Hetimi i policisë/ Masakrimi i studentit shqiptar, bie në pranga një i ri, në kërkim maqedonasi

Artan Cena

 Xhuliano BrahimllariMister shkaqet. Policia e Brukselit ka identifikuar dy të dyshuar për masakrimin e shqiptarit Xhuliano Brahimllari. Maqedonasi dyshohet se është kthyer në vendin e tij

Një 20-vjeçar belg është arrestuar si autor i dyshuar i vrasjes së studentit shqiptar Xhuliano Brahimllari, trupi i të cilit u gjet pa kokë, këmbë e duar, ndërsa një shtetas i Republikës së Maqedonisë është shpallur në kërkim. Gjyqtari Colette Calewaert lëshoi një urdhër-arrest natën e së enjtes mes së premtes në ngarkim të shtetasit Vincent D., një banor i Brukselit, i moshës rreth 20 vjeç. Ai u akuzua për vrasjen e Xhuliano Brahimllarit, studentit për Juridik dhe Kriminologji. Një pjesë e trupit të tij, trungu pa kokë, këmbë e duar, u zbulua më 9 qershor, në një valixhe. Lajmin për arrestimin e 20 vjeçarit belg e bëjnë të ditur mediat vendase, ku kryesisht e përditshmja “Lavenir” i ka ndjekur zhvillimet e fundit hetimore për këtë rast.

 

Në kërkim maqedonasi

Gjurmët e para kishin nisur nga telefoni i Vincent D. dhe një shtetasi të quajtur Denis, nga Maqedonia,për të cilin besohet se ndoshta është kthyer në vendin e tij të origjinës.

Vincent D. mohon çdo faj, por deri më tani ai nuk ka bindur me thëniet e tij. Ai do të paraqitet sot para dhomës së këshillit në Bruksel, për të konfirmuar ose të mohojë urdhër-arrestin nga gjyqtari Calewaert. Në të gjitha gjasat një urdhër-arrest ndërkombëtar u lëshua për Denisin. Nisur nga emri, ka gjasa që Denisi të jetë shtetas i etnisë shqiptare, me banim në Maqedoni, ndonëse kjo mbetet hipotezë, deri në arrestimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Nga hetimet rezulton se ditën e diel, më 9 qershor të këtij viti, rreth pasdites Xhuliano Brahimllari e ka ruajtur kontaktin e tij të fundit të telefonit. Por ai pati shkëmbime të bollshme brenda 24 orëve, përpara natës, sidomos me Vincent D. Ndërkaq, vetë Vincenti thotë se ishin miq për vite me radhë dhe se ata takoheshin rregullisht. Dëgjimi i tij filloi të enjten në mëngjes, më 25 qershor dhe përfundoi në orët e natës. Ndërkaq, hetuesit kanë saktësuar se i pranishëm në banesën në Bruksel ishte edhe Denisi. Trupi i të ndjerit u gjet në një valixhe sportive, pa kokë, këmbë e duar nga disa punëtorë. Ai ishte student në vitin e parë për Juridik dhe Kriminologji dhe jetonte prej vitesh në Belgjikë. Kur ishte 18 vjeç u ndalua, pasi rrahu shokun e tij me shkop bejsbolli. Vitin e kaluar u akuzua për kanabis, por më pas u la i lirë.

 

Masakrimi i të riut

Trupi i 22-vjeçarit, student për Drejtësi dhe Kriminalistikë në një universitet në Bruskel, u zbulua më 9 qershor nga disa punonjës të bashkisë Jette i mbështjellë në një çantë të zezë në kosh. Trupit të të riut shqiptar i mungonte koka, parakrahu dhe pjesa e poshtme e këmbëve. Identifikimi i tij u nga ana e xhaxhait të tij, i cili e ka njohur nga një tatuazh. Xhuliano Brahimllari ishte me origjinë nga fshati Dukas në Patos. Familja e tij ka emigruar në Belgjikë në fillim të viteve ’90 dhe ai ka lindur aty. Ende nuk ka autor të arrestuar për këtë ngjarje apo një pistë konkrete hetimi, por hetuesit belg flasin se Xhuliano nuk ishte i panjohur për drejtësinë ku ishte dënuar me 30 muaj burg. Kjo pasi kur ishte 18 vjeç ka goditur një nga shokët e klasës me shkop bejsbolli, ndërsa në vitin 2014 është arrestuar për trafikim të lëndës narkotike.

 

Shqipëria dhe Mali i Zi marrin masa për kërcënimet e ISIS-it

 Rreziku nga kërcënimet e “ISIS-it” për vendet e Ballkanit ka bërë që Shqipëria dhe Mali i Zi të përforcojnë masat në pikat kufitare. Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Genc Merepeza, i cilëson kufijtë të sigurtë për momentin, por shton se vigjilenca është maksimale. “Dy vendet tona kanë instaluar në pikën kufitare të Muriqanit edhe sistemin e verifikimit për klandestinët, apo për shtetasit që kalojnë drejt vendeve të listës së zezë siç është Siria. Bashkë më sistemin janë dhuruar edhe pajisje logjistike dhe automjete për patrullimin e kufirit të gjelbër”, – tha Merepeza. Intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Mali i Zi prej disa vitesh operojnë përmes pikës së përbashkët të kalimit kufitar në Muriqan, e që pritet të shtrihet shumë shpjet si praktikë edhe në pikën e kalimit kufitarë të Hanit të Hotit.

 

Përplasje me armë në Laprakë, një person mbetet i plagosur

 Një person ka mbetur i plagosur paraditen e djeshme rreth orës 11:30 në zonën pranë ish-kombinatit “Josif Pashko” në Laprakë nga disa të shtëna me armë zjarri. Burime nga blutë e kryeqytetit raportojnë se i plagosur ka mbetur një person me inicialet F. V., i cili është qëlluar në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën ndërkohë që ende nuk është identifikuar autori i kësaj ngjarje dhe as motivet e saj. Nga të njëjtat burime mësohet se uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të plagosjes të cilët po mundohen të mbledhin prova të mundshme materiale dhe dëshmi të asaj që ndodhi, saktësojnë burimet.

 

Kontrabandë cigaresh nga Kakavija, prangoset ndihmësdoganieri

Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë kufitare në Kakavijë, inspektorin Mentor Cane si edhe shtetasin Erald Çaço, tregtar. Të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale, të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”. Pas një hetimi dy mujor është dokumentuar se Cane, i merrte stekat me cigare në Duty-Free-Shop në pikën doganore në anën greke të kufirit dhe duke shfrytëzuar detyrën, i kalonte ato në territorin shqiptar, duke shmangur detyrimet doganore. Më pas këto mallra i fuste në bagazhin e mjetit të tij, tip “Mercedes-Benz” me targa TR 36 11 U, dhe i sillte në Tiranë tek blerësi. Në ngarkesën e fundit, të bllokuar sot në mesditë në rrugën “Ndre Mjeda”, në kryeqytet, punonjësit të policisë Cane iu kapën 36 kuti, me nga 3 steka cigare secila. SHÇBA ka dokumentuar për periudhën që ai ishte nën hetim, se kryente të paktën 2 ngarkesa në javë, me sasi edhe më të mëdha se rasti i kapur. Nga ana SHÇBA-së, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kutitë me cigare, 2 automjete që u përkisnin shtetasve të arrestuar, si edhe 4 aparate telefoni celularë.

Share it :