“Atë karakatinë do ta shembim”/ Edicioni special i ERTV! Piktori Rama, do të ofrojë falas skultpurë për Parisin

EDICIONI SPECIAL I ERTV, E MARTE 12 PRILL 2019 –

Nga Kastriot Çipi
(I PËRDITËSUAR NË ORËN 12.05)

Qeveria franceze ka siguruar se Katedralja Notre Dame do të rilindë shumë shpejt. Ajo do të rindërtohet si pjesë e një projekti polifunksional, që do të synojë modernizimin, rijetëzimin dhe rikualifikimin urban të zonës.

Presidenti Macron tha se pas 20 vjetësh përpjekjesh të dështuara për restaurimin e kësaj karakatine, ka ardhur koha që francezët t’i thërrasin trurit dhe të pranojnë mendimin e specialistëve. Ai ka cituar inxhinierin konstruktor Agron Hysenlliu, drejtor i Institutit shqiptar të Ndërtimit, që i kishte konsideruar kolonat e saj “kolonçina që nuk bëjnë as për të mbajtur hardhi”, apo kritikë të tjerë, që kishin paralajmëruar se muret e saj kishin materiale kancerogjene. Ai kujtoi gjithashtu shënimin, në librin e vizitorëve të Katedrales, të turistit shqiptar Shkëlqim Goxhaj, drejtor i PMNZSH Tiranë, i cili kishte paralajmëruar për rrezikun e zjarrit të këtij objekti të ndërtuar me dru dhe pa shkallë emergjence prej hekuri.

“Atë karakatinë do ta shembim”, ka thënë Macron në mbledhjen urgjente të qeverisë, menjëherë pas zjarrit. Dhe nuk do të presim 20 vjet të tjerë, por do ta ndërtojmë brenda 20 muajve.

Sipas idesë së Presidentit Macron, projekti i ri do të ketë katër kate parking nëntokësor, katër kate qendër tregtare dhe argëtimi, përfshi kinema, diskotekë, palestër dhe sallë lojrash. Kubeja e re do të jetë një strukturë çeliku dhe krejtësisht transparente, ndërsa kullat e këmbanores do të kthehen në hotel me shtatë yje, me 90-110 kate, si pasojë e fluksit të lartë të turistëve dhe mungesës së kapaciteteve të mjaftueshme të hotelerisë.

Projekti arkitektonik është realizuar tashmë, natyrisht falas, nga Alban Eftimi dhe studioja e tij Atelier 4 dhe ka marrë menjëherë miratimin e specialistëve të trashëgimisë kulturore, të njohur në mbarë botën si Trinia e Shenjtë, ose 3A (Arta Dollani, Artan Lame e Artan Shkreli).

Kompleksi i ri urban do të pagëzohet WTF (Vini re: WTF në këtë rast nuk do të thotë What The Fuck, por World Trade Fair).

Projekti do të kushtojë midis 200 dhe 600 milion eurove, por taksapaguesit francezë nuk do të paguajnë asnjë cent nga taksat e tyre, pasi qeveria ka pranuar propozimin e pakërkuar nga kompania e specializuar në ndërtime urbane, Fusha shpk.

Pritet që jelekverdhët t’i japin fund protestave të tyre dhe, me jelekë veshur, të ofrohen të gjithë për të punuar vullnetarisht për kompaninë Fusha shpk.

Për harmonizimin e përgjithshëm estetik është përzgjedhur artisti Anri Sala.

Afresket do të pikturohen nga Eljan Tanini, por ndryshe nga versioni arkaik i katedrales, ato nuk do të jenë piktura murale në interier, por aplikime në xham, që do të soditen si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.

Xhamat e dritareve do të zëvendësohen me kolazhe vizatimesh në fleta A4 nga piktori Edi Rama, i cili do të ofrojë falas edhe një skulpturë të tij me baltë, të Krishtit në Kryq.

Pikërisht vepra në baltë e Krishtit mbi Kryq pritet të jetë atraksioni më i madh i Parisit në 81 vitet e ardhshme të shekullit XXI, pasi për herë të parë në historinë e krishterimit, nuk do të shohim imazhin klasik të Krishtit me mjekër dhe trup kockë e lëkurë, por një figurë me identitet seksual të përzier.

Skulptura do të quhet zyrtarisht “Christamaria Screwcified”. Modeli i mjekrës do të jetë ai i autorit, Edi Rama, ndërsa modeli i gjinjve do të jenë gjinjtë e shkrimtares së famshme Ornela Vorpsi.
Mbi zonën gjenitale do të ketë një leckë, të cilën shikuesit kureshtarë mund ta lëvizin paksa, për të zbuluar seksin e Krishtit… por, do të përballen me një befasi të jashtëzakonshme: një model 3D me lazer, do të ofrojë një pamje të ndryshueshme të gjenitaleve të mashkullit, atyre të femrës, si edhe një shartimi mes të dyjave.

