Basha: Droga e djegur nga Tahiri është kapur në fund të 2012-ës.Kryeministri inkurajoi trafikun e drogës me veprimet dhe mosveprimet e tij. Analiza e humbjes, Basha: Nuk do të lëmë gjëra pa thënë, por nuk do të themi gjëra që nuk kanë vlerë. Gjithkush do të lfasë me votën e tij në zgjedhjet e PD-së
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një intervistë për “Tonight Ilva Tare” të Ora News deklaron se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen pasi është përgjegjës për situatën e krijuar dhe rritjen e trafikut të drogës. Basha deklaroi se droga e asgjësuar dje në sy të ambasadorëve nuk është droga e sekuestruar nga qeveria e sotme por qeveria e kaluar e PD-së. Po ashtu ai komentoi edhe stiuatën e zgjedhjeve brenda PD-së si edhe analizën që po zhvillohet për humbjen e 23 qershorit .
Çfarë kërkoni në protestën e të premtes?
Protesta e të premtes është një rast për bashkimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët si asnjëherë më parë ndajnë një shqetësim, të thellë, të madh, shqetësimin e agresionit, me përmasa të panjohura deri më sot të drogës, të narkotrafikut, jo vetëm mes tokës dhe detit, por edhe përmes ajrit dhe kërcënimi që ky agresion përbën si për individin shqiptar, jetën, sigurinë, shëndetin moral, normat, vlerat, parimet, që rrisin fëmijët e tyre.
Zoti Basha më lejoni t’i marr me radhë, ju thatë përmasat janë të panjohura më parë se sipas argumentit të zotit Rama, ju nuk e keni luftuar më parë kur keni qenë në pushtet?
Lulzim Basha: Nuk është kështu, për këtë s’ka nevojë t’i referoheni as PS-së, as PD-së. Problemi i drogës nuk është një problem që lindi sot, sikundër problemi i krimit nuk ka lindur sot, kriminaliteti kërkon shtigje, ajo që bën diferencën është qëndrimi që mban qeveria ndaj krimit dhe përmasat që ka krimi.Dështimi i kësaj qeverie është se nuk ka më një Lazarat por ka dhjetra dhe qindra Lazaratë që janë përgjegjësi direkte e neglizhencës së Ramës dhe ortakërisë së kupolës me narkotrafikun
Cila është e kaluara? Nuk ka ekzistuar Lazarati, nuk keni qenë ju ninistër i Brendshëm dhe në Lazarat mbillej dhe kultivohej?
Kam qenë në Lazarat, se në drejtimin tim të Ministrisë së Brendshme, sasia e kultivimit në Lazarat ra në rekorde historike, sasia e trafikimit të drogës në Lazarat ra në rekorde historike, sepse kishte vullnet politik, kishte vullnet për të luftuar krimin, kishte vullnet për të luftuar trafikimin dhe kultivimin e drogës.
Ju keni prova të një zyrtari që po merret me drogën?
Patjetër, e ndajmë në dy pjesë këtë. Është detyra jonë të dënojmë me fakte dhe argumente. Ne kemi denoncuar për avionët e drogës dhe drogës me avionë. E gjithë kupola drejtuese e Policisë së Shtetit u hodh dhe nuk u zëvendësua vetëm me militantë dhe komisionerë, por u rikthye kuadri i larguar në vitet 2004-2005 nga ministrat socialistë pas raporteve evropiane që thoshin se ishin të përfshirë në trafik. Ne kemi denoncuar, ne kemi kërkuar komision hetimor. Kjo e famshmja rilindje, kur i mbaruan kaq shpejt resurset e socialistëve… Kemi bërë një sërë denoncimesh për persona të emëruar në administratë që janë dënuar për trafik droge.
Ju e mbështesni Policinë e Shtetit?
Ne nuk e kemi me Policinë, por ky është një turp i qeverisë dhe mazhorancës. Sa herë janë pa fjalë, na akuzojnë për akuza që s’i kemi bërë. Ne nuk kemi akuzuar asnjëherë Policinë e Shtetit, as kemi akuzuar Forcat e Armatosura.
Ju kërkoni rrëzimin e Kryeministrit, por a kemi një rast tjetër në Evropë ku kërkohet kjo dhe jo rrëzimi i qeverisë?
Është fare e qartë, ikën Ram, ikën edhe qeveria, ikën edhe përzgjedhja e tij politike. Ne jemi opozitë dhe do të vazhdojmë të jemi opozita derisa populli shqiptar të na votojë si shumicë me zgjedhje të lira e të ndershme, ne do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë.
Pra ju kërkoni rrëzimin e qeverisë?
Edi Rama dhe qeveria duhet të largohen. Edi Rama dhe qeveria e tij janë përgjegjës për këtë situatë të krijuar në vend. Asnjë nga premtimet e tij të bujshme nuk po funksionon, ku përkeqësimi është ulur këmbëkryq, premtimi për legalizimin s’u bë asgjë, punët publike janë inekzistente. Me shëndetësinë falas s’u bë gjë, harroi 300 mijë vendet e punës, e vetmja gjë që po lulëzon është narkotrafiku. Kjo në vetvete mjafton për të kërkuar dorëheqjen, por nuk është veç dështim, paaftësi, është fshehje, është marrja në mbrojte, është inkurajim i narkotrafikut nga Edi Rama përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tij.
Zgjedhjet e ardhme janë pas tri vitesh?
Atë nuk e dimë se kur janë. Por ju thashë se problemi duhet analizuar me kujdes çështja. Ne akuzojmë, si opozitë, por edhe qytetarët shqiptarë që janë shqetësuar thellë për situatën, ku kërkojmë largimin e Edi Ramës për trafikun e drogës.
Edi Rama, a është i përfshirë?
Rama është ai që kur opozita ngriti shqetësimin në Parlament ai e mohoi, kur opozita foli për avionë, ai e talli. Po mos ishte thyer rrota e avionit, sot Rama do të tregonte sërish barcaleta dhe do të vazhdonte të tallej me shqiptarët. Ndërkohë, faza e dytë është fshehja. Kryeministri lëshoi beniaminët e tij për të kërkuar një komision hetimor për të hetuar denoncuesit. Po për çfarë, për t’i mbyllur veshët opozitës?
Ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë kjo rënia e avionit?
Nuk ka asgjë të bukur dhe unë nuk i përkas zhanrit të cinikëve. Kjo është tragjike. Sasitë e drogës që po kapen në shifra kaq të mëdha, sepse organet e shtetit nuk po arrijnë t’i kapin.
Nuk është mirë të flitet me akuza. Nëse keni emra konkretë?
Emri konkret është Edi Rama, ai është përgjegjësi kryesor.
Po flisni në aspektin politik, nuk keni prova?
Unë nuk jam prokuror, nuk jam si ministri i Brendshëm. Unë përfaqësoj opozitën.
Fakti që ishte i pranishëm kreu i Komunës së Lazaratit, ishte në protestën e kaluar. Sa përgjegjësi ka PD për Lazaratin?
Ishte një protestë e thirrur nga PD dhe gjithkush ishte i lirë të ishte prezent aty.
A ka përgjegjësi morale PD, a keni të drejtë të flisni ju sot?
Ky është një koncept stalinist, a ka opozita të drejtë morale të flasë? Që në ditën e parë që vjen në opozitë ka të drejtë morale të flasë. Përgjegjësitë e PD-së janë të evidentuara në heqjen e vizave dhe futjen në NATO. Nuk ka shqiptar ta besoj se heqja e vizave mund të bëhej pa luftë të hapur kundër drogës dhe krimit. Në kohën qe ishim në qeverisje, sasia e drogës që dilte nga Lazarati preku dyshemenë.
Rama ka 8 muaj dhe ka nisur strategjinë?
Z. Rama mori një vend me strategji, ai ndryshoi kupolën e policisë.
Kjo droga që po digjet këtu që po jepet me pamje filmike….
Po është djegur sot nga ministri…
E dini kur është mbledhur kjo drogë, ajo është kapur në fund të vitit 2012.
