Reagon Rama/ Lazaratin e kthyem në fshat normal, thirrje kryeprokurorit të bëjë detyrën

Florenc Drizari

edi-rama1 “Thirrje të fortë dhe të qartë për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës që të angazhojë veten e tij dhe gjithë forcat e shëndetshme rreth tij për t’i shkuar deri në fund fazës së dytë të këtij operacioni, që është zbardhja dhe ndëshkimi për çdo provë të zbardhur i të gjithë kësaj veprimtarie shumëvjeçare kriminale”

 Kryeministri Edi Rama vlerësoi aksionin e Policisë së Shtetit për ndërhyrjen në Lazarat, duke falënderuar ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë, por edhe qytetarët e Lazaratit për bashkëpunimin me forcat e rendit. Në një konferencë të mbajtur për këtë çështje në mjediset e Kryeministrisë, Rama i bëri thirrje sistemit të drejtësisë që të vazhdojë me fazën e dytë, atë të dënimit dhe të sekuestrimit të çdo pasurie të vënë me paratë e drogës. Më konkretisht, Rama iu drejtua kryeprokurorit Adriatik Llalla për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke çuar para drejtësisë të gjithë ata që janë pasuruar nën paratë e drogës.

 

Për Lazaratin

“Unë dua të ndalem këtu, duke e mbyllur aty ku është edhe tema e këtij komunikimi, me një thirrje të fortë dhe të qartë për prokurorin e Përgjithshëm të Republikës që të angazhojë veten e tij dhe gjithë forcat e shëndetshme rreth tij për t’i shkuar deri në fund fazës së dytë të këtij operacioni, që është zbardhja dhe ndëshkimi për çdo provë të zbardhur i të gjithë kësaj veprimtarie shumëvjeçare kriminale, deri në sekuestrimin e qindarkës së fundit të të gjithë pasurive dhe parave të zeza, që janë akumuluar në kurriz të njerëzve të thjeshtë, të kthyer në skllevër dhe në kurriz të një Shqipërie të tërë, nga këta kriminelë që duhet të marrin atë që meritojnë”, – deklaroi Kryeministri Rama.

Pas disa zërave në media se një grup deputetësh nga LSI-ja do të firmosnin një peticion për t’i kërkuar Kryeministrit Rama dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, vetë kreu i qeverisë reagoi duke vlerësuar maksimalisht punën e Saimir Tahirit, si dhe të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

“Dua të shpreh këtu bindjen time të rikonfirmuar se sot ky vend ka një ministër të Brendshëm që prej kohësh i ka munguar dhe pa as më të voglin dyshim po udhëheq një transformim rrënjësor në Policinë e Shtetit dhe në marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit dhe ligjit, mes Policisë së Shtetit dhe publikut, mes Policisë së Shtetit dhe vetë misionit të çdo polici të shtetit.

Mirënjohje, falënderim dhe vlerësim superlativ sot për ministrin e Brendshëm. Dhe po njësoj për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe për të gjithë drejtuesit e lartë të policisë, që u përfshinë në vetë të parë, pa kursim dhe pa asnjë lëkundje në këtë operacion, që për shumëkënd ishte i pamundur dhe të cilin, shumëkush tjetër e konsideronte test. Përgëzime dhe mirënjohje gjithë trupave të Policisë së Shtetit që u angazhuan në operacionin më të rëndësishëm, më të rrezikshëm dhe më masiv policor të kryer në tërë këto vite, nga uniformat blu”, – deklaroi Rama. Qëndrimi i Kryeministrit vjen një ditë pasi opozita akuzoi ashpër krerët e qeverisë për përdorim politik të aksionit policor në Lazarat. Gjatë seancës së të enjtes, deputetët e opozitës theksuan se kriminelet që ndodheshin në Lazarat u larguan me paralajmërim të qeverisë dhe se aksioni policor u përdor nga qeveria për të terrorizuar banorët. Në tërësi opozita mbështeti aksionin e policisë për të vënën kontrollin në çdo cep të Republikës së Shqipërisë, përfshirë këtu edhe luntën kundër narkotrafikut, por kritikoi qëndrimet e fundit të krerëve të mazhorancës.

 

Përjashtimi i Berishës me 10 ditë nga Kuvendi/ Meta: Kam dobësi për Berishën, por i qëndroj vendimit

 Një ditë pas vendimit të Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha, aktualisht deputet i PD-së, për 10 ditë nga veprimtaritë parlamentare, ka reaguar edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Pas takimit që Kryeparlamentari Meta pati me një delegacionin parlamentar nga Kuvajti, të kryesuar nga Saud Nashmi Al-Huraije, iu përgjigj interesimit të medias se vendimi për përjashtimin e Berishës nga Kuvendi ishte marrë nën presionin politik të Kryeministrit Rama apo ishte një vendim i tiji. Në fjalën e tij Meta përjashtoi variantet, duke thënë se nuk tërhiqet nga vendimi i Byrosë së Kuvendit, paçka se vazhdon të ketë dobësi për ish-kryeministrin Berisha.

