Tërhiqet SPAK/ Zhbllokohen paratë e Zvërnecit

Tërhiqet SPAK/ Zhbllokohen paratë e Zvërnecit

Prokuroria e Posaçme ka bërë nje hap pas duke zhbllokuar paratë e projektit të Zvërnecit të ardhura nga vëllezërit Khayyat. Mësohet se SPAK ka urdhëruar lirimin e 195 milionë dollarëve që investitorët nga Katari kishin sjellë përmes Bankës Kombëtare Tregtare për të financuar blerjen e tokës, ku do të ndërtohet resorti.

Sipas burimeve motivi i bllokimit të fondeve nuk ka qenë origjina e tyre. Fondet kanë qenë tërësisht nga burime të ligjshme, pasi vëllezërit Khayyat zotërojnë një perandori miliarda dollarëshe. Por bllokimi duket se ka qenë për të parandaluar transaksionin e shitblerjes së tokave.

Fondet qëndruan të bllokuara për tre ditë dhe vendimi për lirimin e llogarive duket se është marrë për të shmangur pasoja të mundshme ligjore dhe përballje në arbitrazh ndërkombëtar, pëderisa paratë vinin nga burime të certifikuara.

Megjithatë është e paqartë nëse lirimi i fondeve mund t’i hapë rrugë transaksioneve për blerjen e pronës nga investitorët. Kjo pasi SPAK është duke hetuar origjinën e pronës.

Hetimi lidhet me dyshimet për një skemë të mundshme të kalimit të pronave shtetërore në pronësi private. Në fokus të verifikimeve ndodhet edhe Artur Shehu, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe përmendet nga burime hetimore si një nga personat që dyshohet se ka pasur rol në procesin e pretenduar të tjetërsimit të pronave.

Share it :