Kronika’ pushtohet nga Muza dhe zdërhallet në vargje për qeverinë!

‘Kronika’ pushtohet nga Muza dhe zdërhallet në vargje për qeverinë!

Nga Agron Gjekmarkaj

Pas vitesh, muajsh, javësh, ditësh e netësh të stërlodhshme, kur bëmat e trimave, trimëreshave, mendonjësve, kalemxhinjve, qatipëve, zaptijeve, oborrtarëve dhe qilarxhinjve e qylaxhinjve të Kombit që” Kronika” ymri i së cilës u lartoftë, ja dha miletit në prozë, papritmas “ Kronikani” u pushtua nga frymëzimi, delli, dalldia dhe muza.

E pse, mendova, të mbetem skllav i prozës dhe të mos lëvroj edhe poezinë, kur talenti e mendimet më lëvrijnë sa nga shpirti te pena?

Për më tepër, që kohët e fundit kam qenë pak si në delir, me disa takime në anë të ndryshme të Globit, ku krahas halleve të mëmëdheut, Tabirit e Partisë ( për ata që nuk e dinë “Tabir”, tek “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë thirrej godina e cila nënkuptonte me alegori Komitetin Qendror të PPSH aty ku ne kemi zyrat sot) , kontrollova nëse aty kishte arritur edhe “Kronika” dhe protagonistët e saj.
Vetëm diellin dhe shiun nuk bën dot” Kronika”, ja ushqeva madhështinë vetes, të tjerat as i ka në kandar!

Do shkruaj në vargje, nami u bëftë, pranverë është, gjaku vlon, të gjithë ndihemi poet, kush popullor, kush i rafinuar!

Dhe nëpërmend më shkoi fakti që edhe vetë Kostaqi, i cili pasi ka mbyllur në sepete, ashtu pa zhurmë, siç di ai, mantelet e Gramozit, Linditës dhe Mamicës, pasi i hekurosi dhe u vuri ilaç kundër mykut, është bërë thjesht e me modesti Kostaqi i Nikos, në këto kohë tranzicioni zyrash gjeti kohën dhe botoi një libër që e pagëzoi “Kronika e emigrimit në vargje”.
Hëm, thashë me vete, Kostaqi, si De Rada, e derdhi talentin në vargje, ti çfarë pret o kopuk, pafidhe, delenxhi, palo kronikan? Kostaqi jo vetëm kaq, po gjen kohë të marrin mushka dhe ti ngjiten Moravës me Nikon, duke treguar rrëfenja , pjekur gështenja e pushuar ndanë krojeve!!!

Do shkruash vetëm në prozë si Evlija Çelebiu, pyeta veten? Ndërgjegjja mu përgjigj- jo mor bir, ti mund të bëhesh poet e shkuar poetit ! Jepu pas vargut !

Në këtë zhurmë, më shtyu sa zilia aq ndjenja e detyrës e me shumë nevoja jetike që kolegët kanë për këngë!
Këtu do të shkruaj, do të të bëj terbiet moj qene, iu drejtova poezisë që mbaja brenda vetes, si vlonjati vajzës krenare që nuk ia ndante sytë.

Këtu më lindi dilema e dytë. Mirë që do shkruaj poezi e këngë, po nga do ta nis? Se kënga kërkon sakrifica, jo gjepura. Si ajo puna e personazhit të Kadaresë që kërkoi tërë jetën t’i kushtohej një këngë dhe nuk ia kënduan.
As kur vrau gjaksin në mes të kafenesë, pa pasur radhën, as kur rrëmbeu dhe u martua me një vajzë që nuk e dashuronte, as….., as…. Kënga kërkon kokë, i tha një ditë duke i lexuar merakun në fytyrën e pakënaqur, plaku i mençur i katundit. Dhe ashtu, të uritur për këngë, e zuri një plumb qorr dhe u vra, kur nuk e priste, buzë rrugës.
Në buzëmbrëmje, bashkë me një grup dasmorësh kaloi aty një rapsod dhe të nesërmen tërë krahina mësoi një këngë të re, që i kushtohej një të panjohuri, të vrarë në të dalë të fshatit, një mbrëmje me shi.

E gjeta, thashë me vete. Heronjtë e këngës sime në fillim do jenë patjetër ata që flasin përmes shembullit personal.

Në radhë presin të rënët nga vakti, që Babua, i ka sikter-evleter:

Moj Mamica arberore,
Politiken more për dore
E veshur me të bardha
Pas shpinës nuk hengre dardha!
Ne plate u ule me ne
Na sheh si për mbi re
Nallbaja po zë be !
Për atë leftojmë ne !
Rrëzojmë Babon me Kope!

Plot Tabiri harabela
Çka që lëngon Bela
I ka marrë malli ,eja
Se të pret Asambleja!

E provoi më parë Ditmari,
Nip stërnip nga Bushatllinjtë,
S’është më ai pari,
Luan luftash me dinakët!

Dhe Damua tani një ish,
Se i humbi gjithë ç’kish,
Ha përshesh, i duket dollmë,
I thotë Babua, bëj reformë.

Taulant, në Diasporë,
Dukesh si në Purgator,
Zgjidhe, or bre burrë mish-mashin,
Mos ndiq më, si dhelpra dashin.

Ervin Hoxha, palikari,
Një buzëqeshje s’më fali,
Me nishane nga Stambolli,
Erdhi, iku, një fjalë s’foli.

Të ardhurit në Hyqmet rishtaz meritojnë edhe ata vargjet e tyre qafiret, se kanë nevojë të bëhen të njohur dhe Kronika i ka këto mundësira, yxhylera e shpërndan ylyfe sipas simpative!

Allahile, shoqja Qefsere,
Vështron si nga Belvedere,
Te karrikja ku qëndroni,
Kanë qenë Mamica dhe Toni!

Lamallari, e tret besën,
Siç e shkrin dielli vesën,
Do kujtohesh, mor i ngratë,
Veç si derdimen i gjatë.

Sypetriti, pak na ndriti,
Financat në dritë s’i qiti,
Rrugët në mes të mos mbesin,
Ky kaqol s’e mbyll kurrë thesin.

Blendi Gonxhë, Blendi Gonxhë,
Mirëushqyer je me jonxhë,
Si i Kulturës Vezir,
Kurrë s’ke për të bërë hair.
Si kungull Vraket, ke rradaken,
Transoqeanik e ke nafaken!

Si përherë shoqja jonë Tezja,
Ndodhet ku është shtruar mezja,
Nga Turizmi, në Arsim,
S’e beson as Tërmeja trim!

Ja dhe Enea Laraska,
Gjithnjë plot i mbeti trasta,
Fort po bie njajo lodër,
Erdh lider i ri në Shkodër.

Qahet poshtë e lart Toni
Nga mua vallë ç’kërkoni
Unë nuk jam Ksenofoni
Por një kapak bidoni !

Nga një Nuf e një Ermal,
Rutte seç ka rënë në hall,
Gjeneralët lebetiten,
Përpëliten e kapiten.

Dhe tebdil na vjen Sofiani,
I kapluar në mejtime,
Thotë hani, djema, hani,
Po s’ka bukë, mblidhni thërrime.
Ka një brengë e një zaman,
Për një thagmë, për një derman!

Ogi, qerrateshë e vogël,
Ngrehu, dil në sipërfaqe,
Nuk ke kundërshtar një gogël,
Firaunin Erjon Braçe.

Blendi Klos, mor Blendi Klos,
Sekretar e veteran,
Kurrë durimi nuk tu sos,
Dhe pse kaq kohë je mënjanë!
Qan e fshan e zâ nuk bân!

Ervin Demo me gisht në gojë
Nuk e di që Babo bën lojë
Zëvendës Kryeministër desh evlaja
Me Koçinë e zu belaja!
Duro se s’u bë hataja
O Ogiç nga Kasabaja!

Në fund dy vargje për Nikon,
Ky esnaf, me mandolinë
Një dorë frenat, një timonin,
Spiker për Shqipërinë.

Mbi kuvli ligjëron,
butë e ëmbël , pak maraz,
Shpirt i tij di si duron,
Bardhin Sypatrembur Gaz!

Këtu vendosa ta mbyllja, ushtrimin tim të dytë në poezi pas suksesit që pat i pari për vit të ri duke marrë edhe mbështetjen kritike të Dhurata Çupit e cila gëzon miletin me të shtyrën që i bën “Kronikës” prr të dalë sa më shpejt në mexhlis!
I pushtuar nga një dozë vetëkënaqësie, a thua isha i famshmi poet helen Adriani, që shkruante poema epike për Aleksandrin e Madh, hodha nga sytë nga Dajti. Rrezet e para të Diellit derdheshin mbi Tiranë dhe përkëdhelnin ballkonin tim, që bujarisht sheh nga Lindja, ndërkohë që i zoti mendon nga Perëndimi. I stërkënaqur, mërmërita pa asnjë dozë mbivlerësimi: këndo o Muzë, frymëzimin e “Kronikës”.

Dhe mu fanëps si në ëndërr, ai dallamanga Genc Gjonçaj, Kryeqatipi i Tabirit që si një zdap i stërgjatë hyri në sallën plenare të personazheve të mi, i ndjekur nga dy qatipët e vet te cilët me sollën si peshqesh një makinë lodër Hyndai!
Lajmësit e Kronikës në grupin parlamentar të PS informojnë se Dilua me Termenë në gjaknxehtësi , në rrëmbim e sipër kanë vendosur që nëse “kronika” do të vazhdojë me këto qesendisje duhet urgjent një kopanisje ku i dhëmb e ku i djeg më shumë, kurrizin më të butë se barkun, siç hije i ka kronikanit!
U bëftë def mandati i deputesë dhe hallall dy tre vjet burg po ani të shpëtojnë shokët nga ky siklet! Bora u përlot nga vetmohimi!
Ardhtë ajo ditë e bardhë mermeriti Tezja! Dëgjoi Mamica e ju tha- rriheni- rriheni- por ishit “të vdekur” e ju bëri “të gjallë” që kur mes nesh si medaljoni i hënës u shfaq “Kronika” ! Pa të nuk do ju njohin as robt e shtëpisë do harroheni !! Lavdia e saj s’ka nevojë për asgjë e jona ka nevojë për të dhe i la ashtu të ndërdyzuar mes inatit dhe frikës!

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :