Gazetarja: Materiale të SHISH për zyrtarë të rëndësishëm shtetërorë ju gjeten Agasit
Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me materialet e klasifikuara që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Ergys Agasit, pas arrestimit të tij. Gazetarja Klodiana Lala deklaroi në emisionin “Opinion” se në pajisjet e sekuestruara janë zbuluar materiale sensitive të Shërbimit Informativ Shtetëror, përfshirë informacione që lidhen me zyrtarë të rëndësishëm të shtetit.
Sipas Lalës, gjatë operacionit për arrestimin e Agasit në zonën e Plepatit, autoritetet sekuestruan tre telefona celularë dhe një pajisje tjetër elektronike. Nga këto pajisje, sipas saj, janë zbuluar materiale që lidhen me përgjime dhe vëzhgime të kryera nga SHISH.
Një element që gazetarja e konsideroi veçanërisht të rëndësishëm është komunikimi mes Agasit dhe ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Lala tha se në një prej celularëve janë gjetur 503 materiale komunikimi me Hysenin. Sipas saj, komunikimet përmbanin të dhëna mbi takime të Hysenit me partnerë ndërkombëtarë, por edhe informacione mbi takimet me kryeministrin Edi Rama.
Sipas gazetares, në këto komunikime përmendeshin edhe diskutime që lidheshin me lëvizje brenda qeverisë, ndërsa informacionet për takimet dhe zhvillimet politike i përcilleshin më pas Agasit.
Por pretendimet e bëra publike shkojnë edhe më tej.
Lala deklaroi se prokuroria ka dyshime se disa zyrtarë shtetërorë mund të jenë vëzhguar nga struktura e SHISH për shkak të konflikteve apo përplasjeve që ata kishin pasur me Ergys Agasin.
“Prokuroria ka dyshime që zyrtarë të shtetit, për shkak të përplasjeve me Agasin, janë vëzhguar nga Hyseni dhe materialet janë përdorur kundër tyre”, deklaroi gazetarja.
Ajo përmendi gjithashtu një marrëdhënie të veçantë mes Agasit dhe ish-drejtores së SHISH, duke thënë se Vlora Hyseni e përplaste Agasin me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Nëse këto dyshime do të provohen gjatë hetimit, çështja do të ngrejë pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si janë administruar informacionet sensitive të SHISH dhe mbi personat që kanë pasur akses në to.
Lala paralajmëroi se pasojat e kësaj çështjeje mund të jenë afatgjata për institucionin e inteligjencës shqiptare, duke u shprehur se “pasojat e asaj që ka ndodhur me SHISH do të ndihen në 10 vitet e ardhshme”.




