2 vjet pa zgjedhje/ Zbehen kritikët e kryetarit, “shuhen” senatorët në PS.

Gëzim Saliu

Kryetari i PS Edi Rama, duke folur gjate nje mbledhje te grupit parlamentar te PS, ku ka kerkuar nga kryeministri Berisha te mos abuzoje me financat publike dhe me pasurine kombetare si dhe te frenoje vendimet per tendera, privatizime dhe koncensione.

Ende në selinë e purpurt nuk dihet se nëse së bashku me zgjedhjet e strukturave do të mbahen edhe ato për kryetarin

Kur vetëm pak ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Kryeministri dhe kreu i forcës më të madhe në vend, Edi Rama, bëri të ditur se zgjedhjet e shtyra prej dy vitesh në PS do të mbahen në dhjetor, lajmi kaloi si një vendim rutinor në selinë e purpurt. Asnjë reagim brenda në mbledhje për vonesën e këtij procesi, madje askush prej deputetëve socialistë nuk foli gjatë këtyre ditëve lidhur me një ndër proceset më të rëndësishme për një forcë politike, siç janë zgjedhjet e brendshme. Por ndonëse kjo gjë vërteton se në PS po vijnë duke u pakësuar gjithnjë e më shumë ato që cilësohen si “zëra” kritikë, element specifik për këtë forcë politike, ajo që duket se thellon edhe më shumë neglizhencën e kësaj vonese është reagimi i deputetëve socialistë kur pyeten nga mediat për vendimmarrjen lidhur me zgjedhjet. Deputetët e PS-së jo vetëm nuk e cilësojnë si të gabuar shkeljen e statutit dhe skadimin e mandatit të strukturave drejtuese të PS-së dhe kreut të saj prej dy vitesh, por, sipas tyre, vendimmarrja për zhvillimin e zgjedhjeve në fundvitin e 2015-ës është në kohën e duhur.

 

Deputetët e PS-së

Deputeti i PS-së, Musa Ulqini, edhe pse njihet si një socialist i vjetër dhe jo pak “zëlëshuar” ndaj kryetarëve, i qëndron mendimit se zgjedhja e strukturave drejtuese të forcës më të madhe politike në vend nuk është e vonuar. “Si socialist i vjetër besoj se gjërat janë në kohë. Kemi dy palë zgjedhje, ato të përgjithshmet dhe vendore, që janë dy të dhëna mbi të cilat ne do të bëjmë analizën e strukturave të partisë. Dhe mbi të cilat ne do të bëjmë një riorganizim tërësor të PS-së”, – tha ai për “Ora News”. Në të njëjtën linjë me të u shpreh edhe socialisti tjetër Ylli Zeçishti i cili pohoi: “Kjo punë zgjati pak, por nuk është e vonuar”. Ndërkaq, i pyetur nëse me zgjedhjet për strukturat drejtuese duhet të zhvillohen edhe ato për kreun e partisë, Ulqini shmangu përgjigjen duke pohuar se rëndësi ka analiza e lokaleve të 21 qershorit që u lanë pas. “E rëndësishme është që edhe pas këtyre dy palë zgjedhjeve PS-ja do të analizojë rezultate dhe pas diskutimeve që do bëhen do të shkojmë në kongres dhe gjërat do bëhen në përputhje me statutin. Nuk ka këtu asnjë shqetësim. I vetmi shqetësim është që ne të jemi në nivelin e përgjegjësisë të votës që na kanë dhënë qytetarët”. Ndërkohë që në këtë debat të brendshëm në selinë e purpurt nuk janë përfshirë senatorët e PS-së, të cilët prej kohësh tashmë i kanë “shuar” ngritjet e zërit për problematika brenda partisë. Përpos një kërkese të pak kohëve më parë të Majkos në kundërshtim me Kryeministrin Rama për faljen e kamatëvonesave për energjinë elektrike apo edhe një fjalimi në Parlament të kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruçi me kritika ndaj ministrave, senatorët e PS-së thuajse nuk kanë folur për asnjë nga çështjet që prekin partinë. Madje, ata kanë mënjanuar edhe diskutimin për shkeljen e statutit të forcës politike, ku shumica e atyre bëjnë pjesë prej më shumë se 20 vitesh. Vetëm pak ditë më parë, kreu i qeverisë, Rama, bëri të ditur se PS do të mbledhë në shtator Asamblenë Kombëtare, ku edhe do të analizohen zgjedhjet vendore dhe më pas do të mbyllë procesin e zgjedhjeve të brendshme me mbajtjen e Kongresit në dhjetor të 2015-ës.

 

Majko për shkeljen e statutit: Nuk është hera e parë që është shkelur, qeveria kishte emergjencë

Një ndër emrat e paktë të senatorëve të përfshirë indirekt në debatin për statutin e PS-së ishte ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili theksoi se shkeljet ishin të mirëkuptueshme. I pyetur në një intervistë televizive kohë më parë lidhur me këtë çështje dhe akuzat e kolegut Blushi, Majko pohoi se: “Në PS, tani që po flasim, i duhet të ndërtojmë një bashkëjetesë midis logjikës politike dhe logjikës teknike. Qeverisja prevalon. Aksionin kryesor kemi qeverisjen. Po s’mund t’i shmangemi rregullave të Partisë Socialiste. Kjo do zgjidhet në kongres në mënyrë të natyrshme, ne po diskutojmë për zhvillimin e një kongresi. Statuti i PS ka pasur raste që nuk është respektuar, nuk është hera e parë. Ky diskutim nuk bëhet në kushtet e një drame, por të një emergjence që ne e kemi të brendshme, që është qeverisja e vendit. PS ka një emergjencë bazë, është qeverisja e vendit”.

