Fajtor po, burg jo/ Fytyra tjetër e SPAK me Benet Becin
Kërkesa e SPAK-ut për ta dënuar Benet Becin pa burg efektiv, pavarësisht mesazheve të raportuara për ndarjen e parave të tenderit, ngre pikëpyetje për kontrastin me ashpërsinë ndaj drejtuesve të opozitës dhe disa ish-zyrtarëve.
Një sy qorr për mesazhet kompromentuese me tenderat dhe një vesh shurdh për implikimin e Benet Becit në një aferë korrupsioni në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare; kështu mund të lexohet kërkesa e SPAK-ut për Benet Becin, aktualisht kryetar i bashkisë së Shkodrës.
Prokuroria pretendon se e gjeti fajtor dhe kërkon dënimin e tij për shkeljen e barazisë në tendera, shoqëruar me një kërkesë drejtuar gjykatës që ai të mos shkojë në burg.
Pretenca është dy vite burg, që me gjykim të shkurtuar zbresin në një vit e katër muaj. Më pas kërkohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vendosja e Becit në shërbim prove për katër vite. Vendimin do ta marrë gjykata, por prokuroria e ka thënë qëndrimin e saj: fajësi po, burg jo.
Bisedat mes Benet Becit me Ervis Berberit për vjedhjen me tenderat
Fajtor po, burg jo/ Fytyra tjetër e SPAK me Benet Becin
Allishverishet ku ishte përfshirë Benet Beci gjatë kohës që drejtonte KESH-in dolën gjatë hetimit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. Ndër mesazhet e ruajtura në telefonin e bashkëshortes së Berberit, hetuesit mbërritën te një tender i KESH-it, institucion që në atë kohë drejtohej nga Benet Beci.
Komunikimet u gjetën në telefonin e Adela Rukos, bashkëshortes së Berberit dhe kryetares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Aty flitej për një tender që kishte objekt zhvillimin strategjik të sektorit energjetik me fond limit 69,5 milionë lekë.
Benet Becit i ishte propozuar që studimin për strategjitë energjitike të Shqipërisë do ta bënin një grup profesorësh të Harvardit. Por në telefonin që gjetën agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në shtëpinë e Ervis Berberi ishte ruajtur edhe mesazhi që i kishte dërguar Benet Becit duke i propozuar të ndanin një pjesë të parave me njëri-tjetrin: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë
Dyshimet për abuzime në lidhje me këtë tender ishin ngritur edhe përpara zbulimit të komunikimeve.
Sipas raportit të KLSH-së për këtë tender, në garë kishte marrë pjesë vetëm një kompani, me ofertë pranë fondit limit. Audituesit kishin vënë në diskutim nevojën për studimin, pasi ekzistonte një strategji e sektorit energjetik e hartuar më parë.
SPAK hetoi për disa vite kreun e Bashkisë së Shkodrës për shkelje të barazisë në tendera, në bashkëpunim dhe për këtë akuzë kërkon sot shmangien e burgut.
Standardet e SPAK nga një emër te tjetri
Fajtor po, burg jo/ Fytyra tjetër e SPAK me Benet Becin
Pezullimi i dënimit është një mundësi që prokurorit ia njeh ligji, por thënë këtë, nuk mund të mos bjerë në sy kontrasti me arrestimet dhe gati linçimet që kanë prodhuar hetimet e SPAK ndaj ish-zyrtarëve të tjerë, por edhe drejtuesve të opozitës.
Pavarësisht se rrethanat dhe veprat penale janë të veçanta për çdo dosje, trajtimi që i bëhet një pjese të të pandehurve dallon në mënyrë flagrante me atë që i bëhet disa të tjerëve.
Për drejtuesit e opozitës dhe disa ish-zyrtarë të mazhorancës, publiku është mësuar me pranga, kontrolle dhe vite paraburgimi, ndërsa për Becin, SPAK kërkon që burgu të mbetet në letër edhe pse ai është konsideruar fajtor. Me pak fjalë, ligji mbetet i barabartë për të gjithë, ndërsa rehatia shqyrtohet rast pas rasti./Lapsi.al




