Rriten pensionet aktuale dhe pensionet pas 1 janarit 2015
Leje lindjeje do të marrin edhe burrat
Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar për herë të dytë ndryshimet në projektligjin për sigurimet shoqërore. Të pranishëm përballë deputetëve ishin ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, drejtorja e ISSH-së, Vjollca Braho, dhe ekspertët që kanë hartuar reformën. “Do parashikojmë rritje të pensioneve për të gjithë ata që janë në skemën aktuale. Ne nuk prekim për poshtë, por prekim për lart. Pra, të rritim pensionet aktuale, kurse për pensionet e reja është e qartë që do marrë më shumë. Reforma hyn në fuqi në 1 janar 2015. Formula e vjetër ishte llogari për të kapur fundin, formula e re është llogaritur të kapi majën. Ne kemi një sistem unitar të llogaritjes së pensioneve. Në 2013 kishim 430 mln dollarë të subvencionuara nga shteti. Kishim rritje të deficitit. Kemi shteruar maksimumin që shteti mund ta subvencionojë këtë skemë. Të ardhurat e kontributeve është sa gjysma e shpenzimeve pjesa tjetër është subvencion”, – u shpreh Veliaj përpara deputetëve. “Në vitin 2015, në qoftë se do të vazhdonte skema e vjetër, deficiti i skemës së pensioneve do të ishte 26 miliardë e 639 milionë, ndërsa me skemën e re ky deficit do të ulet në 5 miliardë e 304 milionë, pra deficiti për vitin 2015 do të jetë 21 miliardë e 335 milionë”, – shprehet Vjollca Braho, drejtore e ISSH-së. Për sa i përket uljes së moshës së pensionit për minatorët, ministri i Mirëqenies Sociale bëri me dije se vendimi do të hyjë në fuqi në 1 janar 2015. “Për moshën e minatorëve kemi marrë vetëm një vendim politik në Këshillin Kombëtar të Punës. Ne do kemi ligjin e veçantë për profesionet e veçanta. Propozimi që ne kemi miratua është 55 vjeç për të hyrë në fuqi në një janar 2015. E gjithë paketa fillon me ligjin bazë”, – u shpreh Veliaj.
Barrëlindja
Lidhur me pagesën e barrëlindjes ministri i Mirëqenies Sociale u shpreh se pagesa do të jetë më e vogël se paga reale. “Është më e vogël se paga reale, sepse duam të nxisim kthimin në punë. Nuk mund të inkurajojmë formula që lejojnë hapësira për abuzime. Kjo është e njëjta formulë që përdoret në 28 vendet e BE-së. Për herë të parë kemi leje lindje për burrat. Nëse gruaja është në karrierë, përfitimet nuk humbasin, pasi do paguhet, burri të rrijë në shtëpi për të rritur fëmijën. Ky është më tepër një element social dhe emancipues sesa element kursimi. Ne i paguajmë edhe sigurimet duke ndenjur në shtëpi”, – theksoi Veliaj. Për deputeten e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, ky ndryshim nuk duhet bërë, pasi pagesa që do të jepet për gratë është shumë e ulët dhe se në vendet e BE-së, paguhet 100% e pagës.
FMN
Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehen se ka edhe një variant tjetër më pesimist për skemën e re të pensioneve. Ekspertët e FMN-së, që kanë studiuar skemën e propozuar nga qeveria, thonë se nëse numri i kontribuuesve nuk do të rritet, skema e re do të gjenerojë shumë pak kursime dhe do të mbetet me deficit të lartë, përkatësisht 1.6 për qind e prodhimit kombëtar për 10 vitet e ardhshme. Sipas FMN-së, edhe ky përmirësim do të vijë kryesisht nga rritja e kufirit të pagave, mbi të cilat do të llogariten kontributet. Sërish, në të dy rastet, ekspertët e FMN-së e mirëpresin reformimin e skemës. Sipas tyre, nëse nuk do të ndërhyhej, me tendencën e dhjetë viteve të fundit shumë shpejt sistemi i pensioneve do të kërcënonte buxhetin dhe qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Distributorët dhe farmacistët kundër draftit për barnat
Distributorët kanë kërkuar edhe një herë rishikimin e projektligjit për barnat. Gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin e Shëndetësisë ata janë shprehur se ky projektligj ka shumë probleme. Sipas distributorëve, projektligji nuk garanton elementet e sigurisë dhe ka vetëm një nen për sigurinë e barnave. Ndërsa Shoqata e Farmacistëve bën me dije se me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, janë takuar vetëm një herë. “Me ministrin e Shëndetësisë jemi takuar vetëm një herë dhe 90 për qind e propozimeve tona nuk janë marrë parasysh”, – është shprehur përfaqësuesi i Shoqatës së Farmacistëve, Roland Xhafaj. Ai i cilësoi kërkesat e tyre në përputhje me direktivat evropiane. “Projektligji nuk tregon afatet për regjistrimin e barnave që mund të shkojnë edhe 3 vjet. Në emër të nevojave madhore rrezikohet që në Shqipëri të hyjnë barna të paregjistruara, të falsifikuara. Kërkojmë që çmimi i referencës së barnave të importit, të jetë mesatarja e 5 shteteve të rajonit dhe të realizohet automatikisht me sistem kompjuterik”, – ishin disa prej vërejtjeve që bënë shpërndarësit e barnave. Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Farmacistëve, ministri i Shëndetësisë ka zhvilluar vetëm një takim me ta, ku nuk janë marrë parasysh shumica e shqetësimeve të shfaqura. “90% e propozimeve tona nuk janë marrë parasysh, drafti është i përgjithshëm dhe sipërfaqësor, nuk i përmbahet kritereve objektive, atyre jo diskriminuese dhe nuk përmban as detyrat e autoriteteve”, – u shprehën farmacistët. Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, u shpreh se Ministria duhet të ishte konsultuar me grupet e interesit gjatë hartimit të projektligjit. “Me ligj Ministria duhet të konsultohej me ne gjatë hartimit të projektligjit të barnave. Nuk jemi thirrur fare në tryezat e organizuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa ligji e kërkon të ishim pjesë e grupeve të punës”, – thaTamo.




