Na mbyti varfëria në kulturë

0
242

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo11. Libri shkencor: Vazhdon të jetë në versionin në letër shumë i dobishëm, por përhapet edhe në formën elektronike. Me formatin e vet jep dije shkencore, informacione enciklopedike, vlera artistike, etj. Pa librin shkencor nuk mund të ketë formimin shkollor të brezit të ri në të gjitha hallkat dhe nivelit e arsimit, duke nisur nga ai më i ulëti e deri te arsimi universitar. Libri shkencor nuk është vetëm tekst universitar apo manual shkollor, por edhe bartës kulture artistike, roman, vëllim me poezi, apo edhe album me piktura, si dhe përmbledhje studimesh, apo studim monografik që plotëson njohuritë e duhura në fusha të ndryshme specialiteti. Aktualisht, libri shkencor është i përdor krejtësisht në mënyrë të pamjaftueshme nga studentët dhe shkollat dhe universitetet e rekomandojnë ende shumë pak te studentët edhe sepse pedagogët hezitojnë, edhe sepse një masë e madhe studentësh preferon një të mësuar folklorik, ora, por edhe për arsye financiare, xhepi i studentit nuk e mban të krijojë në bankat e shkollës një vëllim librash për bibliotekat personale.

 

2. Buxhet familjar për librin: Familjet shqiptare çojnë fëmijët në universitete për shkollim në mënyrë masive. Zakonisht edhe me dy fëmijë mesatarisht familja shqiptare i çon të dy në shkollë të lartë dhe madje deri në fund të formimit master. Por, kjo familje nuk është e bollshme në të ardhura, përkundrazi shpesh gjenden pak hollë, edhe kur dy prindërit punojnë, palé kur punon vetëm një prind, ose kur asnjeri prej tyre nuk punon. Buxheti i familjeve shqiptare për librin është thuajse i paqenë, por i kufizuar shumë kjo nuk ka asnjë dyshim. Shkoni aktualisht për vizitë në familjet shqiptare mesatare dhe shihni se në çfarë gjendjeje janë bibliotekat personale të shtëpive, nëse nuk janë fare të munguara. Atëherë bëjmë një llogari fare të thjeshtë: Dy fëmijë në shkollë të lartë, secili në çdo semestër nga 6 lëndë, në një vit 12 lëndë, nga 5 libra për lëndë, shumëzuar për pesë vite akademike dhe pastaj me afro 1000 lekë të reja për libër që sot është çmimi i tij minimal, e gjitha kjo jep minimumi 60.000 lekë të reja, ose 6 milionë lekë të vjetra. Po në lekë të vjetra të mendohet një rrogë mesatare prej 300.000 lekësh të vjetra, do të thotë se për dy vjet paga e një prindi nuk duhet të përdoret as për gjë tjetër veçse për librat e fëmijëve nëse dëshiron që ata të shkollohen jo me një nivel të varfëri dijesh. Pra të mos llogaritet veshja, ushqimi i fëmijëve, udhëtimi i tyre,as edhe paratë që duhen për të marrë një banesë me qira për ta. Kuptohet se nga të gjitha kursimet dhe shkurtimet që duhen bërë në radhë të parë do të jenë librat. Mund të ketë edhe shumë arsye të tjera se përse nuk përdoren librat, por ka një arsye themelore, nuk ka parà, pra nuk ka këmbanë, si ta tregojë orën kisha?

 

3. Autor libri: Përgjithësisht autorët e librave shkencorë dhe universitarë janë pedagogë që marrin si pagë mesatare rreth 600.000 lekë të vjetra në muaj. Nëse një pedagog duhet të mbahet në një nivel të mirë shkencor, së paku po marrim se i duhen dy deri tre libra të mirë në muaj të blera nga jashtë. Përndryshe mbetet krejtësisht jashtë zhvillimeve të sotme shkencore. Atëherë 3 ose 4 libra nga 30 euro minimumi një libër, bën afërsisht rreth 12000 euro në vit pra baras me rrogën e tre muajve si pedagog. Pedagogu autor e krijon një libër, por nuk ka blerës për arsyen që thamë në fjalën pararendëse.

4. Botues: drejtues agjencie botuese, ose ndryshe shtëpie botuese që boton libra, shpesh me shumicë, por ka shumë vështirësi për t’i shitur kur është fjala sidomos për libra shkencorë sepse i drejtohet në këtë rast një publiku që duhet të konsumojë shumë libra por nuk ka parà. Atëherë botuesi është i detyruar që veç librave shkencorë të botojë edhe libra mjeranë, por që ecin në një publik masiv. Është libri ta zëmë pornografik ai që mban dhe bën të mundur botimin edhe të librave shkencorë. Ose botuesi boton shumë tituj me nivel të varfër editimi dhe botimi me qëllim që të rrisë fitimin e vet duke nxjerrë në qarkullim sa më shumë libra, pa pasur personelin dhe kompetencat profesionale për këtë. Prandaj botimet tona janë në gjendjen e mjerimit nga pikëpamja e cilësisë së redaktimit, editimit dhe cilësisë së printimit. Aq më shumë që botuesin e vjedhin meqë librin e botuar me mund ia vjedhin dhe e botojnë në mënyrë ilegale, pra e kopjojnë duke shkelmuar të drejtën e autorit. Duhet sistemi i informatizuar i librave që të realizohet kjo, por askush nuk e vendos urën në zjarr. Botuesi nuk ka me çfarë paguan autorin, që është pikërisht ai si hallka e parë dhe e fundit e procesit që varfërohet nga të ardhurat dhe duhet të jetojë me frymën e shenjtë dhe tê shkruajë libra.

