Ervin Kaduku
– Publikohen shifrat e afarizmit për tremujorin e parë të vitit 2015; një vit më parë volumi i aktivitetit ekonomik shënonte rritje me afro 4%, tani është minus 2.3%
Ritmet e rritjes së afarizmit në ekonomi ranë me 2.3 për qind në tremujorin e parë të 2015-ës në krahasim me një vit më parë, ku në të njëjtën periudhë volumi i aktivitetit ekonomik ishte rritur me 3.8%, sipas të dhënave të djeshme të INSTAT-it. INSTAT ka shpjeguar se në më të madhe këtë vit e patën aktivitetet që kryhen në sektorët “Agjenci udhëtimi” me 26.4%, “Energji elektrike, gaz, avull” me 21% dhe ”Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, përkatësisht me 12.4%.
Në aktivitetin “Industri” ka ndodhur një rënie 9.3%, dega me rënien më të madhe është “Industria Nxjerrëse” me 29.7%.
Shifra e afarizmit në volum, në “Shërbime”, në tremujorin e parë 2015 krahasuar me tremujorin e parë 2014, është rritur me 3.5%, ndikuar kryesisht nga aktivitetet: “Agjenci udhëtimi”, “Tregti” dhe “Hotele” përkatësisht me 26.4%, 7.4% dhe 6.5%.
Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në tremujorin e parë 2015, paraqitet me rënie prej 17.7% krahasuar me tremujorin e katërt 2014. Në këtë rënie ndikojnë aktivitetet që kryhen në sektorët, “Transport dhe Magazinim”, “Ndërtim” dhe “Industri nxjerrëse” përkatësisht me 48.9%, 34% dhe 29.2%.
Në aktivitetin “Industri” kemi rënie 17.2%, ku dega me rënien më të lartë është “Industria Nxjerrëse” me 29.2%. Në krahasim me tremujorin e katërt 2014, në aktivitetet “Shërbime” kemi rënie 16.9% të shifrës së afarizmit në volum, e cila ka ardhur kryesisht nga aktivitetet “Transport dhe Magazinim” dhe “Informacioni dhe komunikimi” përkatësisht me 48,9% dhe 24,1%.
Ecuria e afarizmit në ekonomi është treguesi më i hershëm që sinjalizon rritjen ekonomike. Në tremujorin e parë të 2014-ës afarizmi u rrit me 3.8 për qind, ndërsa rritja ekonomike rezultoi 1.6%, ndërsa këtë shifra e afarizmit në nivelet 2.3% pritet të prodhojë në tremujorin e parë 2015 një rritje më të vogël se ajo e një viti më parë. Kjo mbështetet edhe nga rënia e eksporteve me 2 për qind gjatë tremujorit të parë 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014-ës.
Punësimi
Gjatë tremujorit të parë 2015, ndryshimi vjetor i numrit i të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Industri” (Industri nxjerrëse dhe përpunuese) paraqet 6.3% rritje krahasuar me tremujorin e parë 2014. Gjithashtu në aktivitetet “Energji elektrike, gaz, avull” dhe “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” ky tregues paraqet rritje respektivisht me 6.5% dhe 13.9%. Me një rritje prej 3.4% rezulton ndryshimi tremujor i numrit të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit “Industri”, rritje e cila vjen nga ndikimi i aktivitetit “Industri përpunuese” me 4.5%.
Ky tregues paraqitet me rritje 15.7% në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” dhe 5.1% në aktivitetin “Energji elektrike, gaz, avull”. Gjatë tremujorit të parë 2015, ndryshimi vjetor i nivelit të fondit të pagave shënoi një rritje prej 8.4% në “Industri”, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rritja e këtij treguesi në aktivitetin “Industri përpunuese me 10.5%.
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin e Ndërtimit në tremujorin e parë 2015 paraqet rritje prej 9.7% krahasuar me tremujorin e parë 2014, fondi i pagave, për ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin e ndërtimit, shënoi një rritje prej 11.3% gjatë së njëjtës periudhë.
Në tremujorin e parë 2015, ndryshimi vjetor në aktivitetet e “Shërbimeve” ka një rritje të numrit të të punësuarve me pagesë me 14.1%. Kontributin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë kryesisht aktivitetet “Tregti me shumicë” me 23.4% dhe “Tregti me pakicë dhe shumicë, dhe riparimi automjeteve dhe motoçikletave” me 19%, “Hotele” me 9.8%.
