Artan Cena
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për Parashqevi Ademin dhe avokati Gjovalin Ndokajn. Akuzohen për korrupsion pasiv dhe aktiv
Gjyqtarja e Laçit, Parashqevi Ademi dhe avokati Gjovalin Ndokaj, do të rrinë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Ky është vendimi i dhënë gjatë ditës së djeshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur të lejë në burg pa afat gjyqtaren e Ademi, të akuzuar për “Korrupsion pasiv”, si dhe avokatin Gjovalin Ndokaj, të akuzuar për “Korrupsion aktiv”. Masa e sigurisë në ngarkim të tyre u dha gjatë ditës së djeshme, në dy seanca të ndara. E para që u njoh me masën e sigurisë ishte gjyqtarja. Seanca në ngarkim të Ademit, nisi pak pas orës 10:00. Avokati i gjyqtares, tha se klientja e tij do të denonconte faktin që paratë i ishin lënë në çantë. Ndërsa pas saj nisi dhe seanca në ngarkim të avokatit Ndokaj. Të dyja seancat janë zhvilluar me dyer të mbyllura.
Masa e sigurisë
“Lekët që policia i gjeti gjyqtares Parashqevi Ademi u vunë në çantë dhe ajo do denonconte këtë veprim”. Ishte ky reagimi i avokatit të Ademit në përfundim të seancës ku u vlerësuan masat e sigurisë ndaj gjyqtares dhe avokatit Gjovalin Ndokaj për të cilët Krimet e Rënda vendosën arrest me burg. Gjyqtarja Parashqevi Ademi dhe avokati Gjovalin Ndokaj do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve për korrupsion. Avokati i Ademit e cilësoi të paligjshëm arrestin e gjyqtares duke deklaruar se pas skadimit të afatit prej 24 orë nga kërkesa e Prokurorisë deri në vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ajo duhet të lirohej. Ademi u arrestua 3 ditë më parë në flagrancë së bashku me avokatin Ndokaj pasi sipas policisë dhe prokurorisë ata ndanë mes tyre 200 mijë lekë në këmbim të një vendimi civil. Ky pretendim nuk qëndron shtoi Hysi pasi vendimi i gjyqtares Ademi ishte ai që kërkoi prokurori dhe ajo nuk ka tjetërsuar asnjë vendim në këmbim të pagesë por paratë ju vunë në çantë dhe ajo do bënte denoncim. Arrestimi për korrupsion i gjyqtares Ademi është rasti i dytë në muajin qershor ku më parë u prangos gjyqtari i Sarandës Rasim Doda për të cilin Krimet e Rënda vendosën masën e sigurisë arrest me burg 30 ditë.
KLD: OK arrestimit
Ndërkohë, dy ditë më parë është mbledhur edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë në lidhje me arrestimet në gjyqësor. KLD-ja ka dhënë autorizimin për arrestimin e gjyqtares Parashqevi Ademi. Kjo e fundit pak ditë më parë u vu në pranga bashkë me avokatin Gjovalin Ndokaj në Gjykatën e Lezhës. Sipas policisë, Ademi dhe Prendi i morën kanë marrë një qytetari 200 mijë lekë për të mbyllur çështjen. I pandehuri ka denoncuar rastin duke çuar në pranga gjyqtaren dhe avokatin. Në përfundim të seancave që kanë zgjatur vetëm pak minuta, ka folur dhe mbrojtësi ligjor, i cili ka kundërshtuar masën e sigurisë që ka dhënë gjykata për ta.
Angli, emigrantë shqiptarë kapen klandestinë në një kamion
Policia ka zbuluar më shumë se 50 emigrantë shqiptarët, të cilët ishin fshehur në një kamion në terminalin në Killingholme. Shqiptarët ishin në një kamion që vinte nga Hungaria. Në vendngjarje ishin pesë makina policie si dhe katër ambulanca për të ofruar ndihmë të shpejtë. Policia ndaloi kamionin që ishte nisur nga një port në Holandë drejtë Britanisë, gjatë ditës së djeshme rreth orës 7:40 dhe vuri në pranga shoferin hungarez. Mes emigrantëve shqiptarë ishte dhe një grua shtatzënë, e cila u dërgua në spital për kontroll. Policia tha se të gjithë emigrantët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Udhëtonin të dehur, Policia Rrugore prangos 9 shoferë
Policia Rrugore e Tiranës arrestoi gjatë fundjavës 9 persona pasi drejtonin automjetet në gjendje të dehur. Burime pranë uniformave blu, bënë me dije se aksioni vijon prej dy ditësh, ndërkohë që 9 drejtues automjetesh, rezultuan mbi masën e lejuar të alkoolit dhe ndaj tyre është marrë masa e arrestit në flagrancë. Vetëm një javë më parë, në Tiranë një punonjës i policisë u arrestua nga kolegët e tij, pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Pasi përplasi një automjet tjetër, efektivi i komisariatit numër 2 u largua nga vendngjarja ndërsa nga testi i alkoolit rezultoi i dehur.
Ryshfeti 20 mijë euro, në burg shoferi i gjykatës dhe sekseri
Robert Petoshati, shoferi i kryetares së Gjykatës së Apelit në Vlorë, së bashku me Myqerem Çelën do të qëndrojnë në burg nën akuzën e korrupsionit me 20 mijë euro për llogari të një çështje gjyqësore, ndërsa masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është vendosur për Gjolek Xhaferrin. Sipas policisë, e cila i vuri në pranga në flagrancë, këta tre persona me ndërmjetësimin e Çelës, shoferi i gjykatës së Apelit Petoshati, i kishte marrë Gjolek Xhaferrit paratë për të ndërhyrë në trupën gjyqësore që të jepte një vendim në favor të vëllait të tij. Çështja gjyqësore për të cilën u paguan paratë mësohet se i përket vitit 1997 ku të afërmit e Xhaferrit akuzohen për plagosje dhe grabitje me armë. Të njëjtat burime sqaruan se treshja e gjykatësve që kishte në gjykim këtë çështje janë relatori Vasil hanxhari dhe dy anëtarët Gjinovefa Gaba dhe Skënder Damini. Seanca për këta tre personat e arrestuar është zhvilluar pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, ndërsa është mësuar se masën e “arrestit në shtëpi” për Gjolek Xhaferrin gjykata e ka dhënë pasi ka marrë parasysh dhe kushtet familjare të tij ku ka në ngarkim dy prindër të paralizuar. Arrestimi i Petoshatit dhe Xhaferrit u bë më 12 qershor në flagrancë në qytetin e Vlorës ndërsa një ditë pas tyre u kap dhe Çela i cili kish luajtur rolin e ndërmjetësit.





