Besnik Sopoti
Çdo popull, i madh a i vogël qoftë, ka historinë e vet, heronjtë e vet dhe merr pjesë në ngjarjet e një epoke të caktuar, duke dhënë kështu kontributin e tij modest në procesin e zhvillimit të qytetërimit të mbarë njerëzimit. Historinë e bëjnë personalitetet me cilësi e përgatitje të mirë kulturore e që kanë dhënë prova bindëse jo vetëm për ndershmëri, por edhe për kushtim ndaj vatanit. Vetëm atëherë historia punon për njeriun dhe me njeriun. Kjo është arsyeja që sa herë ndiejmë kërcënimin e një rreziku real që i kanoset diçka jetë dashur dhe të shtrenjtë që e duam, ai çast merr vlerë të veçantë sepse jetojmë tërë përmasën e kohës që na përket duke ndier praninë e gjallë të pishtarëve që mbrojtën vlerat e patjetërsueshme të kombit. Kështu e kaluara merr ngjyrë përjetësie. Liri do të thotë jo vetëm përgjegjësi ndaj vetes, por edhe ndaj të tjerëve. Intelektualët e një vendi, kur janë në diskutim vlerat e mirëfillta të lirive personale e parimeve demokratike, kanë një detyrë delikate: bëhen përfaqësues të ndërgjegjes së mbarë vendit. Shumë gjëra mund t’i falen një poeti, veç faktit që të përdorë talentin e tij për t’i kthyer masat e gjëra që të mbështesin një ideologji çnjerëzore.
Ligjet, për Sokratin, janë më të rëndësishme edhe se prindërit meqë pa ligje nuk do të mund të ekzistojë Shteti, ku një arsye i kundërvihet një tjetre dhe si pasojë s’do të mbretërojë tjetër veç logjika e më të fuqishmit, lufta gjakatare dhe despotizmi i pashpirti sundimtarit. Ja pse Sokrati pranon me vetëdije e qetësi të plotë vdekjen, megjithëse e din fort mirë që dënimi i dhënë kundër tij është krejt i pa drejtë. Flijohet që të dëshmojë pafajësinë e tij. Kurse Antigona, në tragjedinë e famshme të Sofokliut nuk i bindet ligjit të Tebës dhe të Kreontit: gruaja është një “e jashtëligjshme e nderuar” që shpreh e përfaqëson forcën e pashkruar ligjore por “fuqimisht e moralisht të përjetshme”që i kundërvihet me bindje e guxim të rrallë pushtetarit të pashpirt. Në figurën e Sokratit që me bindje respekton ligjin dhe në atë të Antigonës që ngre krye dhe nuk e përfill atë kur është fjala të varrosë vëllanë e saj duke u bërë kështu shprehje e asaj lirie personale që s’do të dijë për Shtetin sepse ligji nuk mund e nuk duhet të përkojë kurrë me dëshirën rrënimtare të individit e konfliktit mes natyrës dhe kulturës, kemi të bëjmë nga njëra anë me mishërimin e bindjes dhe nga ana tjetër me atë të mos bindjes, që të dyja këto shprehje të gjalla të lirisë personale.
T’i bindesh një ligji që e sheh dhe e ndjen të drejtë është një gjë, – kurse të kundërshtosh me guxim pushtetarin që vihet mbi te e mbi gjithçka që ka të bëjë me liritë e zgjedhjet e tua personale – është diçka krejt tjetër. Kur bindja nuk është fryt i vetëdijes së një individi por thjesht akt nënshtrimi, atëherë s’kemi të bëjmë veç me verbëri e skllavëri të plotë. Mungesë virtyti. Dy qëndrime të ndryshme, njëra krenare, e guximshme për t’u përballuar me jashtësinë, me kushtet dhe opinionin publik, tjetra me botën e brendshme e të thellë shpirtërore, me ndërgjegjen individuale. Që të dyja të fuqishme, problematike dhe jetësore. “Mësimi që na jep Sofokliu me tragjeditë e tij është” sipas Simone Weil” se nuk ka njeri a forcë në botë që t’u privojë të tjerëve lirinë e brendshme.
