Nga “Slava Ukraini” te “Kosova është Serbi”/ Si i zgjoi Zelensky politikanët shqiptarë
Deklarata e Zelenskyt në Beograd tregoi se në diplomaci vendos interesi shtetëror dhe jo entuziazmi i aleatëve, duke lënë në siklet politikën romantike që Tirana dhe Prishtina kanë ndërtuar prej vitesh rreth Ukrainës.
Në përpjekje për të kundërshtuar Vladimir Putinin që vazhdimisht e justifikon agresionin ndaj Ukrainës me rastin e Kosovës, Vladimir Zelenski ka provokuar zemërim në Prishtinë dhe në Tiranë kur zgjodhi pozicionin e kundërt dhe tha se vazhdon ta shohë Kosovën përmes integritetit territorial të Serbisë. Në të dyja kryeqytetet shqiptare deklarata ka lënë një shije të hidhur, sepse që kur nisi lufta më 24 shkurt të vitit 2022, klasa politike ka shfaqur një zell provincial, një propagandë në kufijtë e qesharakes në mbështetje të Ukrainës.
Deklarata e Zelenskit u bë në vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, kur presidenti ukrainas deklaroi se Kievi nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës, duke theksuar se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ai falënderoi Beogradin për mbështetjen ndaj integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë.
Zelenskin nuk e pengoi fakti se Serbia vazhdon të mbështesë sovranitetin territorial të Ukrainës, por prej vitesh refuzon t’u bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe ruan marrëdhënie të ngushta politike me Moskën.
Nga ana tjetër, Kosova, ndonëse nuk njihet nga Kievi, është rreshtuar pa mëdyshje në krah të Ukrainës, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, duke pritur refugjatë, gazetarë dhe duke ofruar trajnim për ushtarakët ukrainas.
Pikërisht për këtë arsye, deklarata e Zelenskit u duk se rrëzoi vite të tëra propagandë për luftën në Ukrainë, duke nxjerrë bllof politikanët shqiptarë nga të dyja anët e kufirit.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca kundërshtoi deklaratën e Zelenskyt, duke i mbetur gjithsesi qëndrimit në mbështetje të luftës së Ukrainës. “Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, deklaroi ai.
Sipas tij, “Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për të përdorur Kosovën si precedent apo si justifikim për pushtimin, okupimin ose përpjekjen për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe juridikisht të pavërteta. Nuk ekziston një paralele e tillë”.
Në të njëjtin reagim, Konjufca solli në vëmendje edhe një tjetër paradoks të vizitës së Zelenskyt në Beograd: “Po aq e rëndësishme është të rikujtohet një dallim i qartë: përderisa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është përafruar me sanksionet e BE-së të vendosura në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.”
Por pak orë më vonë Komuna e Prishtinës hoqi flamurin “Free Ukraine”, të vendosur në qendër të qytetit që prej fillimit të luftës në shenjë solidariteti me Ukrainën.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, deklaroi kryetari Përparim Rama.
Edhe Shqipëria iu përgjigj deklaratës së Zelenskyt, por me një gjuhë më diplomatike. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme theksoi se
“Nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të tërhequr paralele apo për të barazuar Kosovën me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe krejtësisht e pasaktë.”
Tirana kujtoi gjithashtu opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke nënvizuar se “Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, GJND-ja ishte e prerë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër.”
Zemërimi në Tiranë u shfaq edhe në rrugë. Gjatë protestës që zhvillohet çdo mbrëmje para Kryeministrisë, një pjesë e protestuesve u ndalën para Ambasadës së Ukrainës duke brohoritur “UÇK, UÇK”, në shenjë pakënaqësie ndaj deklaratës së Zelenskyt. Një episod simbolik por që tregon zhgënjimin që ka provokuar fjalia e presidentit ukrainas, si një legjitimim i narrativës serbe për Kosovën.
Duhet thënë se në Tiranë u zhvillua për më shumë se dy vjet një garë e ethshem se kush do të shfaqej më entuziast në mbështetje të Ukrainës. Nisi në fillim të luftës, në mars 2022, kur Erion Veliaj vendosi t’i ndryshonte emrin rrugës ku ndodhej ambasada e Rusisë në “Ukraina e Lirë”, me argumentin se diplomatët rusë do të detyroheshin të merrnin postën në një adresë që u kujtonte rezistencën ukrainase. Më pas erdhën marshimet në Tiranë me flamuj ukrainas dhe thirrjet “Slava Ukraini”, ku në krah të Veliajt u rreshtuan ambasadorja amerikane Yuri Kim, ministra dhe drejtues të lartë të shtetit shqiptar. Në shkurt 2024, Edi Rama organizoi në Tiranë samitin “Ukraina – Europa Juglindore”, duke pritur për herë të parë Volodymyr Zelenskyn dhe duke e kthyer kryeqytetin në një tribunë rajonale në mbështetje të Kievit. Mes këtyre nuk munguan as udhëtimet simbolike me tren drejt Kievit të zyrtarëve shqiptarë, deklaratat solemne dhe gjestet publike të solidaritetit. Ishte krijuar përshtypja se në Tiranë zhvillohej një garë se kush do të binte më shumë në sy në sytë e administratës amerikane dhe aleatëve perëndimorë.
Deklarata e Zelenskyt mund të ishte kaluar si pirueta e radhës e një udhëheqësi në luftë që bën llogaritë e tij, por duhet thënë se politikanët shqiptarë, duke pasur servilizmin si strategji, kanë krijuar kudo idenë e një mbështetjeje romantike për luftën dhe marrëdhëniet me Ukrainën. Duke harruar se në marrëdhëniet mes shteteve prevalon interesi. Servilizmi pastaj është thjesht rruga më e shkurtër për të dalë bllof./Lapsi.al