 

Pse u përça PS në njësinë 5, debati i Majkos me socialistët për kryetaren e zgjedhur nga Rama

Edhe pse socialistët dolën fitues nga zgjedhjet vendore, duket se “ethet” e zgjedhjeve të brendshme në parti kanë përfshirë para kohe bazën e forcës më të madhe politike në vend. Vetëm pak ditë më parë në mbledhjen e degës së PS-së në njësinë nr. 5 në Tiranë nuk ka munguar debati mes anëtarësisë dhe deputetit të zonës Pandeli Majko. Ky i fundit ka kërkuar nga anëtarët të pranojnë porosinë e kryetarit të partisë, njëkohësisht Kryeministër, që Anila Shehu të caktohej kryetare e degës. Por baza ka kundërshtuar dhe përgjegjësi i saj për çështjet e organizimit, Shkëlqim Meta theksoi: “Kërkesa e gabuar që është shtruar nga Majko, ishte pikërisht kjo: “Që kam porosi që kjo do kalojë kryetare e partisë të njësisë nr. 5. Porosia ishte direkt e Ramës. Problemi është se jo vetëm në njësinë nr. 5, por në të gjithë Shqipërinë, ka shkelje statutore dhe ka komandim të njerëzve”, – u shpreh ai për “ABC News”. Duke sqaruar debatin me Majkon, i cili më pas siç mësohet braktisi mbledhjen, Meta bëri të ditur: “Momenti i acarimit për një moment mund të ishte edhe fatal. Por falë gjakftohtësisë dhe edukatës sime, kam paralajmëruar Majkon dhe i kam thënë ‘je me fat, sepse të kam mik të vjetër, se ndryshe do të të kisha dhënë një mësim që do ta mbaje mend për të gjithë jetën. Asnjëherë personale, gjithmonë në kërkesën për zbatimin e statutit”.

 

Takimi sot me kryebashkiakët, Rama tenton t’i bindë me telefonatë, demokratët refuzojnë

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot rreth mesditës takimin me kryetarët e rinj të bashkive në gjithë vendin, të cilët dolën pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Në këtë takim, ku pritet të vihet theksi tek bashkëpunimi i pushtetit qendror me atë lokal, nuk kanë munguar refuzimet. Në shumicën e tyre, duke i lënë vend përjashtimeve, kryebashkiakët e PD-së kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në takimin me Kryeministrin Rama, dhe kjo jo për shkak të krahëve politikë. Sipas pretendimeve të shprehura edhe në media, kryebashkiakët demokratë kanë bërë të ditur se takimi është vetëm një show i kreut të qeverisë, që bie në kundërshtim edhe me aspektet ligjore. Për krerët demokratë të bashkive të reja është e palogjikshme dhe kundër ligjit një takim i tillë kur ata ende s’kanë marrë zyrtarisht detyrën e re. Kryeministria ka përdorur dje sërish njoftimin me telefona, duke i rilajmëruar kryetarët për takimin e sotëm, por duket se demokratët nuk do ndryshojnë qëndrim, të cilët po ashtu kanë pohuar se nuk kanë marrë asnjë ftesë zyrtare nga ana e kreut të qeverisë, krejt ndryshe nga kolegët e tyre të mazhorancës.

 

Ministri i Jashtëm Bushati: Vizita e Merkelit, historike, nuk po presim thes me para nga Gjermania

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e vlerësoi dje ë vizitën e Kancelares Merkel të mërkurën në Tiranë si të një rëndësie historike jo vetëm për vendin e tij por dhe rajonin e të ardhmen e tij. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ai theksoi se Gjermania po tregon interes të shtuar për Ballkanin. “Së pari është vizita e parë dypalëshe, apo vizita e parë një kancelari gjerman në Shqipëri, sepse ajo e kancelarit Schröder ka qenë në kuadër të krizës në Kosovë. Është takimi i tretë që do të zhvillohet ndërmjet Kancelares gjermane dhe Kryeministrit Rama. Në këtë kontekst vizita e Kancelares gjermane në Tiranë merr një rëndësi historike, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalësh por dhe ecurinë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në kuadër të procesit të integrimit evropian”, – tha ai. Po ashtu Bushati tha se Shqipëria kërkon të përfitojë nga modeli dhe kultura e punës e Gjermanisë. “Besoj se duhet të jemi shumë të drejtpërdrejtë dhe shumë të sinqertë me qytetarët shqiptarë. Ne nuk po presim një thes me para në kuptimin figurative të fjalës nga Gjermania. Ne do të duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë një më një. Ne shpresojmë dhe dëshirojmë të përfitojmë në radhë të parë nga kultura e punës gjermane, nga kultura e të bërit biznes. Po punohet me palën gjermane në sektorë strategjikë të zhvillimit ekonomik të vendit, siç është telekomunikacioni, energjia apo portet dhe aeroportet”.

Share it :