Ervin Kaduku
– INSTAT: Vizitorët e huaj që hyjnë në Shqipëri për qëllime biznesi, përbëjnë vetëm 1.8% të vizitorëve në total gjatë tre muajve të parë të vitit 2014!
Në tremujorin e parë 2014, sipas Institutit të Statistikave, janë miratuar gjithsej 58 leje ndërtimi, sipërfaqja e të cilave në total është 189.473 metra katror. Lejet e miratuara për ndërtesa rezidente zënë 82,8% të numrit gjithsej të lejeve dhe ato për ndërtesat jo rezidente 17,2%. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit të miratuara u ul me 64,1% kundrejt tremujorit të katërt 2013.
INSTAT ka publikuar dje të dhëna statistikore lidhur me zhvillimet në ekonomi gjatë tremujorit të parë të vitit. Në këtë tremujor, ndërtesat zënë pjesën më të konsiderueshme të kësaj vlere me 97,8%. Vlerën më të lartë të lejeve të ndërtimit për ndërtesa të miratuara sipas klientëve, e zënë klientët privatë me 99,8%, gjithashtu edhe për sa i përket vlerës së lejeve të miratuara për punime inxhinierike sipas klientëve, klientët private zënë 62,2% të kësaj vlere.
Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarqet e Tiranës me 41,4%, Vlorës me 25,9% dhe Shkodrës me 19,0%.
Kështu, del se, pas një lulëzimi në tremujorin e fundit të vitit të kaluar të lejeve të ndërtimit në disa qytete kryesore të vendit, tremujori i parë i 2014-ës ka parë një tjetër frenim. Në kryeqytet janë dhënë në tremujorin e parë të vitit 24 lejë ndërtimi, nga 79 në tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, situata duket se është zhbllokuar disi. Për gjashtë muaj (tetor 2013-mars 2014) janë dhënë gjithsej 103 leje në kryeqytet, nga 8 që u dhanë për 9 muajt e mëparshëm (janar-tetor 2013). Jo vetëm Tirana, por edhe qytetet të tjera kanë përjetuar një tkurrje të lejeve për të ndërtuar në tre muajt e parë të vitit. Frenimi më i madh është konstatuar në Durrës, ku u akordua vetëm 1 leje, nga 77 në tremujorin e mëparshëm.
Papunësia
Numri mesatar i personave të regjistruar si punëkërkues të papunë gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 është 143.507. Qarqet e Tiranës, Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit kanë numrin më të madh të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Në raport me popullsinë qarku i Kukësit ka përqindjen më të lartë të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Pagesë papunësie përfituan 4,9% e punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Në qarkun e Tiranës përfituesit e pagesës së papunësisë përbëjnë 9,9% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar të këtij qarku. Në qarkun e Kukësit kjo kategori përbën 6,9% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar.
Shkalla e papunësisë së regjistruar për tremujorin e parë 2014 është 14%.
Ndihma ekonomike
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 87.124 familje nga të cilat 57.901 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 29.223 me ndihmë ekonomike të plotë. Qarqet Shkodër, Dibër, dhe Elbasan kanë numrin më të madh mesatar të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Për sa i përket madhësisë së familjes, si në bashki ashtu edhe në komuna, familjet me nga katër pjesëtarë përbëjnë pjesën më të madhe të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Transporti
Transporti hekurudhor i mallrave në volum/km është ulur 27,4,% në tremujorin e parë 2014 krahasuar me tremujorin e parë 2013, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 7,2% për qind. Transporti ndërkombëtar hekurudhor i mallrave në volum/km është rritur 32,7% për qind ndaj të njëjtit tremujor të një viti më parë, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt 2013 është rritur 1,5%. Numri i pasagjerëve për km që kanë udhëtuar me linjat hekurudhore në tremujorin e parë 2014 krahasuar me tremujorin e parë 2013 është ulur nga 2.570 në 1.347 pasagjerë/km, respektivisht 47,6%. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky numër është ulur 3,6%. Volumi i ngarkim shkarkimit të mallrave në porte është ulur 8,6% krahasuar me tremujorin e parë 2013, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur 7,9%.
Në transportin ajror operojnë 16 shoqëri fluturimi, ku të gjitha janë kompani të huaja. Në tremujorin e parë 2014 janë kryer 4.263 fluturime nga kompani të huaja. Numri i mbikalimeve të fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare gjatë këtij tremujori është 28.009.
Aksidentet
Numri i aksidenteve është rritur 10,2% në tremujorin e parë 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, shoqëruar kjo me rritjen e numrit të personave të aksidentuar me 14,1%. Ndërkohë, nga numri i të aksidentuarve gjithsej është ulur numri i personave të vdekur me 5,3% dhe është rritur numri i personave të plagosur me 16,2% përgjatë të njëjtës periudhë.
Posta dhe Telekomunikacioni
Shërbimi postar është rritur 4,8% në tremujorin e parë 2014 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, ku vihet re një ulje e shërbimit postar me letra të porositura 8,7% dhe rritje në shërbimin postar me letra të thjeshta 11,5%.
Numri i pajtimtarëve telefonikë të telefonisë fikse në fund të muajit mars 2014 arriti 205.294 pajtimtarë, ku mbizotërojnë pajtimtarët familjarë: 190.104. Numri pajtimtarëve është ulur 5,6% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, u eksportuan 59 mld lekë mallra ose 11,6% më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar dhe 8,1% më pak se tremujori i mëparshëm. U importuan 117 mld lekë mallra ose 10,2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 22,6% më pak se tremujori i mëparshëm. Përqindja e mbulimit të eksporteve nga importet është 51%. Gjatë këtij tremujori 36,3% të eksporteve dhe 12,3% të importeve i zuri grupi “Tekstile dhe këpucë”. Grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” përfaqëson 17,8% të importeve, duke u ulur 38,6% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Partnerët kryesorë tregtarë vazhduan të jenë Italia dhe Greqia, me të cilat është kryer respektivisht 29,3% dhe 9,1% e importeve dhe 59,6% e 3,7% e eksporteve. Me vendet e Bashkimit Evropian është kryer 83,6% e eksporteve dhe 59% e importeve.
Kufiri
Hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri në tremujorin e parë 2014 janë rritur 26,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë për të njëjtën periudhë janë rritur 11,2%. Numri i vizitorëve të huaj që kanë hyrë për pushime dhe vizita ditore në këtë tremujor rezulton 54.329, ndërsa në të njëjtin tremujor të një viti më parë ky numër është 31.020 vizitorë. Në tremujorin e parë 2014, hyrjet e vizitorëve të huaj sipas mënyrës së udhëtimit në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe me 84,7%, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore dhe detare zënë respektivisht 12,1 dhe 3,2%. Vizitorët e huaj që hyjnë në Shqipëri për qëllime personale në tremujorin e parë 2014 përbëjnë 98,2%. Këtu përfshihen vizitat për pushime, vizita te të afërm dhe miq, vizita shëndetësore, fetare etj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013, numri i vizitorëve për qëllime personale është rritur 26,9 për%. Vizitorët për qëllime biznesi përbëjnë vetëm 1,8%.




