Open Data Albania: Akcizat, më shumë të ardhura gjatë vitit 2013  

Ervin Kaduku

 

 

Të ndara sipas grup-mallrave kryesore, të ardhurat më të mëdha akcizat i gjenerojnë nga akciza e karburantit. Këto të ardhura zënë rreth 60% të të ardhurave nga akciza

 

 

 

karburantet_0Gjatë vitit të kaluar, është shënuar sukses në mbledhjen e të ardhurave fiskale përmes akcizës, çka tregon për një punë serioze gjatë gjithë harkut kohor të 2013-ës, megjithëse ishte fjala për një “vit elektoral”. Referuar legjislacionit shqiptar, akciza është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, të prodhuara dhe të importuara, që hidhen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë. Produkte që i nënshtrohen akcizës janë: produktet energjetike; alkooli dhe pijet alkoolike; kafeja; duhani e produktet e duhanit; produktet e tjera (llamba inkandeshente, gomat, fishekzjarre, pilat dhe bateritë, kafja). Open Data Albania ka publikuar një studim lidhur me ecurinë e këtij zëri buxhetor në vite.

 

Të ardhurat

Të ardhurat nga akciza janë një zë i rëndësishëm i të ardhurave të buxhetit të shtetit. Për vitet 2009 – 2013 ato zënë mesatarisht rreth 12% të totalit të të ardhurave buxhetore.

Të ardhurat e mbledhura nga akciza kanë pësuar një rritje me 15.8% në vitin 2010 krahasuar me vitin 2009. Në vitin 2011 kemi një rritje të lehtë me 4%, për tu pasuar nga një rënie e këtyre të ardhurave me 10% në vitin 2012. Në vitin 2013, kemi një përmirësim të këtyre të ardhurave, ku krahasuar me një vit më parë kemi një rritje me 6.1%.

Të ndara sipas grup-mallrave kryesore, të ardhurat më të mëdha akcizat i gjenerojnë nga akciza e karburantit. Këto të ardhura zënë rreth 60% të të ardhurave nga akciza. Viti 2011 shënon vlerën më të lartë.

Pas akcizës së karburantit, peshën të madhe zënë dhe të ardhurat që vijnë nga akciza mbi produktet e duhanit. Këto të ardhura kanë zënë mesatarisht në pesë vitet rreth 29% të totalit të të ardhurave nga akcizat. Viti më i mirë në të ardhurat e mbledhura nga ky grup-mallrash është viti 2012.

Akcizat nga pijet alkoolike zënë rreth 4% të të ardhurave nga akcizat. Viti 2009 është viti ku të ardhurat nga akciza për pijet alkoolike ishte në vlerën më të lartë. Që nga ky vit e deri në vitin 2012 të ardhurat nga ky grup-mallrash kanë ardhur në rënie. Vetëm në vitin 2013 kemi një rritje të këtyre të ardhurave me 40% krahasuar me një vit më parë.

Akcizat që vijnë nga mallrat e tjera zënë rreth 7% të të ardhurave nga akcizat. Viti 2013 shënoi vitin ku këto të ardhura patën vlerën më të madhe prej 3,864 mln lekë, ku krahasuar me një vit më parë rritja ishte rreth 46%.

Për vitin 2013 të ardhurat nga akciza ishin 38,636 mln lekë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat nga secili grup-mallrash kanë pësuar rritje, përveç akcizës mbi produktet e duhanit që ka pësuar një ulje të vogël. Kjo performancë e mirë në rritje ka ardhur edhe si ndikim i rritjes së lajmëruar të akcizave për disa produkte si duhani dhe birra, si dhe e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin në Paketën fiskale për vitin 2014. Të shprehura në pesha specifike, të ardhurat nga akciza mbi karburantet ishin 58% e totalit të akcizave, të ardhurat nga akciza e produkteve të duhanit ishin 29%, të ardhurat nga akciza mbi pijet alkoolike ishin 3% dhe akciza nga mallrat e tjera ishte 10%.

Deri në vitin 2012 të ardhurat nga akciza mblidheshin si nga administrata doganore dhe ajo tatimore. Duke filluar nga 1 Tetor 2012 administrimi dhe mbledhja e akcizës kaloi tërësisht tek Administrata Doganore. Deri në vitin 2011 raporti i mbledhjes së të ardhurave ishte mesatarisht rreth 38% nga administrata tatimore dhe 62% nga administrata doganore. Në vitin 2012, me kalimin në muajin tetor të të gjithë kompetencave administratës doganore ky raport shkoi në 33% për administratën tatimore dhe 67% për administratën doganore. Në vitin 2013 të gjithë të ardhurat u mblodhën nga administrata doganore.

 

Të ardhurat nga akciza ndër vite

 

 20092010201120122013 
Akciza nga karburanti   21,300   23,300   24,544   21,168  22,409(Në mln lekë)
Akciza mbi produktet e duhanit   9,100   10,900   11,291   11,771  11,204 
Akciza nga pije alkoolike   1,900   1,900   1,720    831  1,159 
Akciza nga mallra të tjera   1,204   2,688   2,848   2,651  3,864 
Totali i të ardhurave nga akciza   33,504    38,788    40,403    36,421   38,636  
       
     Burimi Min.Fin

 

 

 

Sipërmarrjet e ndërtimit shfrytëzojnë vetëm 55% të kapacitetit

Sipërmarrja shqiptare po punon thellë nën kapacitetet e veta edhe gjatë vitit 2014. Sipas vrojtimeve më të fundit të ndjesisë ekonomike, të realizuar për tremujorin e parë të vitit në vazhdim nga ana e Bankës së Shqipërisë, të gjithë sektorët ekonomikë kanë deklaruar norma të shfrytëzimit të kapaciteteve të ulëta dhe nën mesataren afatgjatë.

Gjendja më negative është në sektorin e ndërtimit, ku norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në tremujorin e parë të këtij viti rezultoi rreth 55.8%. Kjo normë është në rënie me rreth 6.9 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe rreth 10.2 pikë përqindje nën mesataren historike. Në gjendje disi më të mirë paraqitet industria, ku norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi nivelin 70.9%, në rënie me rreth 5.7 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e kaluar.

Shfrytëzimi i kapaciteteve në këtë sektor qëndron vetëm 0.9 pikë përqindje nën mesataren afatgjatë. Një shifër shumë domethënëse është se për gjashtë muajt e ardhshëm, rreth 70% e bizneseve të sektorit të industrisë nuk parashikojnë të kryejnë investime. Tregtia dhe shërbimet kanë një shkallë më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, por edhe këta sektorë gjenden nën mesataren afatgjatë dhe me prirje negative të këtij treguesi.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve të raportuara nga bizneset e shërbimeve, në tremujorin e parë të vitit, është 71.4%, rreth 5 pikë përqindjeje më pak se mesatarja afatgjatë. Ndërsa në tregti, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti ishte 76.7%, rreth 2.8 pikë përqindje nën mesataren afatgjatë. Vrojtimet e biznesit tregojnë se kërkesa e tregut për mallra dhe shërbime nuk po përmirësohet, çka po i mban të pashfrytëzuara një pjesë të mirë të kapaciteteve prodhuese. Në këto kushte, hendeku negativ i prodhimit nuk po jep shtysa për investime të reja.

 

Share it :