Në sloganin tuaj i thoni jo drogës, po Shqipërisë evropiane, Edi të shkojë në shtëpi. A shikoni ndonjë kontradiktë. Nga njëra na kërkoni mbështetje për Shqipërinë për statusin e nga ana tjetër thoni se është më keq se Kolumbia?
Jo, në asnjë mënyrë. Edi Rama i atribuon opozitës fjalë që s’i ka thënë. Ne nuk kemi thënë se Shqipëria është si Kolumbia, porse nuk duhet të shkojë drejt saj. PD është koherente me qëndrimet e saj, nuk kemi qenë ne që bënim greva urie, nuk kemi shkruar ne email-e që do t’ju vinë 1 milion shqiptarë se do t’u hiqen vizat, nuk kemi ne që nuk kemi votuar për tri ligjet.
Por jeni ju që tri javë para statusit dilni në shesh…
Rama nuk po na kërkon të votojmë një ligj, një reformë, por na kërkon të mbyllim sytë e të mbyllim veshët. Nuk mund të ketë përparim në BE, nëse droga merr drejtimin. Ky shqetësim mbarëkombëtar është një shqetësim evropian. E kundërta do të pengonte kauzën e integrimit, nëse opozita do të mbyllte gojën, siç po bën një pjesë e kupolës qeverisëse.
Si shpjegohet që partitë politike përplasen me njëra-tjetrën për narkotrafikun? Si ka mundësi që politika ndahet për këtë çështje?
PD mbështet fuqishëm organet ligjzbatuese, duke nisur me policinë, prokurorinë dhe çdo nëpunës të këtij shteti për të intensifikuar luftën kundër drogës. Opozita, ndonëse besoj se nuk ishim ne të parët që e morëm informacionin, jemi përqeshur, jemi tallur në Parlament. Pasi ne kërkojmë të ushtrojmë të drejtën kushtetuese të hetimit parlamentar dhe thonë se hetimin do ta bëjmë ne, por nuk do hetojmë ato që thoni ju, por do ju hetojmë ju. Kjo kauzë nuk është e majtë apo e djathtë. Ne presim që shumica do të reflektojë besimin e shqiptarëve. Shqipëria ka për Kryeministër një person që flet si një satrap oriental për opozitën e vendit. Ne jemi e vetmja opozitë në Ballkan që lobon për statusin e vendit kandidat.
Zgjedhjet në PD?
Unë kam vendosur një tjetër rregull dhe ai është që gjithsecili do të ketë mendimin e vet dhe do të flasë me votë. Kryetari i PD ka detyrën dhe misionin që të garantojë një proces anëtarësimesh, prurjesh të reja; ka detyrën të garantojë një garë të ndershme për të zgjedhur ndër më të mirën, për ta garantuar anëtarësia me votë. Procesi është i hapur, rregullat e lojës janë transparente.
Udhëzimi juaj për grupseksionet nuk është pritur mirë?
Udhëzimi është pritur në tërësi shumë mirë. Udhëzimi është përgjegjësia direkte imja. Vendimi është konsultuar me forume të ndryshme të PD-së, është konsultuar me individë që kanë role kryesore në grupin e PD-së, është konsultuar me demokratë që janë marrë ndër vite me PD-në, është konsultuar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
A do ta zbatoni udhëzimin për kryetarët e komunave dhe bashkive?
Rregulli është i qartë dhe ka të bëjë me performancën dhe tjetri ka të bëjë me mospërputhjen e dy mandateve. Nëse dikush kërkon të kandidojë për një post dhe ka një post aktual, duhet të bëjë një zgjedhje.
Kuvendi kur do të mblidhet?
Synimet e mia ka qenë që të mblidhej në qershor.
Mendoni se do të ketë largime?
Përgjegjësitë nuk do të bëhen mbi bazën e kokave të turkut. Nuk do të bëhet se kë do të heqim dhe kë do të mbajmë. Nuk do të lëmë gjëra pa thënë, por nuk do themi gjëra që nuk kanë vlerë.




