Gazetari që ‘preku’ lidhjet e errëta me Shqipërinë merret në mbrojtje: denoncimet për njerëzit e Ramës dhe kartelet…
Gazetari investigativ italian, Nello Trocchia, është marrë nën mbrojtje nga autoritetet italiane pas kërcënimeve serioze me jetë, të cilat lidhen me hetimet e tij mbi mafian, narkotrafikun dhe lidhjet e krimit të organizuar me Shqipërinë.
Trocchia ishte ndër të parët që bëri publik takimin e zhvilluar në Aruba, ku sipas investigimeve të tij, përfaqësues pranë qeverisë së Edi Ramës janë takuar me eksponentë të karteleve të drogës për çështje që lidhen me pastrimin e parave në Shqipëri.
Vendimi për mbrojtjen e gazetarit është marrë nga Prefektura e Romës dhe Zyra Qendrore Ndërforcave për Sigurinë Personale, në varësi të Ministrisë së Brendshme italiane. Ndërkohë, kërcënimet ndaj tij po hetohen nga Drejtoria Rajonale Antimafia e Romës
Sipas mediave italiane, presionet ndaj gazetarit janë shtuar muajt e fundit, si përmes rrjeteve sociale, ashtu edhe përmes formave direkte të intimidimit.
Nello Trocchia është autor i librit investigativ “Të Pamposhturit – Mafia shqiptare nga Roma drejt pushtimit të botës”, ku përshkruan fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe depërtimin e tyre në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Në libër, ai analizon se si organizatat kriminale shqiptare kanë krijuar aleanca me struktura mafioze italiane si Camorra dhe ’Ndrangheta, duke shtrirë ndikimin e tyre në Europë dhe Amerikën Latine.
Por ajo që ka shkaktuar më shumë reagime është denoncimi i tij mbi takimin në Aruba, ku sipas gazetarit, figura të lidhura me qeverinë shqiptare kanë diskutuar me kartelet e drogës për pastrimin e parave të pista në Shqipëri — një akuzë që hedh hije të forta mbi imazhin e vendit dhe raportet mes politikës e krimit.
Pavarësisht kërcënimeve, Trocchia deklaroi se nuk do të tërhiqet.
“Institucionet kanë vendosur të rrisin nivelin e mbrojtjes ndaj meje me caktimin e një truproje. Do të vazhdoj të tregoj histori mbi territore të pushtuara nga pushtetet kriminale dhe heshtjet që i mbajnë gjallë ato”, u shpreh gazetari italian.
Rasti i tij po konsiderohet në Itali si një tjetër alarm serioz për rrezikun që përballin gazetarët investigativë, sidomos kur hetimet prekin lidhjet mes mafias, politikës dhe pastrimit ndërkombëtar të parave.
Syri net




