Dervishi: Çfarë po pret Prokuroria, që plagosjet të pasohen nga vrasje?

Dervishi: Çfarë po pret Prokuroria, që plagosjet të pasohen nga vrasje?

Analisti Lutfi Dervishi ka reaguar ashpër pas plagosjes me armë zjarri të deputetit të PD-së, Kliti Hoti, gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë.

Në postimin e tij në Facebook, Dervishi ngre pikëpyetje mbi mungesën e masave penale ndaj efektivëve të policisë që ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve, duke paralajmëruar se pezullimi i tyre dhe rikthimi i mëvonshëm në detyrë po kthehet në një tallje me drejtësinë.

Ai kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Prokurorisë, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te polici që qëlloi me armë, por të shtrihet edhe te zinxhiri komandues.

Çfarë po pret prokuroria? Pret që plagosjet të pasohen nga vrasje?”, shkruan Dervishi në reagimin e tij.

Postimi i plotë:

Deri sa të vritet dikush?

Kjo historia e “pezullimit” të policëve që thyejnë eshtra, nxjerrin sy dhe tashmë qëllojnë me armë sikur të ishin në gjueti, për t’u kthyer më pas në detyrë, po shndërrohet në një tallje të madhe me të gjithë e mbi të gjitha me drejtësinë.

Duket se prokurorët janë aq të zënë me pushimet, sa nuk po kuptojnë se armët në duart e policëve të pandëshkuar rrezikojnë të marrin jetë.

Inspektori që qëlloi me armë duhej të ishte në pranga që në momentin që qelloi, shefi i tij duhej të ishte nën hetim dhe shefi i shefit të përgjigjej para drejtësisë për përgjegjësinë komanduese.

Plagosja me armë nuk është çështje administrative, por çështje penale.

A i ka parë prokuroria plagët e shkaktuara me armë? A mendojnë në polici se një ditë nuk do të përballen me ligjin? E kanë ujin, e kanë gazin e kanë të drejtën e përdorimit të forcës në përputhje me ligjin tani i duhen edhe armët???

Çfarë po pret prokuroria? Pret që plagosjet të pasohen nga vrasje? Pret që nesër të mos hetohen vetëm ata që qëlluan dhe urdhëruan por edhe ata prokurorë që nuk bëjnë detyrën?

Share it :