Përplasja e madhe/ Opozita: LSI po përdor bandat për të manipuluar zgjedhjet në Vorë

 

fiqir ismailiPartia Demokratike është e bindur në fitoren e 21 qershorit në Vorë. Qytetart me votën e tyre do t’u japin përgjigje presioneve të dyshes Rama-Meta

Administrata publike, Policia e Shtetit, segmente të krimit të organizuar dhe malavitës kanë zbarkuar në Vorë. Këto janë pretendimet e opozitës lidhur me situatën e krijuar vetëm pak kilometra nga qendra e Tiranës. Kryeqendra e zgjedhjeve të 21 qershorit është bërë Vora atje ku pushteti me çdo mjet të ligjshëm dhe të paligjshëm ka zbarkuar në terren, atje ku opozita si në asnjë bashki tjetër të Shqipërisë po bën rezistencë. Partia Demokratike ka reaguar me deklarata dhe shumë eksponentë të opozitës mes të cilëve dhe ish kryeministri Berisha kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për Fiqiri Ismailin. Keltis Kruja nga selia blu denoncoi sot përdorimin e makinerisë shtetërore kundër kandidatit të opozitës. Ligjvënësi demokrat theksoi se bashkë me policin e shtetit janë edhe segmente të krimit të organizuar që janë bërë pjesë e dhunimit dhe shantazhimit në Vorë. “E vërteta që po dëshmohet çdo ditë në sytë e shqiptarëve në Vorë është se Ilir Meta po zbaton standardet e një organizate kriminale bashkë me taborin e tij shtetëror e me persona me precedentë penalë, që po ushtrojnë çdo ditë presion, dhunë e terror. E gjithë kjo për interesat korruptive të Ilir Metës që kërkon me çdo kusht të marrë bashkinë e Vorës. Ja ku kemi këtë foto, ku duket qartë, Bujar Laze nga Skrapari, shefi i komisariatit të Vorës, në shërbim të kandidatit të Ilir Metës. Ky tjetri këtu është edhe drejtori i AKU, i cili ka spikatur me sulmet ndaj biznesit të kandidatit të Partisë Demokratike. Dhe në sfond, janë si gjithnjë banditët e makinave me xhama të zinj, që vijnë lart e poshtë gjithë ditën e gjithë natën në Vorë”. Partia Demokratike u shpreh e bindur në fitore ndërsa kërkoi me këmbëngulje ndërhyrjen e prokurorisë të hetojë çdo person të përfshirë në këtë situatë të paprecedent sipas saj të krijuar në bashkinë e Vorës. Një ftesë të veçantë nëpërmjet deputetit Kelstis Kruja partia më e madhe e opozitës i bëri faktorit ndërkombëtar që të jetë prezent me vëzhgues tani dhe ditën e zgjedhjeve. “Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë urgjentisht të gjithë personat e përfshirë në këtë skenar kriminal. Ne kemi bërë kallëzim penal për shefin e komisariatit të Vorës, që është kthyer në mashën e Ilir Metës në këtë zonë, dhe kërkojmë nga prokuroria të lëvizë me shpejtësi për të garantuar ligjin. I kërkojmë përfaqësuesve të OSBE-ODIHR, BE dhe SHBA, prani sa më masive për regjistrimin e këtyre zhvillimeve që janë rekorde të zeza për standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme”. I ashpër në reagimin e tij ka qenë Kryeministri Berisha, i cili ka shprehur mbështetjen e tij të plotë ndaj kandidatit të opozitës Fiqiri Ismaili. “Mafia e mazhorances Rama – Meta, fallangat e saj te krimit persekutojne veprimtaret e opozites, i therrasin ne komisariat diten dhe naten, pa asnje shkak evident, i keqtrajtojne dhe perpiqen ti kthejne ne votues te bandes ne pushtet. Ata inskenojne truke te vjetra te kohes se policise sekrete, kercenojne dhe hapin procese ndaj kandidatit te PD, njerit prej qeveritarve vendore me shembullor, me te ndershem dhe te afte te vendit z.Fiqiri Ismaili. Kurse banditet e ministrise se Bujqesise, duke shkelur cdo ligj, rregull, shperfillur rezultate te analizave te instituteve prestigjioze europiane, mbyllin biznesin e kandidati te PD, investim i ndershem miliona euro dhe i teknologjise me te perparuar”. Opozita dhe eksponentë të saj shprehen të bindur se pas këtij operacioni kriminal për manipulimin e zgjedhjeve qëndron një nga dy “kokat” e mazhorancës kryetari i LSI-së Ilir Meta. Zoti Berisha ka sulmuar dhe akuzuar në mënyrë të hapur dhe direkte kreun e LSI-së Ilir Meta por edhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. “Ne krye te ketij operacioni qendron bashkryetari i “aleances se qelbesirave” Ilir Meta dhe ministri Sajmir Shullazi, drejtor operativ i ketij terrori eshte komisar Laze, thuhet kushuri i Ilir Metes, me çunat e krimit, bandite e delinkuente si dhe Ministria e Bujqesise me bandat e AKU-se qe shkelin çdo ligj te vendit”. Bashkia e Vorës është një garë mes Lëvizjes socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Palët kanë shkëmbyer akuza të forta për blerje votash mes tyre. Deputet dhe eksponentë të opozitës janë shprehur të bindur në fitore por edhe kanë akuzuar strukturat shtetërore se po ushtrojnë dhunë edhe terror mbi kandidatin Fiqiri Ismaili dhe mbështetësit e tij. Vora u bë edhe në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë sebep sherri ku pati përplasje të fortë mes kreut republikan Fatmir Mediu dhe deputetëve të LSI-së, Rama e Bitri. Afrimi i zgjedhjeve ka nxehur dhe temperaturat, e diela e ardhshme do tregojë nëse do kemi zgjedhje normale apo palët po shkojnë drejt një konfrontimi të pashmangshëm dhe me kosto për standardin e zgjedhjeve.