Për të mos u humbur do të jetë edhe Ballkoni Binjak i Parisit, me fjalë të tjera, dy taracat e kullave të hotelit, nga ku do të mund të shihet i gjithë Parisi, përmes një pylli të realizuar me pemë nga e gjithë bota, në shenjë solidariteti botëror me Francën, i konceptuar nga piktori tjetër shqiptar, Blendi Gonxhe.

Pyllin e “Ballkoneve të Parisit” do ta mbjellin vullnetarisht të gjithë anëtarët e Senatit Akademik të Universitetit Bujqësor të Kamzës.

Procedurat e prokurimit të drejtpërdrejtë dhe lidhjes së kontratave do të kryhen mbi bazën e një ligji special që do të miratohet brenda 24 orëve të ardhshme nga Parlamenti dhe do të autorizojnë për zbatimin e tyre kryebashkiakun më të mirë në botë, Erion Veliaj.

Përurimi i kompleksit të ri do të bëhet me katër duar dhe dy palë gërshërë: nga Presidenti Macron dhe shkrimtari i famshëm shqiptaro-francez, Ismail Kadare.

Përurimi i kompleksit të ri do të transmetohet ekskluzivisht nga ERTV, meqë Presidenti Macron nuk ka një TV të vetin. Me këtë rast, ERTV njofton se atë ditë logoja e saj do të jetë me shkronja të bardha, në sfond kuq e blu, në respekt të ngjyrave të flamurit francez. Si kundërpërgjigje, Presidenti Macron është zotuar se do të veshë frak dhe sandale murgeshash. Në xhepin e frakut, në vend të shamisë, ai do të ketë tri lapsa. Dy lapsat anash do të jenë të kuq, ndërsa i mesit i zi, në shenjë respekti për flamurin shqiptar. Nën frak, Presidenti Macron do të ketë një bluzë të bardhë me mbishkrimin “Je suis Edi! Merci Edi!”.

Në ceremoninë e përurimit do të ftohen të marrin pjesë të gjithë artistët shqiptarë pro shembjes së Teatrit Kombëtar. Në emër të tyre, u shpreh për ERTV aktori me famë botërore Laert Vasili, njëkohësisht besimtar i devotshëm, i cili tha se nuk mund ta besonte se si francezët mbanin ende në këmbë një katedrale me vetëm dy banja dhe ku mungonte uji i ngrohtë.

ERTV njofton se nga nesër, do të ndalohet qarkullimi i këmbësorëve në Sheshin Skënderbej dhe i makinave në të gjitha rrugët rreth tij, për arsye se do të fillojë ndërtimi i maketit të projektit, i cili brenda 20 ditëve do të jetë i hapur për vizitorët.

I gjithë perimetri i Sheshit Skënderbej do të rrethohet me tela me gjemba dhe pengesa metalike dhe do të ruhet 24×7 nga komando të ushtrisë dhe reparti RENEA. Pala franceze ka kërkuar që komanda e këtyre trupave t’i besohet Kalorëses së Legjionit të Nderit, Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes.

Ditën e përurimit të maketit, Sheshi Skënderbej do të bombardohet me gaz lotsjellës nga snaiperët e Llesh Kimikut të vendosur të gjitha taracat e ndërtesave publike përqark. Analisti i pavarur Mero Baze ka zbuluar se kjo bëhet me qëllim që vizitorët e parë, shumica e të cilëve pritet të jenë muslimanë dhe ateistë shqiptarë, të jenë të përlotur, kur të fillojë transmetimi live në ERTV për të gjithë botën.

Për t’ia lehtësuar vizitën turistëve francezë, qeveria shqiptarë do të ofrojë fluturime charter gratis në intinerarin Paris-Kukës-Paris dhe udhëtime shuttle falas Kukës-Tiranë-Kukës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kompanisë Kastrati, e cila ofroi ta paguajë vetë taksën e rrugës për të gjithë autobusët shuttle.

Me gjithë kontributin jashtëzakonisht bujar të Shqipërisë në këtë projekt, ambasada franceze në Tiranë shpreh keqardhjen që pikërisht nga Shqipëria ka ardhur edhe kritika e vetme në botë ndaj këtij projekti. Bëhet fjalë për një grafikë nga artisti nihilist, filo trumpist dhe i dyshuar si agjent putinist, Avni Delvina.

Me këtë rast, ambasada franceze në Tiranë përshëndet peticionin e organizatave të rrjetit Soros, drejtuar Presidentit Meta, për heqjen e nënshtetësisë shqiptare, artistit shqiptar me banim në Itali dhe i bën thirrje shoqërisë civile të ndërmarrë të njëjtën nismë edhe kundër brexitistit Genc Sejko, i provuar tashmë si antieuropian dhe bashkëpunëtor i Farage.

Shënim: Ky lajm do të përditësohet në kohë reale, duke pasqyruar zhvillimet më të fundit.

Share it :