Qeveria dhe fajdexhiu
Nga Grigels Muçollari
Ka një figurë që përgjithësisht e njeh çdo shoqëri: fajdexhiu. I cili, në fakt, nuk është thjesht ai që jep para me interes. Është ai që pret. Që llogarit dobësinë. Që e di se momenti i vërtetë i fitimit nuk është kur merr borxhin, por kur tjetri nuk arrin ta kthejë në kohë.
Në atë moment fillon loja e vërtetë.
Interesi rritet. Kushtet shtrëngohen. Dhe qëllimi zhvendoset nga “kthimi i borxhit” në “marrjen e gjithçkaje që ka mbetur”. Sa më shumë vështirësi të ketë borxhliu, aq më i lartë bëhet përfitimi.
Ky mekanizëm, që zakonisht e lidhim me ekonominë informale, sot reflektohet në mënyrë shqetësuese edhe në qeverinë Rama. E cila, në vend që të zbusë efektin e krizës së çmimeve, po përfiton prej saj.
Çdo rritje e çmimit të karburantit nuk është vetëm barrë për qytetarin, por edhe e ardhur shtesë për buxhetin. TVSH-ja rritet automatikisht, pa asnjë reformë, pa asnjë përpjekje. Thjesht sepse qytetari paguan më shumë për të njëjtën gjë.
Dhe këtu lind ngjashmëria thelbësore.
Ashtu si fajdexhiu nuk e lehtëson borxhin kur borxhliu është në vështirësi, edhe shteti nuk ul barrën kur qytetari goditet nga kriza. Përkundrazi, e ruan atë, madje përfiton prej saj. Barra fiskale mbi karburantet tek ne mbetet ndër më të lartat në kontinent, dhe çdo litër i shtrenjtë për qytetarin është një litër më fitimprurës për arkën e shtetit.
Sipas të dhënave, këto javë të krizës prej zhvillimeve në Lindjen e Mesme, qeveria ka arkëtuar 4.5 milionë euro më shumë taksa sesa merrte në rutinën e saj.
Ndërkohë, masat lehtësuese janë minimale, të përkohshme dhe shpesh të vonuara. Jo si zgjedhje politike, por si reagim ndaj presionit. Vetëm kur situata tensionohet, kur transporti ndalet, kur pakënaqësia del në sipërfaqe, vjen një lëshim i vogël.
Edhe kjo është pjesë e së njëjtës logjikë.
Fajdexhiu nuk lëshon sepse papritur dëshiron të ndihmojë. Lëshon vetëm kur rrezikon të humbasë kontrollin. Deri në atë pikë, ai pret. Ashtu si qeveria që nuk ndërhyn për të mbrojtur qytetarin, por për të ruajtur të ardhurat.
Për të mos folur më pas se si i shpenzon, por le të fokusohemi tek thelbi i problemit, i cili nuk është vetëm ekonomik. Është një çështje incentivi dhe morali publik.
Të ardhurat shtesë që mblidhen nga rritja e çmimeve nuk janë rezultat i zhvillimit, as i zgjuarsisë fiskale. Janë para që dalin drejtpërdrejt nga xhepi i qytetarëve, vetëm sepse tregu është bërë më i shtrenjtë. Me pak fjalë, vetëm se qytetari bëhet më i varfër. Në një qasje normale, këto para do të duhej të riktheheshin pjesërisht për të zbutur goditjen: përmes uljes së përkohshme të taksave, mbështetjes për transportin, bujqësinë apo familjet me të ardhura të ulëta.
Por kjo nuk ndodh.
Sepse në këtë model, kriza nuk shihet si një barrë për shqiptarët, por si një mundësi që nuk duhet humbur.
Kemi të bëjmë me një qeveri që sillet si një kreditor i pangopur ndaj qytetarëve më të varfër në Europë.
Diferenca mes një shteti dhe një fajdexhiu duhet të jetë e qartë. I pari ekziston për të mbrojtur, për të balancuar, për të shpërndarë drejt barrën e krizave. I dyti ekziston për të përfituar nga to.
Kur kjo diferencë nuk dallohet më, problemi nuk është më vetëm ekonomik. Është thelbësor. Dhe si i tillë, presioni nuk është më zgjidhje që korrigjon qeverisjen, por si instrument që e largon atë.
Këtë ka nevojë Shqipëria sot.