Alarmi: Kreditë e këqija nuk po ulen, me këto ritme arrijnë në 40%!
Ulja e nivelit të kredive me probleme ishte objekti kryesor i diskutimeve në forumin e tretë financiar, që mblodhi në një tryezë diskutimi përfaqësues të qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare. Palët diskutuan rreth mekanizmave për të ulur nivelin e kredive me probleme dhe që do të adresohen së shpejti në një plan veprimi gjithëpërfshirës, me një qasje strategjike të koordinuar nga të gjithë grupet e interesit. Ndër çështjet që duhen adresuar janë nevoja për mbështetjen e skemave të ristrukturimit vullnetar të borxhit, të cilat do të mundësonin zgjidhje të tij jashtë gjykatave; rritja e transparencës së pasqyrave financiare të huamarrësve; përdorimi i instrumenteve tatimore dhe mbikëqyrëse për nxitjen e ristrukturimit dhe zgjidhjes së borxhit etj.
Për të adresuar çështjet ligjore që pengonin zgjidhjen e shpejtë të kredive me probleme, pjesëmarrësit ranë dakord që projekti i Ministrisë së Drejtësisë për të bërë ndryshime në ligjin për falimentimin është një mundësi e mirë për të hequr disa prej këtyre pengesave. Diskutimet treguan se, në një pjesë të madhe, kreditë me probleme pasqyrojnë dhe kontribuojnë në brishtësinë e institucioneve dhe të ekonomisë shqiptare. Përvoja e deritanishme duhet të shërbejë për ndërtimin e një sistemi që do ta trajtojë me eficiencë problemin e kredive me probleme. Në këtë proces, bankat kanë një rol kyç dhe duhet të përmirësojnë proceset e tyre të brendshme për dhënien, monitorimin dhe analizimin e kredive, si dhe për mbështetjen e trajtimit me eficiencë të kredive me probleme.
Asistenca e institucioneve financiare ndërkombëtare është e mirëpritur dhe e domosdoshme. Fokusi i asistencës do të jetë në përmirësimin e kapaciteteve zbatuese të institucioneve në Shqipëri, të cilat merren me praktikalitetet e zgjidhjes së kredive me probleme.
Në përfundim të forumit, guvernatori Sejko theksoi se ndonëse sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid, zgjidhja e kredive me probleme është faktor thelbësor për përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe rritjen e kreditimit, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Ndërkombëtarët
Në fund të vitit 2014, FMN e ka vlerësuar Shqipërinë si vendin me nivelin më të lartë të kredive me probleme në masën 24%, një fakt ky, i cili ka shqetësuar partnerët financiarë ndërkombëtarë dhe i ka detyruar ata që të ulen në bisedime me institucionet për reduktimin e tyre. Në forumin e zhvilluar mes FMN, BB, Bankës se Shqipërisë dhe institucioneve te tjera, është kërkuar hartimi i një strategjie nga ana e qeverisë shqiptare, jo vetëm për të parandaluar zgjerimin e këtij fenomeni, por edhe reduktimin e tij, i cili aktualisht ka arritur ne nivelin e rreth 23%. Sipas pjesëmarrësve ne këtë forum, kreditë me probleme janë një pengesë kryesore për zhvillimin dhe rritjen ekonomike. FMN dhe BB kane vlerësuar disa nisma në përmirësimin e ligjit për përmbarimin, si dhe në atë për falimentin. Në periudhën ne vijim, pritet të ndërmerren edhe disa nisma të tjera, siç janë rritja e transparencës së bilanceve për huamarrësit, krijimin e skemave për ristrukturimin e borxhit etj. Por të pranishmit në forum kërkuan më shumë mbikëqyrje edhe nga vetë bankat. Sipas tyre, ato duhet të përmirësojnë proceset e tyre të brendshme, monitorimin dhe analizimin e kredive.
Në një raport të fundit, FMN ka evidentuar se, nëse nuk ndërhyhet për zgjidhjen e këtij fenomeni, atëherë kreditë me probleme në Shqipëri mund të arrijnë në 40% të totalit të portofolit kreditor. Më 2015-2016 në këtë pritshmëri, ndikim mund të japë rënia e ekonomisë, e shoqëruar edhe me zhvlerësim të monedhës kombëtare ndaj valutave.