 

Policia ende s’ka asnjë autor për kërcënimin e kandidatit të opozitës

Tri ditë nga kërcënimi për vdekje i kandidatit të opozitës për kryebashkiak të Pogradecit Eduard Kapri ende nuk ka një autor për këtë çështje. Policia ka nisur hetimet dhe ka mare në mbrojtje kandidatin e opozitës por ende nuk ka një autor për këtë çështje. Kandidati i opozitës u kërcënua me jetën e familjarëve të tij nëpërmjet një mesazhi në telefonin e tij por megjithëse me numër të evidentuar telefoni akoma s’ka një autor që do të qetësonte kandidatin dhe opinionin publik. Opozita akuzon rivalët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë qytet si autorë të kësaj ngjarje që e ka ndezur edhe më shumë situatën parazgjedhore. Ndërsa policia e shtetit ka bërë të ditur se ka mare në mbrojtje kandidatin e opozitës dhe familjen e tij. Nënkryetari i selisë blu Edi Paloka në një deklaratë për mediat u bëri thirrje krerëve të mazhorancës të ruajnë qetësinë dhe se do të mbajnë përgjegjësi nëse i ndodh gjë kandidatëve të opozitës në gjithë Shqipërinë. “I bëjmë sot të ditur Ilir Metës dhe ortakut të tij Rama, se Partia Demokratike i mban ata të dy drejtpërdrejt përgjegjës, nëse një fije floku i preket kandidatëve tanë, njerëzve të tyre, dhe çdo demokrati e qytetari të përfshirë në këto zgjedhje”. Incidentet që po shoqërojnë zgjedhjet do të jenë të pasqyruara në raportin e OSBE-ODIHR-it dhe gjasat janë që standardi i zgjedhjeve është vërtet në rrezik.

 

LSI kërcënon edhe në Delvinë

Një tjetër kërcënim kundrejt kandidatëve dhe stafeve të opozitës vjen nga Delvina. Drejtori i zyrës arsimore Delvinë Fatos Llalla ka kërcënuar me jetën e tij dhe të familjarëve Pandi Zhongën drejtuesin e shtabit të kandidatit të opozitës për kryebashkiak Dhurim Alinani. Vetë kandidati u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të mos friksohen nga qëndrimet duke i etiketuar ata si pasardhës të Trojanëve. “Te dashur bashkeqytetaret e mi, mos u frikesoni nga kercenimet, presionet fizike dhe psikologjike. Jam shume i bindur se “Trojanet”, kane dinjitet dhe nuk tremben kollaj.

Miqte e mi, kemi shume njerez me vete edhe pse nuk i kemi prezent ne mitingjet tona, por ata jane me mendje dhe zemer me ne”, – përfundon deklaratën e tij kandidati i opozitës për kryebashkiak të Delvinës.

 

Share it :