Heronjtë e tij njohin dhimbjen e fatkeqësisë, por jo kurrë ankthin e mposhtjes. “Tirani ushqen pushtetin e tij me privimin e të drejtave dhe me rrënimin e plotë të traditave të kombit. Dikton interpretimin e realitetit sipas hamendjeve e ambicjeve të tija. Në vendimin e Kreontit shkrimtari i madh Goethe nuk sheh aspak virtytin e Shtetit por mishërimin e krimit të Shtetit që fyen si njerëzit po ashtu edhe perënditë.
Por ja që dikush s’pajtohet me këtë gjendje dhe kërkon të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve ngrihet me guxim të thotë fjalën e tij. Me këtë qëndrim e sjellje kundërshton ligjin e synon të ndryshojë mendësinë e kohës. Nuk pajtohet me humbjen, me vetminë e mbylljes dhe ngre zërin kundër çdo gjëje të paligjshme, edhe duke e ditur se mund të pësojë disfatë. Mision ky sa i vështirë aq edhe fisnik. Prandaj meriton respektin e bashkëkohësve, gjë që në realitet shpesh mungon. Shumë pranojnë konformizmin. E duan të vdekur, pastaj ta respektojnë. Ky është fati tragjik i kryengritësit të vërtetë që s’kërkon lirinë absolute, vrastaren por atë që përpiqet në emër të jetës dhe u përket të gjithëve. Kështu realiteti ushqehet me mite dhe mitet me realitet. “Liria absolute” thotë Jean Grenier “është shkatërrimi i plotë i të gjitha vlerave; vlera absolute shtyp çdo lloj lirie”.
Asnjë kryengritje s’mund të quhet kryengritje po të mos perceptohet kundër ndokujt. Me Kainin kryengritja e parë përkon me krimin e parë. Historia e njeriut që ngre krye është më tepër ajo e të birit të Kainit sesa ajo e dishepujve të Prometeut. Ky i fundit përfaqëson një vlerë të rëndësishme: me zjarrin u jep njerëzve lirinë. Por jo gjithkush e nderon kryengritësin. Ja sepse ndokujt i duket se e ka rrugën të lirë për të ndërmarrë sulmin kundër qiellit armik. Etja për të pushtuar e tjetërson optikën e sundimtarit.
“Diktatura, – thotë Karl Popper, – është moralisht negative sepse dënon të gjithë qytetarët e Shtetit, në kundërshtim me ndërgjegjen e tyre të mirë e kundër bindjes së tyre morale të bashkëpunojnë me të keqen absolute ose me heshtjen e plotë. Ajo ia shuan individit përgjegjësinë morale duke e katandisur në pesë para njeri. Bën ç’është e mundur të shndërrojë çdo lloj tentative njerëzore në vetëvrasje”.
Shteti demokrat garanton shprehjen e lirë të gjithkujt, dhe në mënyrë të veçantë pakicës, që të mos jetë viktimë e tiranisë së shumicës. Që kjo të arrihet, duhet që pushtetit qendror, edhe kur është i zgjedhur me vota të lira, të mos i jepet mundësia të shndërrohet në sistem unik. Ndryshe ajo shoqëri ndalet dhe s’ka më zhvillim. Personalitetet me shkallën e përgatitjes së tyre të mirë që bëjnë pjesë në qeveri duhet të gëzojnë edhe pavarësinë që u takon. Pra formimi i larmishëm i figurave që do të drejtojnë vendin është gjëja më kryesore për pasurimin intelektual e moral të shoqërisë. Nga ai mjedis lindin kuadrot drejtuese. Duke vënë në jetë një parim të tillë, nuk i imponohet shoqërisë njëmendim, një shije apo një sistem i vetëm të menduari. Rreziku më i madh që i kanoset lirisë nuk vjen nga konflikti që ndodh mes të vërtetave të kundërta, por nga shtypja flagrante e njërës prej tyre. Aty ku s’ka diskutim të lirë, gabimet vijnë e kristalizohen dhe bëhen paragjykime. E vërteta vdes njëherë e përgjithmonë. Sa herë mësojmë një gjë të re, vëmë re se bota dhe realiteti nuk janë ashtu si na duken. Është Toka që sillet rreth Diellit, dhe jo e kundërta. Newton kërkoi të shpjegojë forcën e gravitacionit, “forcë” që konkretisht nuk shihet. Kryeveprat në fushat e ndryshme të artit kërkojnë kohë që të kuptohen.
