“Tre luanët” as kësaj radhe nuk kanë arritur të ndryshojnë gjërat dhe janë larguar vetëm me një pikë nga kompeticioni i Brazil 2014
Një ndeshje tjetër për tëu harruar për anglezët. Një fund zhgënjyes ky për skuadrën e Hoxhsonit që e shikon veten tashmë në një gjendje të vështirë. Anglezët kanë vite që nuk po arrijnë që të triumfojnë në asnjë kompeticion ndërkombëtar. Një ngërç në një kombëtare të madhe, që merr gjithmonë kritika, por prapë humbet. Edhe në këtë komepticion ata u nisën si një ndër ekipet favorite, por që nuk arritën të kalonin as grupin. Në fakt,iu bashkuan Spanjës dheItalisë, por që ky nuk është një justifikim për Runin me shokë, që ndryshe nga dy skuadrat e para, kanë dekada që nuk e kanëçuar kupën në tokën e tyre. Përfaqësuesja e “tre luanëve” nuk arrititë shënonte asnjë gol ndaj amerikanoqendrorëve, të cilëve pika e fituar u shërbeu vetëm për statistikë. Një turne që la të zhgënjyer mbi të gjithë tifozët anglezë, që shpenzuan mijëra stërlina për udhëtimin dhe akomodimin në këtë Kupë Bote, pa u shpërblyer me kënaqësinë më të vogël që duhej t’u dhuronin idhujt e tyre.Anglia e nisi sfidën me ndryshime të shumta në formacion, duke lënë në stol madje edhe Uejn Runin e Stiven Xherardin, ndërsa në portë titullar u aktivizua Foster në vend të Hartit. Ndeshja nisi e ekuilibruar me Kempbëllin që dha shkëndijën e parë në portën e Anglisë, por topi i devijuar nga Kahill përfundoi pranë shtyllës së majtë. Në të 12-ën pas një kombinimi të bukur mes Uilshir dhe Starrixh lojtari i Liverpulit nuk e gjeti kuadratin, për të ardhur më pas në momentin më emocionues të takimit, kur një ekzekutim i Borgesit nëminutën e 23 ndalet nga trau i portës së Fostet.Në të 35 Daniel Starrixh ka një tjetër mundësi për të zhbllokuar rezultatin, por sërish shënjestra e tij nuk është e saktë. Edhe pjesa e dytë ishte e hapur, me aksione të shumta nga të dy krahët, por mungon cilësia në përmbylljen e aksioneve. Momenti i fundit i rrezikshëm në këtë sfidë u shënua në minutën e 65, me Starrixh që duhej të tregohej më altruist për t’i dhënë mundësinë e një goli të thjeshtë të riut Sterlingut, që ashtu si edhe Xherard e Runi u hodhën në fushë në pjesën e dytë nga Hoxhson.Kështu sfida e luajtur në Belo Horizonte u mbyll me rezultatin 0-0. Një 1-pikësh i pavlerë për anglezët. Ndërsa Kosta Rikën e mbajti të parën në kuotën e shtatë pikëve. Kështu ekipi latin qëu nis si më pak favoritja e grupit, do të vazhdojëaventurën e saj. Një ekip që pritet të rezervojë surpriza edhe në të ardhmen. Ky grup ishte edhe mësimi më i mirë se tashmë nëBotëror nuk ka skuadra favorite dhe skuadra të dobëta, pasi gjithçka mund të pritet.
Henri: Francezët kanë kualitet
Në analizën e bërë nga Rio de Zhaneiro për Botërorin që po zhvillohet tashmë, 36-vjeçari që vazhdon ende të luajë për Red Bulls, analizoi se si po shkon kombëtarja e vendit të tij. Sa i përket Botërorit të tanishëm, dhe veçanërisht kombëtares së drejtuar nga Didier Deshamp, ai shprehet se ka një këshillë të rëndësishme për t’u dhënë lojtarëve.“Ta shijojnë sa më shumë dhe të arrijnë sa më gjatë, për të kuptuar se eksperienca fitohet nga e luajtura në të tilla turne”. Sipas tij, kjo gjeneratë ka kualitetet për të bërë shumë mirë, madje, pse jo, edhe për të ngritur trofe.”Kur luan në një Kupë Bote, kurrë nuk e di me siguri nëse do të të jepet më shansi për të luajtur sërish. E kam pasur këtë mundësi 4 herë, mund të duket e çuditshme, por gjithnjë e kam konsideruar atë të radhës sikur të ishte i fundit”, – shprehet Henri. Përgjatë këtyre aventurave, një nga sulmuesit më të mirë të Francës ka qenë edhe pjesë e brezittë artë, që shijoi triumfin në Evropianin e vitit 2000. Ai shënoi 51 gola në 123 takime me “Les Bleus”, duke u futur në histori i golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për vendin e tij, si dhe lojtari i dytë me më shumë ndeshje të zhvilluara me kombëtaren.
Spanja rikthehet në tokën e saj
Spanja është kthyer dje nga Brazili pas eliminimit që në fazën e grupeve. Të trishtuar dhe dukshëm të hidhëruar djemtë e Del Boskes u ulën në Spanjë ku ndryshe nga 4 vjet më parë, entuziazmi natyrshëm është shumë herë më i vogël. As fitorja në ndeshjen e fundit në grup nuk e ka ngritur humorin në skuadrën spanjolle që shkeli në vendlindje pas një rruge të gjatë të nisur nga Kuritiba me destinacion Madridin.Sikur të mos mjaftonte fati i keq, një rrufe që goditi pjesën e djathtë të avionit gjatë uljes, shkaktoi panik në bordin e fluturimit. Momente të vështira, të cilat trazohen me dhimbjen që shkakton eliminimi i papritur. Një grup që për herë të parë nxori në pah limitet dhe që për herë të parë fillon të ndahet pas shumë sukseseve ndërkombëtare. David Vija i dha lamtumirën fanellës “La Roja” me të cilën ka kujtimet më të bukura të karrierës së tij, ndërsa Pike, Diego Kosta e Fabregas preferuan të qëndrojnë në Brazil për të vazhduar pushimet.Gjithsesi, heronjtë e vitit 2010 nuk u përballën me protesta në aeroport, madje rreth 250 tifozë kishin dalë për t’i pritur me banderola inkurajuese dhe mbështetëse sepse në fund të fundit ata janë kampionët e Botës, deri në datën 13 Korrik kur do të luhet edhe finalja e madhe në Rio de Zhanejro.Lojtarët nuk preferuan të përballeshin me të pranishmit në aeroportin e Madridit. Një cikël duket drejt fundit, ndoshta një Spanjë e re do të kërkojë revanshin pas dy vitesh në Francë.
Shaqiri: Nuk mund të fitoj i vetëm
Xherdan Shaqiri ka reaguar përsëri ndaj mediave,që e konsiderojnë atë fajtorin kryesor pas humbjes së thellë nga Franca. Zvicra ka një fitore dhe një humbje nga dy ndeshjet e para grupore, ndërsa mesfushoribavarez është ndër lojtarët kryesorë që mund të kualifikojnë skuadrën. Mirëpo, atij nuk i pëlqejnë kritikat e mëdha që po i bëhen nga mediat pas asaj humbjeje nga gjelat. “Unë jam i kënaqur me paraqitjen time. Mirëpo, nuk duhet pritur që unë t’i vendos i vetëm ndeshjet. Skuadra ka nevojë për mua, ndërsa edhe mua më duhet skuadra. Nuk më intereson se çfarë po thuhet për mua. Nuk varet gjithçka nga unë. Kjo më pengon. Nuk mund të dribloj nga mbrojtja deri në sulm. Ne jemi Zvicra, jo Spanja, jo Brazili. Zvicra duhet të jetë e suksesshme si skuadër”, – ka deklaruar 22-vjeçari. Zvicrës i duhet fitore ndaj Hondurasit dhe të shpresojë që Franca nuk e lejon Ekuadorin që ta mposhtë.