“Ju e dini që unë kam një dobësi ndaj z. Berisha dhe e kam të vështirë ta humbas këtë dobësi edhe pas vendimit të djeshëm dhe ai gjithmonë do të jetë i mirëpritur për të shprehur idetë dhe pikëpamjet e tij në Kuvend. Por natyrisht që është detyra e të gjithë ne deputetëve, duke filluar nga unë si Kryetar i Kuvendit, që gjithmonë të ruajmë etikën në raport me njëri-tjetrin dhe me opinionin publik”, – deklaroi Kryeparlamentari Meta.

Ky qëndrim erdhi pas vendimit të djeshëm të Byrosë së Kuvendit, ku pas replikave të shkëmbyera mes ish-kryeministrit Berisha dhe ministrit për Rininë dhe Mirëqenien Sociale, Erion Veliaj, seanca u ndërpre dhe krerët e grupeve parlamentare, i PS-së dhe LSI-së morën vendimin për përjashtimin e Berishës me 10 ditë nga aktivitetet e Kuvendit, përfshirë seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Vendimi i së enjtes u kundërshtua nga përfaqësuesit e PD-së në Byronë e Kuvendit, deputeti Mima dhe Shehu, ndërsa grupi parlamentar demokrat vendosi të bojkotojë Kuvendin për një periudhë kohe ende të papërcaktuar.

 

PD: Maska hipokrite i shkon Ilir Metës, jo Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë

Pas deklaratës së Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta se i qëndron vendimit të Byrosë për përjashtimin me 10 ditë të ish-kryeministrit Sali Berisha nga veprimtaritë parlamentare, por se paçka këtij vendimi, ai vazhdon të ruaj dobësi për figurën e tij, ka reaguar edhe Partia Demokratike, duke e quajtur këtë një  qëndrim hipokrit. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, tha se Ilir Meta vuri maskën e tij të hipokritit, duke u tallur me një çështje shumë të mprehtë të parlamentarizmit në vend, siç është përjashtimi i Sali Berishës. “Ilir Meta është në pozicionin që duhet të reflektojë thellë për përgjegjësitë e tij në këto kohë kur Kuvendi dhe salla e seancave plenare, janë ndotur më shumë se asnjëherë nga Kryeministri i vendit. Nuk është një drekë njalash që mund të bësh gallatë, por është përgjegjësi direkte e Ilir Metës, përjashtimi i denoncuesit, i lajmësit.  Eshtë përgjegjësi direkte e Ilir Metës rrahja e shpatullave të deputetëve dhunues, dhe ndëshkimi i deputetit të dhunuar. Në parlamentin që drejtohet nga Ilir Meta, Kryeministri i vendit ka kërcënuar publikisht opozitën. Në parlamentin që drejtohet nga Ilir Meta, Edi Rama ka përdorur fjalë që skuqin dhe horrat më të paturpshëm. Në parlamentin e Ilir Metës, Kryeministri vizaton nga pas zonjat deputete. Dhe çfarë bën Ilir Meta, qesh dhe lëshon batuta. Kjo hipokrizi, është një maskë që mund ti shkojë Ilir Metës, por jo Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, duke e bërë këtë institucion qesharak dhe të papërgjegjshëm”,-mbylli deklaratën kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka.

 

Rama në Twitter: Qeveria mbledhje informale me Tony Blair

Kryeministri Edi Rama me anë të një njoftimi në rrjetin social, Twitter, njoftoi se kabineti qeverisës zhvilloi një mbledhje informale me ish- kryeministri britanik, Tony Blair. Vizita e Bler në Tiranë është e dyta që pas tetorit të 2013, kur qeveria e re sapo kishte marrë detyrën.Sipas Ramës, në mbledhje u diskutuan problemet dhe objektivat e qeverisë për gjysmën e dytë të vitit 2014. “Një mbledhje informale e qeverisë me kryeministrin Tony Blair për arritjet, problemet dhe objektivat e gjysmës së dytë të vitit.”-ka shkruar Rama në mesazhin e tij.  Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Toni Blair vizitoi Shqipërinë më datën 3 tetor të vitit 2013, ku dhe zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, takimi i parë mes tyre.  “Qeveria e re do realizojë ato gjëra që prekin jetën e përditshme të njerëzve në vend. Në fakt ajo çfarë do donim të bënim është të punojmë me partnerë, me Bankën Botërore, me qeverinë në mënyrë që të realizojmë vizionin për gjëra të prekshme në këtë vend. Kjo është ajo çka do të bëjmë të punojmë me qeverinë, me kryeministrin Rama, të shohim këtë vend të rrugëtojë drejt së ardhmes”,-ka thënë Tony Blair shqiptoi gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Share it :