Heronjtë e markezit de Sade arsyetojnë në një mënyrë të tillë të mbrapshtë që bëjnë çmos të bindin njerëzit se natyra ka nevojë për krimin dhe se ajo duhet të shkatërrojë për të krijuar. Që ta ndihmojmë, ne duhet të arrijmë gjer në mohimin e asgjësimin e vetes. Duke pohuar një gjë të tillë, nuk shpallet liria e parimeve të drejta, po u hapet rruga instinkteve më të ulëta shtazore. Republika e Sades nuk don lirinë e vërtetë, të drejtë, të ndershme, po shthurjen e pa frè të gjithçkaje. Drejtësia nuk ka ekzistencë reale, por është zot i të gjitha pasioneve më të ulëta. Ja arsyeja pse Sade justifikon shpifjen, plaçkitjen, mashtrimin e vrasjen dhe kërkon që të gjitha këto të kenë të drejtë qytetarinë një rend që ai krijon me frymën sadomazokiste. Leja për të shkatërruar botën nënkupton edhe mundësinë për të qenë edhe vetë objekt shkatërrimi. Luftë për sundim, rrugë tjetër nuk ka. Pushteti, ligj i botës. Që t’ia arrish këtij qëllimi, duhet të përdorësh çdo lloj mjeti të mundshëm, të gjitha llojet e dredhive e të poshtërsive të njohura e të panjohura. Kush nuk e zbaton këtë parim ogurzi, kush kërkon të jetë sadopak i ndershëm, përjashtohet nga lukunia e ujqve dhe shndërrohet në viktimat e vet sistemit ku bën pjesë. Duke mos pas mundësi t’ia diktojnë mbarë botës këtë ligj të egër e çnjerëzor, përfaqësuesit e zellshëm të kësaj rryme të shthurur mbyllen e izolohen në disa lloj kullash të blinduara që ndërtohen me një qëllim të vetëm: të sundojnë çdokënd. Pushtet, terror e dhunë, këto objektivat për t’u arritur. Shthurja shpallet moral dhe mëkati meritë. Emancipimi i njeriut kryhet, gjithmonë sipas Sades, në ato kulla orgjie të zymta ku ca zyra politike të vesit rregullojnë e qeverisin jetën dhe vdekjen e atyre burrave dhe grave që hyjnë njëherë e përgjithmonë në atë ferr të pashmangshëm për ta. Asnjë i përndjekur a përndjekës nuk ka të drejtë të dalë më që andej. Liri e pacak e dëshirës do të thotë mohim i tjetrit dhe shuarja e plotë e mëshirës ndaj qenies njerëzore. Për askënd dhe për asgjë. Vrasja dhe vetëvrasja mbretërojnë kudo.
Republika e Sades i trajton njerëzit si sende. Edhe aty, ashtu si në të gjitha komunitetet fetare të çdo kohe a vendi praktikohet rrëfimi publik. I shthururi rrëfehet në mënyrë të hapur përpara masës dhe pret prej saj ndëshkimin. Por vendimi ndryshon. Kur sjellja e tij është e kulluar, e pastër dhe pa mëkate, njeriu ndëshkohet. Vendimi jepet në emër të një lirie të tërbuar e tej mase të mbrapshtë. Kështu Sade i hap rrugën sistemeve totalitare që do të shfaqen shumë vjet më vonë.
