emëruar inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku mori shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit.
Si pikë e rendit të ditës, KLD, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 261/2, datë 14.4.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për 3 (tre) gjyqtarët e mëposhtëm: Ariola Kristo, Rrethi Gjyqësor Korçë; Flora Hasimi, Rrethi Gjyqësor Durrës dhe Shpëtim Reka, Rrethi Gjyqësor Durrës.




