Media greke ‘zbërthen’ skemën e funksionimit të call center-ave me bazë në Tiranë: Si rrjeti përfitoi 50 mln euro
Operacionet e call centerave në Shqipëri kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave greke, të cilat shkruajnë se këto organizata kriminale kanë mashtruar edhe shtetas grek.
Protothema në një artikull të saj thotë se këto call centera ishin ndërtuar sipas modelit të një korporate të madhe me rreth 450 punonjës, me bazë në Tiranë.
Operacioni për gaditjen e tyre u zhvillua në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust, duke çuar në arrestimin e të paktën 10 personave të dyshuar dhe sekuestrimin e qindra pajisjeve elektronike dhe afro 900 mijë eurove.
Skema e mashtrimit
Nga selia e tij në Tiranë, rrjeti kishte shtrirë aktivitetin në disa vende europiane, përfshirë Greqinë. Viktimat kontaktoheshin përmes telefonatave që dukeshin sikur vinin nga vende të besueshme si Belgjika apo Britania e Madhe, ndërsa në realitet origjina ishte Shqipëria.
Mashtruesit prezantoheshin si këshilltarë investimesh dhe premtonin fitime të menjëhershme dhe të sigurta nga investimet në kriptomonedha. Në raste të caktuara, ata synonin edhe persona që kishin humbur para më parë, duke u premtuar rikuperim të humbjeve dhe fitime shtesë.
Strukturë e organizuar si kompani
Struktura funksiononte me hierarki. “Agjentë” që kontaktonin “viktimat”, drejtues ekipesh dhe menaxherë të call center-ave.
Agjentët paguheshin me paga mujore 800 euro plus bonues, duke punuar në grupe sipas gjuhëve të huaja, përfshirë anglishten, gjermanishten, italishten, spanjishten dhe greqishten.
Hapi i parë për ‘viktimat’ ishte depozitimi i një shume fillestare prej rreth 500 eurosh në portofolë dixhitalë. Më pas, presioni dhe manipulimi psikologjik intensifikoheshin për të nxitur transferta të mëtejshme, pa kufi.
Hetimet dhe goditja
Rrjeti arriti të përfitonte rreth 50 milionë euro, një pjesë e konsiderueshme e të cilave dyshohet se vjen nga qytetarë grekë. Rritja e ankesave, veçanërisht në Austri në vitin 2023, çoi në krijimin e një task-force ndërkombëtare.
Hetimet zbuluan aktivitetin në disa zyra dhe banesa në Tiranë, ku u sekuestruan qindra kompjuterë, telefona dhe pajisje të tjera digjitale.
Sipas ekspertëve të Europol, ky rast pritet të shërbejë si model studimi për mënyrën sesi organizatat kriminale mund të funksionojnë me efikasitet të ngjashëm me kompanitë legjitime, duke shfrytëzuar teknologjinë dhe strukturat moderne të biznesit për qëllime mashtruese.