Edhe socializmi nuk është, si mendohet, vetëm çështje e klasës punëtore, por është mbi të gjitha çështja e ateizmit militant, problemi i Kullës së Babelit që bën çmos të ngrihet pa Zotin dhe jo për të arritur qiellin duke u ngjitur nga toka, po për të ulur qiejt në nivelin e tokës. Nuk kërkohet realizimi i një bote dashurie, paqeje dhe vlerash shpirtërore, por një gjithësi e ngurtë, materiale dhe tej mase mëkatare e gjakësore. Pra jo biofilie po nekrofilie ku gjithçkaja mban erë gërmadhe, labirintesh të nëndheshme dhe përbuzje ndaj kaltërsive qiellore. Që ky plan i egër e i mbrapshtë të bëhet realitet, gjëja e parë për t’u realizuar është mohimi i çdo gjëje të mirë, të bukur e të ndershme që bota krijoi me aq mund e sakrifica. Si pasojë e kësaj lufte të zezë vrastare, parajsa qiellore do të vijë në tokë jo përmes Zotit, siç thotë feja dhe tërë besimtarët e devotshëm, por me veprat që bën sundimtari duke mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme. Edhe vrasja e prindit, po të jetë e domosdoshme, duhet kryer pa asnjë ngurrim në emër të kauzës. Në Shqipëri “Partia mbi të gjitha” qe një parim i imponuar nga kasta që vinte ideologjinë mbi familjen, atdheun e të drejtat e njeriut. Rasti i Halim Xhelos, ky biçim komandant çete që kërkoi leje nga udhëheqja e Partisë komuniste të vriste babanë që e pat mohuar si bir meqë nxiste e vinte në jetë luftën vëllavrasëse ndaj gjithë atdhetarëve të vërtetë është një shembull tipik i zhdukjes së vlerave njerëzore. Nuk ia lejuan këtij “heroi”jo sepse qe imorale po sepse do të kish pasoja më se negative në opinionin publik. Krejt e kundërta ndodh me Safet Butkën, edhe ky komandant çete, por i forcave të asaj Shqipërie Etnike që, në vend të pranojë luftën vëllavrasëse, flijohet duke vrarë veten që të mos shohë gjakderdhje shqiptare në këtë truall të lashtë sa koha. Dy qëndrime diametralisht të kundërta. Pa përmendur këtu një pafundësi rastesh të vrasjeve pas shpine e me denoncime që u kryen me urdhër të një grupi banditësh e terroristësh të regjur që drejtoi lëvizjen pansllave në Shqipëri vetëm që të merrte pushtetin duke e paraqitur si çlirimtare. Mashtroi popullin me premtime që nuk mbajti dhe shkeli fjalën e besën shqiptare. Populli besoi, populli u zhgënjye. Aty ku nuk arrin drejtësia, arrin kujtesa. Tradhtia e Kosovës është një nga dëshmitë e padiskutueshme të antishqiptarizmit dhe të politikës terroriste hoxhane.
Vendi i Shqipeve vuajti më shumë nga çdo shtet tjetër i bllokut të Lindjes evropiane sepse pat në krye të vendit ca banditë me shpirt e mendje të huaj, por nuk u mposht nga terrorizmi bolshevik. Lexonte në fshehtësi veprat e At Gjergj Fishtës, kujtonte figurën e Mit’hat Frashërit, të Ernest Koliqit, Bahri Omarit, Rexhep Mitrovicës, Abaz Kupit, Xhelal Mitrovicës, Xhafer Devës, Hasan Dostit dhe kujtonte artikujt e fjalimet e Mazar Sopotit për Kosovën e Shqipërinë Etnike. Nderonte figurën e Patër Anton Harapit, Vinçens Prenushit, të At Zef Pllumit, të Myzafer Pipës, të Sabiha Kasimatit dhe të Musine Kokalarit, të poetëve Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmit e Genc Lekës. Të rinjt dëgjonin leksionet mbi lashtësinë e gjuhës dhe të kulturës shqipe nga atdhetari e eruditi i kalibrit evropian Petro Zheji që s’pranoi kurrë asnjë lloj kompromisi me “gjuhëtarët” censurues të regjimit totalitar për botimin e studimeve të tija, dhe që sot për vlerat e mirëfillta të veprave për qëndrimin stoik të tij e vëmë në radhën e rilindësve tanë më të shquar. Qytetërimi nuk transmetohet biologjikisht, por vetëm në mënyrë kulturore, përmes shoqërisë. Prandaj rrezikon të humbasë në çdo çast. Kjo forca dhe dobësia e vet.
Tirani nuk pranon dijen, kulturën dhe artin e vërtetë. Kjo sepse individi i ngritur a i shkolluar ka një përgatitje më të madhe e si pasojë është më i lirë e, natyrisht, më pak i korruptueshëm. Shkolla e tiranisë është ajo e skllavërisë. Bota që nuk bëhet me njohjen, ngrihet kundër njohjes. Gëzimi i lindjes, i rritjes dhe i pjekurisë shndërrohet kështu në kënaqësi asgjësimi. Shemben tempujt, monumentet, fshihen të vërtetat historike, hidhet baltë mbi të kaluarën për t’i lënë vendin kultit të individit.
Në vitet Tridhjetë Stalini dha urdhër e shembi katedralen e Krishtit shpëtimtar të Moskës që populli rus e pat ndërtuar për nder të fitores kundër Napolonit që të ngrinte Pallatin e sovjetëve. Gorbaçovi e rindërtoi pas shembjes së komunizmit. Të njëjtën gjë bëri edhe Hoxha në vendin tonë kur importoi frymën rrënimtare të revolucionit kulturor nga Kina e Maos. Edhe kisha ku pat vënë kurorë Skënderbeu me Donikën u hodh në erë me urdhër të kriminelit Mehmet Shehu.
Qëllimi i kryengritjes mund të jetë fisnik, por jo gjithçka që ajo bën i përgjigjet kauzës. Sa herë ngre zërin dhe pohon verbërisht diçka duke mohuar në mënyrë të plotë realitetin, ajo nuk bën tjetër veç vret. Kur dëshira e papërmbajtur për të ndryshuar shoqërinë shndërrohet në tërbim, drejtësia shkelet e gjymtohet. Kjo ndodh sepse ka kryengritës që japin jetën në emër të një ideali dhe të tjerë që kryejnë krime vetëm sepse janë gjakatarë e duan të marrin pushtetin. Meqë nuk arrijnë të realizojnë përjetësinë, dënojnë me vdekje Perëndinë. Dhe kështu i hapin rrugën marshimit drejt perandorisë së vdekjeve pafund.
“Kush djeg librat, – thotë H. Heine, – herët a vonë do të arrijë të djegë njerëz”. Kështu nisi e kështu mbaroi Gjermania e Rajhut III. Proceset e pafund të spastrimit të viteve tridhjetë në Moskën e Stalinit që, mes miliona viktimash në të gjitha fushat, shoi edhe elitën e artit e të kulturës së vërtetë ruse, vrasja sistematike e atdhetarëve dhe e klerikëve që i patën kushtuar jetën vendit tonë nga banda e Hoxhës s’janë veç dëshmi e tërbuar e luftës për një pushtet të përjetshëm. Kryengritja zgjat për pak kohë dhe vret një numër relativisht të vogël njerëzish, kurse revolucioni vret njerëz e ide bashkë dhe nuk pushon kurrë. Qeveria, duke qenë qeveri, nuk ka asnjë mundësi ta quaj veten revolucion. Një qeveri mund të paraqitet revolucionare vetëm ndaj qeverive të tjera.
Ajo shoqëri e kuqe që lindi me një grusht shteti në Rusinë e 1917-ës pretendonte zhdukjen e klasave por luftoi për sundimin e botës, po ashtu si edhe ajo e Nacionalsocializmit gjerman e 1933 që siguroi votat duke premtuar paqe e mirëqenie të gjithëve dhe shpuri botën në kasaphanën më të tmerrshme të njerëzimit. Mashtrim e dhunë që i kushtoi Evropës e botës mbi pesëdhjetë milionë viktima. Njëra në emër të klasave dhe tjetra në emër të racave. As njëra dhe as tjetra për jetën dhe bukurinë njerëzore. Qielli qe i zbrazur dhe toka prè e fuqive të natës. Monologu parathoshte mynxyrën, luftën, vdekjen e shkatërrimin e plotë. Komunizmi shkaktoi më shumë viktima se sa Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë botërore të marra së bashku. Dhe kjo jo në luftë, po në paqe.
Duke ia besuar verbërisht udhëheqësit të një ideologjie totalitare detyrën e lindjes e të ruajtjes së vlerave të vërteta njerëzore, çdo veprim bëhet arbitrar, fuqia e pushtetit bëhet zot dhe sundon e mbretëron mbi gjithçka. S’ka vend për mendim krijues.
Dihet se gjermanizimi i Rusisë nis me edukatorët, burokratët dhe ushtarakët gjermanë që me Pjetrin e Madh e bëhet sistematik me Nikollën I. Universiteti i parë në Rusi qe ai i Moskës i 1750 themeluar nga gjermanët. Gjer edhe gjuha zyrtare e Internacionales III qe gjermanishtja. Gjatë tetëqindtës ndodhi edhe në Francë po ky fenomen përmes studimeve gjermanike po aty iu desh të ndeshej me një socializëm anarkist. Në Rusi qe pushtues sepse gjet një vend adoleshent. Pisarevi e pohon haptas kur flet për materialet ideologjike duke thënë se ato janë importuar gjithmonë nga jashtë meqë niveli arsimor i popullit rus qe mjaft i ulët. “Jo dhuna” thotë Fjodor Dostoevskij “por bukuria, ajo e vërteta do ta shpëtojë botën”. E ndjente si askush tjetër dhe e pasqyroi me vërtetësi bindëse ky shkrimtar i madh frymën e ethshme që kalonte jo vetëm Rusia po tërë kontinenti evropian në atë periudhë.
Individualizmi nuk mund ta pranojë historinë ashtu siç është. Kërkon ta shkatërrojë realitetin sepse vetëm në këtë mënyrë pohon qenien e vet, pra nuk pranon dialog e bashkëpunim me te. Mohimi është Zoti im, pohon me plot zë. Një britmë e egër që vjen nga thellësia e netëve më të zeza të shekujve. Pisarevi qe një ekstremist. Desh jetën dhe kërkoi vetëvrasjen duke përfunduar në çmendinë. Kurse Neçajevi shkon edhe më tutje kur shpall: “Gjithçka është e lejueshme”. Po ashtu kur thotë : “Revolucionari i vërtetë nuk duhet të ketë marrëdhënie të mira njerëzore. “Pra s’ka miqësi. Gjithçka i shërben mbretërisë së djajve. “Pse duhet vrarë një njeri?” pyet dhe vet përgjigjet: “S’është fjala për të pas apo jo të drejtë, po për detyrën që kemi në asgjësimin e gjithçkaje që dëmton kauzën”. Pra, dhuna si parim për trupin dhe mashtrimi për shpirtin. Krimi bëhet ligj. E vetmja vlerë është revolucioni. Trashëgimia e Neçaevit dhe e Marksit përgatit terrenin dhe bën të lindë revolucionin totalitar të shekullit njëzetë, ku gjithçka kryhet në emër të mohimit.
Revolucioni nihilist, që historikisht u shpreh edhe me paganizmin hitlerian, ngjalli kështu vetëm një tërbim të papërmbajtur të hiçit që u kthye më në fund edhe ndaj vetvetes. Hitleri, me sa dëshmoi Albert Speer në procesin e Nurembergut, pati mundësinë ta ndalte shkatërrimin e plotë duke ndërprerë luftën, por ai kërkoi me ngulm vetëvrasjen e përgjithshme, rrënimin material e politik të kombit gjerman. “Në rast se populli gjerman”, – u shpreh ai- “nuk është i zoti të fitojë, nuk është i denjë as të jetojë”. Kjo lloj vdekje s’është tjetër veç një kushtim gjakësor i mburrjes së asaj filozofie nihiliste që rënon mbarë botën. Rezistenca e Anglisë qe disfata e parë për Gjermaninë naziste, kurse beteja e Stalingradit qe ajo që e çoi drejt vdekjes Hitlerin duke i shpënë edhe një herë akrepat e sahatit të historisë drejt së ardhmes.
Instituti Marks-Engels i Moskës e ndërpreu më 1935 botimin e veprave të plota të Marksit sepse përmbajtja e tyre nuk qe mjaft “marksiste”. Ky fakt s’ka nevojë për asnjë koment. Edhe gazeta Pravda vetëkorrigjohej herë pas here. Lenini mendonte se Shteti, që u konceptonte si i përkohshëm, do të vazhdonte të ekzistonte për aq kohë sa në botë ka e do të ketë padrejtësi. Por imperializmi, edhe ai i drejtësisë qoftë, nuk ka mbarim veç me disfatën ose me realizimin e perandorisë botërore. Kështu vritet çdo lloj lirie sepse lufta shtrihet në hapësirë, njerëz e kohë pafund, që përbëjnë tre përmasat e historisë. Lenini i beson vetëm revolucionit kur thotë: “Duhet të jemi gati për çdo lloj sakrifice, të përdorim çdo lloj dredhie të nevojshme, kurth, metodë të paligjshme, vendosmëri për fshehjen e së vërtetës në mënyrë që të hyjmë në sindikatat… dhe të zhvillojmë me çdo kusht detyrën tonë komuniste”. Kështu Lenini shpall të ligjshme padrejtësinë, krimin e mashtrimin duke pretenduar të realizojë mrekullinë tokësore!
Nihilizmi, i zhgënjyer nga besimi i rremë, katandiset në një terrorizëm të pa shoq. Dhjetëvjeçari 1890 karakterizohet nga më se njëmijë atentate në Evropë e rreth pesëqind në Amerikë. Gjer në atë çast njeriu e dinte pse e jepte jetën, që nga ai çast e tutje të gjithë vdesin dhe vriten pa ditur arsyen. Shumë prej tyre qenë ateistë, individualistë dhe njerëz të zhgënjyer nga feja e nga jeta. Sa më i madh të konsiderohej ideali, aq më pak vlerë kish jeta e njeriut.
- Nietzsche, vrasësi më i famshëm i Perëndisë, filozofi që shpalli vdekjen e Zotit përfundoi në çmendinë, kurse Carl Gustav Jung, studiuesi i psikologjisë dinamike e analitike, i inkoshientit kolektiv, i alkimisë shpirtërore e i arketipave, i njofton botës mbarë rilindjen e Zotit në thellësi të shpirtit njerëzor. Pra është fryma kozmike si brenda ashtu edhe jashtë nesh që zotëron gjithësinë. Dashuria dhe urrejtja. Për shtetet e sistemit totalitar dhe sidomos për marksizmin rus, psikoanaliza prish punë me studimet e inkoshientit meqë kemi të bëjmë me botën e iracionalitetit, kurse njeriu për ta duhet të katandiset në një un social e racional, objekt llogarie, artikull për t’u magazinuar. Inkoshienti mund të përcaktojë një natyrë njerëzore të kundërt me unin historik, gjë që nuk përkon me planet politiko-sociale të një “shoqërie të re“ e të planifikuar. “Njeriu me lakra në kokë”, sipas Hoxhës, duhej riedukuar ose eliminuar. Për një “mësues” si ai njeriu qe objekt dhe jo subjekt.
