Berisha: Agjencitë partnere të hetojnë dosjen “Albanian File” sepse është monumenti më i zi i drogës!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë deklaratës për shtyp u bëri thirrje agjencive partnere që të hetojnë dosjen “Albanian File” sepse është monumenti më i zi i drogës.
Ai theksoi se, Edi Rama ka bërë personalisht çdo përzgjedhje.
Berisha: Por ajo çka bëj thirrje sot, agjencive ndërkomëbtare, agjencive të vendeve partnere, të cilat merren me përkushtim në luftën kundër drogës, në Evropë dhe në botë, të ndërmarrin hetime më serioze për këtë dokument, i cili është de facto monumenti më i zi i drogës në Evropë dhe në botë.
Në asnjë vend tjetër të planetit, as në ato që kultivojnë opiumin, as në ato që kultivojnë kokainën, nuk gjendet kurrë një Kushtetutë urbanistike, monument i zi si kjo dosje ku gjithçka të jetë dorëzuar në duart e karteleve dhe trafikantëve.
523 projekte në 60 studio, ndër të cilat edhe çfarë t’u thuash, edhe njerëz që ekzaltohen për shkak të xhepit dhe i thonë Ramës që ti nuk duhet të bësh zgjedhje se vetëm kështu ne gjejmë parajsën tonë.
Janë harxhuar për ato projekte nga 1.5 mesatarisht në 2 miliardë euro, ku pa asnjë diskutim përzgjedhësi i studios së çdo projekti është vetë Padrino, çka do të thotë se vetë Padrino ndan paratë, ndan shumat, ndan favoret.
Është famoze një studio belge që bëri Sheshin Skënderbej, por para sheshit ajo ka bërë sarajet e Surrelit pa asnjë faturë, por e shpërblyer më vonë.
Pra, edhe njëherë dënoj me forcën më të madhe të gjithë këtë veprimtari mafioze kriminale të Edi Ramës.
Dënoj me forcën më të madhe arrestimin, ndalimin dhe shoqërimin që i bëri dje gazetarit holandez që me kurajë denoncoi i parë ose ndër të parët këtë dosje.
U bëjmë thirrje agjencive partnere ndërkombëtare të ndërmarrin çdo hetim sepse është një shans i madh për të zbërthyer në çdo qelizë narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, narkoshtetin e Edi Ramës.




