Në stadiumin Arena Kombëtare (ish Qemal Stafa) në Tiranë po zhvillohet dueli mes Elbasanit dhe Egnatias së Rrogozhinës në kuadrin e Final Four të Kampionatit Kombëtar të Futbollit (Abissnet Superiore).
Në tribunën Gold VIP ku gjendet një numër i pakët spektatorësh, siç shihni këto foto që ju sjell noa.al, gjendet dhe Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit në detyrë të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili gjendet në burg prej mëse 15 muajsh nën disa akuza penale.
Ajola Xoxa ndodhet në tribunën VIP duke parë duelin mes Elbasanit dhe Rrogozhinës, bashkë me djalin e saj dhe drejtoreshën e tatimeve të bashkisë Tiranë.

Gjyqi nisi në mars
Këtë të hënë (9 mars), nisi seanca e parë e gjyqit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Në proces janë të përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe disa persona të tjerë të lidhur me dosjen.
Në seancë nuk u paraqit Ajola Xoxa. Avokati i saj bëri me dije se mungesa lidhet me arsye shëndetësore. Maks Haxhia tha para trupës gjykuese se klientja e tij nuk mund të marrë pjesë në seancë për arsye shëndetësore.
Sipas Haxhias, Xoxa është shtatzënë dhe mjeku i ka ndaluar të paraqitet në gjykatë.
Klientja është në pamundësi shëndetësore. Është shtatzënë dhe mjeku ia ka ndaluar të vijë në seancë. I kam kërkuar që të sjellë edhe aktin e mjekut,” u shpreh avokati.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg./NOA