Fashizmi nuk synonte të çlironte plotësisht njeriun, por t’u siguronte lirinë vetëm disave duke robëruar të tjerët. Komunizmi pretendonte të çlironte botën mbarë duke i skllavëruar që të gjithë. I pari ngrinte lart xhelatin nga vet xhelati, kurse i dyti ngrinte lart xhelatin nga viktimat që ai krijonte. Rrënjët e dy sistemeve i gjejmë në moralin nihilist. Pse u dashka jetuar kur asgjë s’ka kuptim? Pse duhet pavdekësia kur tiparet e jetës janë të frikshme? Evropa e Iluminizmit u kthye kështu në një botë çnjerëzore. Revolucionari, duke tradhtuar gjendjen e tij të kryengritësit, shndërrohet me dashje apa dashje në xhandar dhe e shuan vet kryengritjen. Ja sepse çdo revolucionar me kohë kthehet ose në shtypës ose në heretik. Xhandar ose i marrë. Këtu gjejmë arsyen e spastrimeve të herëpashershme në radhët e partive totalitare. Shpifja kundër botës të shpie në nihilizëm. “Më mirë pranoj të jem një shkarpaxhi rus, – thotë Pisarevi – sesa një Rafael rus”. Për te ka më vlerë një palë çizme se Shekspiri. Nihilisti Nekrasov thotë se preferon më shumë një copë djathë se tërë veprat e Pushkinit.
Në një artikull të gazetës “Dielli” të 15.5.1926 Faik Konica mes tjerash shkruan: “…Guverna bolshevike u kërkoi armiqëve të shtetit tonë, nja dhjetë djem për të shkuar në shkollën e veçantë të Moskës, ku formohen agjentë të bolshevizmës. Këta u dërguan dhe janë tani në Moskë, ku nxanë zanatin e revolucionit, që t’i venë zjarrin vendit të tyre”. Materiali propagandistik komunist në Shqipëri në vitet tridhjetë e dërgonte Kominterni dhe futej nëpërmjet Greqisë, por dërgohej edhe nga Franca, Zvicra dhe Austria. Veprimtaria e organizuar nisi më vonë, me emisarët e themeluesit e vërtetë të PKSh 8.11.1941 Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi. Njësitet guerilje që u formuan drejtoheshin nga vrasës profesionistë.
Që nga Shpallja e Pavarësisë 1912 e deri më sot, dy rryma të ndryshme e të kundërta karakterizojnë politikën e vendit tonë:
e para mbështet mendimin se me cilindo mund të bashkëpunojmë vetëm me kusht që të ruhet tërësia e Shqipërisë Etnike; e dyta mbajti dhe mban një qëndrim e mendim feudal provincial se duhet bashkëpunuar me çdokënd duke u bërë vasal i cilitdo, vetëm që në atë feud të jem zot unë.
Përfaqësuesi shpirtëror dhe ati i mendimit të parë ishte dhe mbetet atdhetari i shquar Hasan Prishtina, kurse i mendimit të kundërt mbetet Enver Hoxha, një herë vasal i Jugosllavisë, pastaj i Rusisë së Stalinit dhe më në fund i Kinës së Maos.
“Një shtet që zvogëlon qytetarët e vet duke i shndërruar thjesht në mjete pune, qoftë edhe për qëllime të dobishme, – thotë John Stuart Mill, – do të zbulojë që me njerëz të vegjël asgjë e madhe nuk mund të realizohet”. Pra në diktaturë krijimtaria e vërtetë s’ka vend e shtypet, kurse në një shoqëri të hapur e që mban kontakt me botën mbarë, ajo stimulohet e gjen fushë veprimi që të rritet e të zhvillohet në të gjitha drejtimet e mundshme. Prej gjithçkaje mund të heqim dorë, po kurrë nga njohja sepse ajo përbën pasurinë tonë më të rëndësishme, trashëgimì që s’i humb kurrë vlerat e saja të mirëfillta.




