Florenc Drizari
INCIDENTI NË KOMISION / Defekti në audio ndërpret mbledhjen, deputetët e shfrytëzojnë për debate dhe batuta për kreun e SHISH-it
Konstituohet Komisioni Hetimor për “drogën në ushtri”, miratohet lista e institucioneve që do të japin informacione si dhe kërkohet pajisja e deputetëve me certifikata sigurie
Komisioni hetimor i ngritur për akuzat mbi implikimin e mundshëm të forcave të armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari të kundërligjshme – transportin e lëndëve narkotike, zhvilloi dje mbledhjen e parë, duke miratuar edhe planin e punës veprimit. Mbledhja e këtij komisioni nuk kaloi pa debate mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës lidhur me objektin e këtij komisioni si dhe zgjedhjen e sekretares, ndërkohë mbetet për t’u verifikuar pajisja e anëtarëve me certifikatat e sigurisë, për faktin se sipas deklaratave të fundit, deputetët pritet të kenë në duar informacione të klasifikuara nga shërbimet inteligjente shqiptare. Fillimisht nënkryetari i këtij komisioni, deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi, kërkoni që Sekretaria të zgjidhet me propozimin e pakicës parlamentare, duke qenë se mazhoranca ka si shumicën në komision ashtu edhe kryetaren, por propozimi i tij nuk u pranua nga socialistët. Kryetarja Ermonela Felaj hodhi në votim emrin e deputetes Siva Caka, votim i cili u miratua me votat e majta.
Ndërkaq, më herët pati debate lidhur me objektin e hetimit, ku deputetët e opozitës hodhën akuza se mazhoranca nuk po kërkon të hetojë çështjen dhe se që në fillimet e këtij komisioni po e përdor shumicën për të bërë avokatinë e qeverisë. Deputeti i PD-së, Genc Strazimiri, tha se akuzat e së djathtës nuk janë drejtuar ndaj ushtrisë, por ndaj përfaqësuesve të qeverisë dhe përfaqësuesve të tjerë politik.
Strazimiri
“Askush nuk akuzon Forcat e Armatosura, nën akuzë është qeveria e këtij vendi, nivelet politike, të cilat kanë lejuar të përdoren lehtësirat ushtarake të vendit, sipas të dhënave dhe informacioneve që ka, në shërbim të narkotrafikut. Keni vendosur me shumicën e votave, ta spostoni objektivin tek Forcat e Armatosura dhe pastaj na dilni si mbrojtës dhe garanci që akuzat që janë të pabaza. Vepruar në këtë mënyrë, jemi kundër misionit, për të cilin në fakt paguhemi”, – deklaroi Strazimiri, ndërsa kryetarja Ermonela Felaj tha se Komisioni ka për qëllim zbardhjen e të vërtetës mbi akuzat e bërë publike dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, rregullimin dhe përmirësimin e legjislacionit në fushën përkatëse.
Incidenti
Gjatë kohës kur deputeti Strazimiri dhe kryetarja Felaj po replikonin për objektin e këtij komisioni, në mbledhje u ndërpre audioja, duke shkaktuar edhe një zhurmë që e bënte të pamundur zhvillimin normal të punimeve. Mbledhja e djeshme e komisionit u bë në sallën e Komisionit Parlamentar për Integrimin, ndërkohë që gjatë ndërprerjes së audios dhe zhurmës së krijuar në komision, deputetët e pozitës dhe të opozitës e shfrytëzuan edhe për të shkëmbyer batuta mes tyre për përgjimet e bisedave, duke iu referuar SHISH dhe kreut të këtij shërbimi, Visho Ajazi Lika. Fillimisht ishte deputeti socialist Piro Lutaj i cili tha: “I thoni Vishos që t’i heqë ata… (mikrofonat)”, ndërsa deputeti tjetër i PS-së, Qefalia tha se mund të bëhej fjalë për Shërbimin Informativ të Ushtrisë. Batuat dhe replikat mes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë vijën në kohën kur mes krerëve të shërbimeve të inteligjencës në Shqipëri ka pasur përplasje dhe shpesh herë akuza ndaj këtyre të fundit për moskryerjen e detyrës dhe abuzime me detyrën, duke përgjuar jashtë kornizave që u lejon ligji.
Anëtarët e komisionit
PS, kryetare Ermonela Felaj
Arben Cuko
Pirro Lutaj
Silva Caka, sekretare
Xhemal QefaliaPD, nënkryetar Oerd Bylykbashi
Gent Strazimiri
Voltana Ademi
Alban Zeneli.
Institucionet që do të japin informacione
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Brendshme
Forcat e Armatosura
Shërbimi Informativ Shtetëror SHISH
Shërbimi Informativ i Ushtrisë AIM
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm SHKB
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë
Prokuroria e Përgjithshme
Prokuroria e Krimeve të Rënda
Alb-Kontroll
Autoriteti i Aviacionit Civil
Debatet në Komisionin hetimor para dhe pas ndërprerjes së audios
Bylykbashi: Do të kemi mundësi që të thërrasim edhe dëshmitar në këtë komision dhe uroj që në këtë aspekt të mos kemi probleme.
Çuko: Ky komision është ngritur bazuar mbi akuzat e Partisë Demokratike dhe mesa kujtojnë edhe kolegët akuzat e para i ngriti ish-ministri i Mbrojtjes për përfshirjen e FA-së në trafikun e drogës. Detyra e këtij komisioni është të hetojë të vërtetën e këtyre akuzave.
Felaj: Plani i hetimit nuk është një plan statik, sepse gjatë kohës që ne do të konstatojmë që na duhet do të pyesim.
Strazimiri: Askush nuk akuzon Forcat e Armatosura. Është qeveria e këtij vendi, nivelet politike të cilat kanë lejuar të përdoren fasilitetet ushtarake të vendit sipas indiceve në shërbim të narkotrafikut. Keni vendosur që ta spostoni objektivin tek FA dhe pastaj na dilni si mbrojtës dhe që akuzat janë të pabaza. Në këtë mënyrë jemi kundër objektit me të cilin jemi mbledhur.
Felaj: Zoti Strazimiri, më falni që ju ndërpres, por më duhet t’ju kujtoj se vendimet pasi merren, ato nuk diskutohen. Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vendim që të pranojnë kërkesën për komision hetimor sipas kërkesës…
Strazimiri: Ky nuk është hetim, por është mbrojtje.
Felaj: Komisioni ka për qëllim zbardhjen e të vërtetës.
Strazimiri merr fjalën, ndërpritet audioja e komisionit (zhurmë në mikrofona për rreth 5 minuta)Lutaj: I thoni Vishos t’i heqë ata… (mikrofonat)
Qefalia: SHIU, SHIU…
Lutaj: Të gjitha gjërat me defekt i latë o Oerd, s’i keni heq fijet akoma…(Ndërpritet mbledhja, mediat dalin jashtë)
Jashtë mikrofonit, Lutaj: Po ktheni minorancën në mazhorancë ore është thelbi i demokracisë, e keni gabim.
Strazimiri: Absolutisht po, duke marrë ato vota lart e poshtë me avion.
Lutaj: Jeni minoracë, zini vendet dhe shtrëngojini fort.
Strazimiri: Bravo! A ju the që do çoje drogë para se t’ju merrje votën?
Lutaj: Jo, jo në asnjë mënyrë jo. I keni lënë bazat gati, por ne jua kemi prishur atë linjë… po i kërkoni si forcë politike, janë kosto këto.





