Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm
Nga Andi Bushati
Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte
Prej një dekade, ose më saktë që pas zgjedhjeve të 2017, kur PS-ja mori timonin e vetme, një debat e ka përçarë shoqërinë në dy grupe të mëdha, ai nëse Edi Rama është një autokrat që largohet dot me zgjedhje? Njëra nga palët pretendonte se, mirë apo keq, Shqipëria mbetej një demokraci, ku pushteti duhej vendosur vetëm përmes kutive të votimit, dhe përderisa kjo nuk ndodhte, ky ishte faji kryesisht i opozitës, por dhe i sistemit të ndryshuar në 2008, i kundërpushteteve të dobta si media apo shoqëria civile e kështu me radhë.
Pala tjetër këmbëngulte gjithnjë e më fort, se kriminalizimi i qeverisjes, fluksi i parave të pista, kapja e drejtësisë dhe televizioneve të mëdha e kishin bërë të pamundur një rotacion politik normal. Sipas tyre, nëse Edi Rama përmbysej, kjo do të ndodhte vetëm me revoltë, pasi ai e kishte uzurpuar aq keq pushtetin, sa nuk kishte ndër mend të shkulej nga karigja.
Ngjarjet e katër muajve të fundit, po sidomos ato të javës që sapo lamë pas e kanë zgjidhur këtë dilemë. Ato treguan se kryeministi është gatshshëm ta ruajë pushtetin dhe me gjak. Dhuna e egër policore, gazi lotësjellës, rrahja e adoleshentëve para kamerave, të gjitha këto nën moton qesharake se “Edi është i vetmi që mund të na çojë në Europë”, e kanë kapërcyer dilemën që na ka munduar prej vitesh. Rama vështirë se i ka lënë vetes mundësinë për një jetë të tretë përtej politikës, ai ose do të mbesë në karrige, ose do të përfundojë në burg.
Por tani, kur kjo gjë është kuptuar thuajse nga të gjithë, idhtarët e “rrugës paqësore”, që në pjesën më të madhe nuk janë gjë tjetër veçse kriptoramisë, kanë ndryshuar lëkurë. Ata pranojnë, sa për sy e faqe, se kjo klikë është diskredituar mes skandalesh të paimagjinuesheme korruptive, ata pohojnë se revolucioni i flamingove nxori në pah një pakënqqësi të madhe popullore, të fshehur deri më tani përmes garave të trukuara elkektorale, por -sepse gjithmonë ka një por- ata dënojnë përshkallëzimin e ditëve të fundit dhe qajnë me lot krokodili shkatërrimet.
Nga dilema e parë ata po reken të imponojnë të dytën? A është zgjidhja tek dhuna?
Le të mundohemi ta shtjellojmë këtë pyetje. Ka një episod që na ndihmon për të kuptuar gjithçka. Ai i një grupi të vogël adoleshentësh të egërsuar që u shkëputën nga turma për të shkuar me gurë drejt Partisë Socialiste. Ata sulmuan selinë, goditën e thyen xhama. Por ky akt, në dukje i papranueshëm, nxori në pah një të vërtetë më të madhe. Atë se partia në pushtet nuk ruhej në mënyrë insititucionale me polici, por nga banda të armatosura paramilitarësh, të cilët përveçse të paligjshëm, ishin formalisht edhe punonjës të IKMT-së, pra paguheshin nga taksat e të gjithëve vetëm për ti shërbyer PS-së. Pra a nuk shërbyen ata gurë mbi xhama për të shpërfaqur në sytë e publikut fytyrën e një partie tashmë të kriminalizuar, bërjen njësh të administratës me rilindjen, të bandave me hunj në dorë me partinë në pushtet?
Po i njëjti krahasim mund të bëhet edhe në episodin e mësymjes violente ndaj ministrisë së arsimit. Nëse ai nuk do të kishte ndodhur, a do të mësonim vallë se vrasja e Klodian Rashës nuk qe një rastësi, por se brenda uniformave blu nuk është një rast i izoluar arketipi i kriminelit gjakftohtë, që të godet për të thyer këmbën pasi të ka çmobilizuar, që ushtron dhunë shtazarake kur vetëm mund të të shoqërojë në mënyrë njerzore, që nuk e ka për gjë të përdori plumbat e gomës madje të të kthejë dhe gurët mbrapsh?
Po po të mos ishte shkulur kalldrëmi në bulevard a do të kishim pasur ne mundësi të shihnim fytyrën e vërtetë të autokratit, që i hakërrehej që në pikë të mëngjesit popullit të vet: “jeni një tufë të paaftësh dhe zliqiqarëshë që nuk më mundni dot me zgjedhje”. A do ta shihnim dot atë duke kërcënuar familjet e protestuesve dhe ndonjë nga gratë e harremit të tij ti shantazhnonte prindrit me moskthimin në shtëpi të fëmijëve?
Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushtet.
Dhe kur ke mësuar këtë, të duken tejet qesharake ato shprehjet standarte se në demokraci në fund vendos vota. Të vjen edhe më për të vjellë me ato debatet në studio televizive, ku marrin përpara dy tre adoleshentë me pyetjet e shpifura: “si do e rrëzoni ju Ramën”, ‘si do shkoni në votime”, “çfarë alternative keni”?
Natyrisht ashtu si këta idiotë të dobishëm, të gjithë e dinë se në fund gjithçka përfundon tek vota popullore. Edhe në një krizë si ajo e vitit 1997, që tani për tani qe më e madhe se kjo e sotmja, ndryshimi i pushtetit u bë përmes zgjedhjeve. Por puna është se si u arrit deri aty. U desh që shteti të binte, që njerëzit të merrnin armët, që Berishës të mos i lejohej në duar asnjë forcë formale apo okulte, sepse në të kundërt ai do të merrte me votime të njëjtin rezultat plebishitar që pati korrur një vit më parë.
Edhe sot, përpara se tu predikojmë atyre adoleshentëve të revoltuar hipokrizinë e rrugës paqësore, përpara se tu kërkojmë llogari për bindjen dhe alternativën politike, ne duhet ti falenderojmë se me guximin e tyre ata po shembin, një nga një, tullat e nje rregjimi kriminal. Pastaj, nëse ia dalin, kushtet do të jenë që gjithësecili të shkojë e të votojë sipas bindjeve dhe preferencave të tij.
Por, tani për tani nuk jemi në këtë fazë, sepse as nuk ka përfunduar plotësisht shpërfaqja e plotë e tipareve të kësaj kaste të dhunshme, as nuk janë shkallmuar përfundimisht barrierrat që shpien drejt lirisë. Vetëm nëse ky proces shkon deri në fund edhe ata që fillimisht i trembeshin asaj që e stigmatizuan si dhunë do të ndërgjegjësohen për fytyrën e një autokracie që e kishte zhveshur këtë shoqëri nga çdo alternativë tjetër.
LAPSI.AL