Greqia në kaos, mbyllen dyert e bankave dhe Bursa e Athinës, Shqipëria krijon grupin e emergjencës
Pas rekomandimit të Bankës qendrore, kreu i Ekzekutivit grek, së bashku me bankierët kryesorë në vend, kanë lajmëruar ditën e diel në darkë se bankat dhe bursa në vend do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri më datën 6 korrik. Deri në këtë datë, do të jetë e pamundur për grekët të tërheqin më shumë se 60 euro në ditë nga bankomatët. Pensionet bëjnë përjashtimin e vetëm për të huajt. Diçka e tillë ishte paralajmëruar dhe vjen për të evituar kolapsin. Thirrja e Kryeministrit Tsipras për referendum, si dhe dështimi i negociatave me kreditorët shkaktuan shumë turbullira në tregje. Grekët i trembeshin kontrollit të kapitalit dhe frika e tyre nuk rezultoi e pabazuar. Një precedent i tillë i ngjashëm është edhe Qipro e vitit 2013, ku u ndërmor e njëjta masë, por me një limit prej 300 euro në ditë, për të shmangur të paimagjinueshmen.
Pas vendimit, Tsipras ka reaguar ashpër ndaj Bankës Qendrore Evropiane dhe disa faktorëve brenda në Eurozonë. “Askush nuk do të ndalojë referendumin”. Pavarësisht faktit se Banka Qendrore Evropiane ruajti të pandryshuar programin e likuiditetit ndaj bankave greke, diçka e tillë është e pamjaftueshme, pasi nevojitet një rritje e konisderueshme e limitit prej 89 miliardë euro.
Shqipëria
Gjendja aktuale financiare e bankave me kapital grek dhe e gjithë sektorit bankar në vend ofron një mbrojtje efektive ndaj situatës aktuale dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike dhe financiare në Greqi. Burime zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë më dije se është ngritur tashmë grupi i monitorimit të krizës greke, që e udhëheq Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që qeveria është duke ndjekur në vijimësi zhvillimet në shtetin fqinj, sidomos ato që lidhen me tregun financiar dhe ate monetar.
Sipas burimeve të mësipërme, Ministria e Financave mban komunikim të përditshëm me këtë grup.
Ndërkohë legjislacioni dhe mbikëqyrja e Bankës së Shqipërisë kanë rritur sigurinë e sistemit bankar shqiptar, u shpreh në një prononcim për mediat ishministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas tij, sistemi ynë bankar përbën segmentin më stabël të ekonomisë sonë. Nëpërmjet plotësimit të legjislacionit BSH dhe qeveria synuan të mbrojnë bankat shqiptare nga risku që vjen nga bankat mëma që janë të ekspozuara nga kriza. Bankat e huaja që veprojnë në Shqipëri, mund të shkëputen nga bankat e tyre mëmë, nëse rreziku prej tyre mund të përcillet në vend.
Dështon qeveria, Shqipëria mbetet jashtë marrëveshjes rajonale roaming
Vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë mbetur jashtë marrëveshjes që katër vende të Ballkanit – Maqedonia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi – kanë nënshkruar për ulje të tarifës së roamingut në telefoninë celulare. Në tre shtetet e para, Maqedoni, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, që nga dita e nesërme do të bisedohet me çmime të reja në roaming, ndërsa Mali i Zi e ka zgjatur atë, pasi, sipas informacioneve të fundit, për zbatimin e saj priten zgjidhje të reja për operatorët nga trupi i mëtutjeshëm rregullator, raporton “Koha ditore”.
Sipas marrëveshjes në fjalë, nga dita e martë për një minutë thirrje do të paguhet 0.29 euro, ndërsa për thirrje të pranuar rreth 8 centë. SMS do të paguhen rreth 9 centë, ndërsa një megabajt internet do të kushtojë rreth 70 centë. Këto çmime janë pa TVSH të llogaritur, ndërsa të njëjtat do të ulen edhe më shumë pas qershorit të vitit të ardhshëm. Ulja e tretë do të ndodhë nga 1 korriku i vitit 2017.
Marrëveshja për çmime më të ulëta të bisedave në roaming është nënshkruar nga katër shtetet në shtator të vitit të kaluar në Budva të Malit të Zi.
Nuk dihen arsyet pse Shqipëria dhe Kosova kanë ngelur jashtë kësaj marrëveshje, por thuhet se marrëveshja është e hapur edhe për vendet e tjera të rajonit. Sidoqoftë, kjo do të thotë dështim i radhës i qeverisë shqiptare.
KE: Investitorët e huaj nxjerrin gjithnjë e më shumë para jashtë Shqipërisë
Deficiti i llogarisë korrente është strukturalisht i lartë dhe ka gjasa të zgjerohet më tej, thekson Komisioni Evropian në pjesën e parë të programit të reformave ekonomike për vendet kandidate dhe ato potenciale kandidate në Bashkimin Evropian. Një rënie e mëtejshme e prodhimit ka gjasa të ngushtojë bazën e eksporteve, duke zgjeruar deficitin tregtar i cili tradicionalisht ka qenë në nivele të larta, rreth 20% e PBB.
Dobësia ciklike e kërkesës së brendshme ka kontribuar në tkurrjen e saj në vitin 2012 dhe 2013, por me rritjen e konsumit hendeku tregtar është përkeqësuar sërish në vitin 2014, edhe pse eksportet kanë vazhduar gjithashtu të rriten.
Remitancat, të cilat para vitit 2009, u përdorën për të kompensuar më shumë se gjysmën e deficitit të tregtisë së mallrave, mbuluan më pak se një të tretën e saj në 2013, duke u zvogëluar si rezultat i krizës në Itali dhe Greqi. Edhe pse rënia e remitancave u ndërpre në vitin 2014, një ndryshim strukturor në aspektin e punësimit të emigrantëve do të thotë se ky burim i të ardhurave ka gjasa që të luajë një rol më të madh në të ardhmen.
Gjithashtu po vihet re një tendencë në rritje e daljes së të ardhurave nga investimet e huaja. Në përgjithësi, projektet e programit, tregojnë se deficiti i llogarisë korente do të tejkalojë 12% të PBB-së në tre vitet e ardhshme.
Deficiti i madh reflekton hendekun e kursimeve dhe investimeve të shkaktuara nga nevoja për investime të larta së bashku me kursimet relativisht të ulëta. Komisioni Evropian vlerëson se, në afat më të gjatë, hendeku duhet të reduktohet duke rritur normën kombëtare të kursimit dhe atë të prodhimit.
Edhe fermat mund të përfitojnë qira me 1 euro
Qeveria shqiptare ka zgjeruar gamën e përfituesve nga nisma e “Shqipëria 1 euro” duke u dhënë mundësi edhe individëve apo subjekteve që të përfitojnë kontrata qiraje për truall apo objekte kundrejt kësaj tarife. Vendimi që tashmë ka marrë fuqi ligjore parashikon se përfitues nga kjo skemë mund të jenë familjet bujqësore ose individët, që kanë përfituar dhe posedojnë tituj pronësie mbi tokën bujqësore sipas ligjit për ndërmarrjeve bujqësore” të vitit ‘95 por që nga veprimi i faktorëve natyrorë të fuqisë madhore, sipërfaqe të tokës në pronësi të tyre janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme. Këto familje apo individë kanë të drejtën e marrjes pjesë, në procedurën e konkurrimit, duke nisur me vlerën 1 euro, për toka bujqësore që rezultojnë në pronësi të shtetit, brenda njësisë administrative ku ata kanë vendbanimin dhe pronën.
“Sipërfaqja e tokës bujqësore që jepet me qira mund të jetë deri sa përmasa e sipërfaqes së tokës së dëmtuar të familjes bujqësore ose individit”, – thuhet në vendim. Afati i qiradhënies është deri në 30 vjet. Familja bujqësore ose grupi i individëve që kërkon të marrë tokë me qira kundrejt tarifës 1 euro duhet të paraqesë kërkesë në ministri, së bashku me disa të dhëna të tjera, mes të cilave edhe planbiznesin për zhvillimin e tokës bujqësore apo numrin e personave që mund të punësohen.
Ky zgjerim i kategorive përfituese nga nisma e dhënies së kontratave të qirasë me tarifë 1 euro shkon në mbështetje edhe të një projekti tjetër të qeverisë, atij për nxitjen e sipërmarrjeve bujqësore apo kooperativave, duke nxitur dy ose më shumë fermerë që të bashkëpunojnë. Projekt, që duket se ka shumë pak ose aspak ndjekës.




