Alimehmeti thirrje për protestën e 8 majit: Të gjithë bashkë t’i themi boll kësaj qeverie!
Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti, gjatë fjalës së tij në Foltoren në njësinë nr. 5 në Tiranë, bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën kombëtare të 8 Majit.
Ai akuzoi qeverinë përkapje të shtetit, korrupsion dhe dështime në sektorë kyç si shëndetësia, infrastruktura dhe siguria, duke theksuar se reagimi qytetar është i domosdoshëm.
Ilir Alimehmeti: Të nderuar miq, të nderuar demokratë, të nderuar qendrestarë. I nderuar zoti Myrta, kryetar i degës 5, zoti Këlliçi, zonja Garo, i nderuar profesor doktor Sali Berisha.
Jemi këtu vetëm pak ditë përpara protestës kombëtare datës 8 maj. Protestë e cila nuk është se bëhet kjo sepse kemi ne dëshirë, por sepse nuk jemi dakord ne me çfarë i ndodh këtij shteti, nuk jemi dakord ne që një grusht njerëzish me në krye Edi Ramën, ndihmuar nga Balluku e ndonjë tjetër, ta ketë kapur këtë shtet të plotë. Nuk jemi dakord ne që të rinjtë tanë ikin sepse këta kanë kapur gjithçka. Nuk jemi dakord ne se fëmijët tanë mos kenë sigurinë në rrugë apo në shkollë. S’mund të jemi dakord kur me një të rënë të lapsit Belinda Balluku i merr 50 milionë euro për një copë rruge, sa rrugë ka bërë ajo të tilla. E nga krahu tjetër ne, kur ecim në ato rruga, ato tunele nuk ndihemi të sigurt me familjet tona.
S’mund të jemi ne dakord që kur hamë nuk e di se çfarë sigurie ushqimore kemi. Nuk mund të jemi ne dot dakord që na del një ministre e shëndetësisë dhe thotë po deri datë 20 të muajit ka analiza, mbas datës 20 me kismet, s’mund me datë një, sepse pret. Nuk mund të jemi dakord neve që të jepet shëndetësia me koncesion, të jepet arsimi me koncesion, të jepet siguria me koncesion. Për të gjitha këto elemente, neve më datë 8 maj duhet të jemi atje. Se në fund fare të ditës po të shihni juve, edhe këtu te dega pesë, keni një shkollë Besnik Sykja, u inaugurua, sapo u inaugurua u përmbyt, në qoftë se e mbani mend. Shiu i parë që hyri përmbyti shkollën.
Një poliklinikë e cila u përmbyt komplet bazamenti, apo jo? Sapo u përurua dhe ajo menjëherë. Pra po t’i shihni që në nivel mikro deri në nivel makro, ne shohim dorën e këtij shteti, që sytë i ka vetëm për t’u uzurpuar, sytë i ka vetëm për të abuzuar, por nuk i ka aty për të shërbyer. E për këto ne duhet t’i themi boll. Duhet t’i themi mjaft e për këtë me datë 8 ju ftoj të gjithëve të jemi aty, të gjithë bashkë për t’i thënë që ne me guximin tonë, me qëndresën tonë do t’i themi boll kësaj qeverie. Vetëm kështu ne shkojmë drejt fitores.




