Teatri i paturpësisë alias diplomacisë
Nga Luçiano Boçi/
Ka një moment në diplomaci kur buzëqeshja nuk është më protokoll, por maskë.
Pas saj mund të ketë dhe skena si kjo me foton Meloni – Rama, në formën e një përqafimi që duket më shumë si kapje, formën e një gjesti që përsëritet aq shpesh sa nuk mund të quhet më spontan.
Është bërë zakon i veshur me tisin e paturpësisë.
Dhe zakonet në politikë, sidomos ato fizike, zakonisht fshehin diçka më pak të pafajshme se sa duken.
Shkrepja përqafuese Rama – Meloni që pretendohet si afeksion publik, ngjan më shumë me një teatër të vjetër ku rolet janë të ndara e njëri dominon ndërsa tjetri duron.
Nuk është thjesht një përqafim.
Është një ndërhyrje në hapësirën personale, e paketuar si “ngrohtësi ballkanike” për konsum ndërkombëtar.
Këtu në fakt fillon problemi.
Sepse kur një gjest bëhet i përsëritur, ai nuk është më rastësi.
Është sjellje.
Është stil.
Është dhe paturpësi me diplomaci.
Dhe ky stil, sado që mundohet të shitet si karizëm apo spontanitet, në fakt ngre pikëpyetje serioze mbi kufijtë, respektin dhe mënyrën si përfaqësohet një shtet në arenën ndërkombëtare.
Diplomacia nuk është shfaqje varieteti e sikleti.
Nuk është vend për “performanca” trupore që e kthejnë tjetrin në aksesor skene.
Është një art i maturisë, i distancës së duhur, i respektit reciprok. Kur kjo humbet, mbetet vetëm një lloj vulgariteti i veshur me kostum zyrtar.
Në fund, nuk është çështje morali privat se personazhi me mjekër ka kohë që ka bërë divorc me moralin.
Është çështje standardi publik.
Sepse kur përfaqësimi i një vendi reduktohet në gjeste që krijojnë siklet, atëherë problemi nuk është më fotografia.
Është mesazhi që ajo dërgon.
Dhe mesazhi këtu është i qartë. Kur mungon serioziteti, teatri zë vendin e diplomacisë.
Ndërsa publiku, si zakonisht, mbetet duke parë një skenë që nuk di nëse duhet ta duartrokasë apo ta refuzojë.