 

5. Fotokopjues: Person që vendos librat mbi xhamin e fotokopjes dhe e shtyp butonin e saj duke prodhuar faqe të fotokopjuara pa e vrarë mendjen se është duke shkelur të drejtën e autorit dhe duke rrënuar njëkohësisht edhe botuesin, edhe librarin, edhe autorin. Por, mbi të gjitha varfëron kulturalisht edhe studentin sepse ky harxhon parà, por fletët e fotokopjuara sapo përdoren, pastaj hidhen dhe nuk vlejnë për të bërë një bibliotekë personale. Aq më shumë edhe kultura është e varfëruar në maksimum sepse studenti bën një lexim vetëm jolinear të tekstit, ca faqe këtu dhe ca faqe atje, sepse nuk mund të lexojë një libër, i cili nuk fotokopjohet nga fillimi në fund. Edhe fotokopjuesi me gjithë shërbimin e çmuar që bë, edhe pse shkatërron gjithë kuadrin ligjor të ekonomisë të kulturës, edhe pse shkatërron autorin, botuesin dhe librarin, përsëri mbetet një i varfër që paguhet keq sepse fotokopjuesja shpesh edhe lokale ku është instaluar ajo nuk janë të tijat, sigurisht.

 

6. Politika publike për librin dhe kulturën: Këto politika që me subvencione, me zbatimin e kuadrit normativ të tregut, me ndërhyrje në treg për ta ekuilibruar atë, me studime, me investime në vepra publike, me studime, etj. duhet t’i hapin rrugë kulturës shkencore dhe përhapjes të saj, sepse pa të një popull dhe një komb varfërohet si materialisht ashtu edhe shpirtërisht dhe intelektualisht. Nuk mbrohen të drejtat e autorit. Nuk motivohen pedagogët ta shkruajnë librin shkencor, nuk ka asnjë njohje të ekonomisë të librit. As bëhet fjalë as për të investuar në biblioteka.

 

7. Bibliotekë: Vend ku gjithkush, sidomos një student apo shkollar, kërkues shkencor apo pedagog, mund të shkojë dhe kundrejt abonimit apo edhe falas fare të përdorë lirshëm dhe kolektivisht librin shkencor, libra të tjerë si edhe dokumente që qarkullojnë në universin e Internetit. Mungojnë në nivel lagjeje, mungojnë në nivel qyteti, shkolle apo Universiteti. Çfarë do të thotë mungojnë që ndokush të mos nisë të bërtasë për të thënë se nuk është e vërtetë, se ato ekzistojnë. Jo të kenë një kopje libri shkencor, por aq sa ju duhet studentëve. Që të ketë libra të rinovuar dhe cilësorë. Që të jetë bibliotekë dhe qendër dokumentacioni shkencor i dixhitalizauar për të dhënë mundësi që në salla të mëdha, hapur natë e ditë, studentët dhe shkollarët të marrin bollshëm kulturë, dije, informacionin që u duhet për formimin shkollor dhe universitar. Mos shkojmë larg vetëm në vende të tjera të Mesdheut dhe do të shohim se çështja e qarkullimit të librit shkencor zgjidhet jo me tregun e lirë tejet të liberalizuar, por me politika publike, me biblioteka të të gjitha niveleve dhe shumë të pasura. Përndryshe do të kemi ndonjë botues të pasur, pastaj botues të varfër materialisht, libra mediokër, autorë të varfër dhe studentë të varfër kulturalisht që nuk mund të abuzojnë me paratë e prindërve aq të pasur saqë e kanë të pamundur të mbulojnë me financime blerjet e librave nga fëmijët e tyre. Në vend të këtij peizazhi varfanjak do të mund të kishim politika bibliotekare si pjesë e strategjive publike, ku do të kishim studentë të pasur kulturalisht, prindër pa shpenzime të kota që i varfërojnë, autorë të pasur, biblioteka të pasura me libra etj. Por, që të bëhet kjo politikë që sigurisht prek operatorë privatë në treg, shpesh varfanjakë, duhen politika publike që të mos jenë të ndikuara nga konflikti i interesit i operatorëve privatë. Por, shikoni se edhe kur flitet për këshillat apo agjencitë zyrtare dhe publike për librin zëri, prania dhe statusi i privatëve, gjoja si operatorë, është mbisundues. Politikat publike nuk bëhen as nën presionin e privatit, dhe as duke e deleguar detyrën publike te privati. Përndryshe si varfëria kulturore ashtu edhe materiale do të vazhdojnë të mbisundojnë në një botë libri ku gjithçka është rrëzuar nën peshën e ligjeve të hekurta të një ekonomie të mbetur e pakuptuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency