Zbardhen vendimet/ Qeveria, hua miliona dollarë nga Banka Islamike, miratohet marrëveshja për rrugët e Tiranës

Gëzim Saliu

Marrëveshje me Kosovën për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë, ngrihet Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit

mbledhje qeverieQeveria miraton në parim marrëveshjen e huasë me Bankën Islamike për Zhvillim për pjesëmarrje në financimin e projektit të mikrofinancës në Shqipëri. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, e cila u drejtua nga zv.kryeministri Peleshi për shkak të mungesës së Kryeministrit Rama, u vendos miratimi i kredisë që jepet nga Fondi Islamik i Solidaritetit për Zhvillim (ISFD), në shumën prej 1 000 000 (një milion) USD-sh si edhe një kredie nga vetë fondet e IDB-së, në vlerën 2 670 000 (dy milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë) ID (dinarë islamikë) dhe një granti të IDB-së, në vlerën 200 000 ID. Po ashtu një tjetër vendim i rëndësishëm i marrë dje në mbledhje, ku të gjitha vendimet u firmosën nga zv.kryeministri me porosi të kreut të qeverisë, ishte edhe ai për miratimin, në parim, të dokumenteve ndryshuese të marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake të Tiranës.

 

Mbledhja

 

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit me Kosovën, qeveria vendosi dje miratimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë. Nga ana tjetër, ekzekutivi miratoi edhe marrëveshjen me republikën e Kroacisë për partneritetin evropian si edhe me republikën e Moldavisë për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar. Po ashtu, Këshilli i Ministrave vendosi edhe për përbërjen dhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit. Sipas vendimit, funksionet dhe kompetencat e Sekretariatit janë ato të përcaktuara në ligjin nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”. Ky sekretariat do financohet nga buxheti i shtetit dhe nga çdo burim tjetër financiar i ligjshëm.

 

Zv.kryeministri/ Peleshi: Qeveria, negociata për marrëveshje me CEZ-in, s’duam arbitrazhin

 

Zv.kryeministri Niko Peleshi deklaroi dje se qeveria ka avancuar në negociatat me kompaninë CEZ, ku, sipas tij, palët janë më shumë afër marrëveshjes paqësore mes tyre se sa zgjidhjes së arbitrazhit. I ftuar në emisionin “Të bësh ekonomi” në “News 24”, numri dy i qeverisë theksoi: “Arbitrazhi nuk është një zgjidhje e preferuar as për ne as për palën tjetër. Fundin nuk e parashikojmë dot se si mund të jetë plus që e stërzgjat zgjidhjen e problemit në kohë. Ne shfrytëzuam një hapësirë ligjore dhe për hir të së vërtetës edhe vullnetin e palës çeke për të të rihapur negociatat për zgjidhjen me marrëveshje të kësaj mosmarrëveshje. Për sa kohë nuk ka një marrëveshje të finalizuar nuk mund të them më shumë se kaq por mund të them që janë kryer disa negociata dhe tani jemi në dy propozime njëri nga pala shqiptare dhe njëri nga pala çeke të cilët nuk është se janë të përputhur ende por nuk janë larg njëri-tjetrit. Ndërkohë, pyetjes se është pikërisht shumja prej 200 milionë eurosh që ka kërkuar CEZ si dëmshpërblim, mospërputhja mes palëve, Peleshi nënvizoi: “Nuk mund të flas për shifra, madje nuk jam edhe vet pjesë e grupit negociator, por mund t’u them atë që sapo thash që nuk është se jemi shumë larg në propozimet. Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet pa shkuar në arbitrazh. Ne edhe mund ta fitojmë arbitrazhin por nga ana tjetër kjo do ta zgjaste në kohë dhe do të mbante larg zgjidhje të mundshme me apo pa pjesëmarrjen e investitorëve të tjerë vendas apo të huaj, privatë apo publik të interesuar për sektorin”.

 

 

Vizita

Rama sot në Vatikan, takon Papën

 

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, zhvillon sot një vizitë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku pritet të takohet me Papa Françeskun. Lajmi u bë publik dje nga zyra e Kryeministrisë, ku vlen të theksohet fakti se kjo është hera e parë që Kryeministri takohet me kreun e Selisë së Shenjtë, ndërkohë që viziton për të tretën herë Italinë, në tetë muaj qeverisje. Më parë kreu i qeverisë ka zhvilluar takime me Kryeministrin Letta dhe përfaqësues të lartë të shtetit italian si edhe me sipërmarrës të këtij shteti që kanë interes të investojnë në Shqipëri.

 

Vendimi/ Mbyllet Konsullata e Shqipërisë në Nju Jork, hapet zyrë konsullore në OKB

 

Qeveria vendos mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork dhe njëkohësisht hapjen e zyrës konsullore pranë misionit të përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi u mor dje në mbledhjen Këshillit të Ministrave, ku për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave. Ky vendim pason deklaratat e kreut të qeverisë “Rama” dhe kryediplomati shqiptar Bushati për reduktimin e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë. Po ashtu, në mbledhjen e djeshme, qeveria miratoi edhe planin e veprimit për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, ku qeveria ngarkoi të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore për të cilat në planin e veprimit janë përcaktuar detyra të veçanta për zbatimin e këtij vendimi.

 

Share it :