Kur bie një regjim si ky i joni?
Nga Hysni Gurra
Që Shqipëria është sot një regjim autoritar që vishet me petkun e demokracisë, këtë e ka kuptuar edhe Elisa Spiropali, deri dje pjesë e këtij sistemi, sot viktimë e tij.
Ndonjëherë, për të kuptuar se çfarë ndodh rreth e rrotull, duhet ose ta pësosh si Elisa, ose të dalësh vetë vullnetarisht nga rreshti dhe të kuptosh se si është realiteti.
Po pranohet gjerësisht tashmë edhe nga socialistët se regjimi i Ramës nuk mbështetet vetëm te frika, por edhe te iluzioni — iluzioni i zgjedhjes, i ligjit, i përfaqësimit. Edhe ata e kanë kuptuar që nuk janë të zgjedhur nga populli, por të përzgjedhur nga regjimi për të qenë deputetë, ministra e kryetarë bashkish, thënë ndryshe shërbëtorë të një njeriu e jo të popullit.
Në sipërfaqe duket se gjithçka funksionon: ka zgjedhje, institucione, ndarje pushtetesh. Por pas fasadës, vota është vjedhur, institucionet janë të kapura dhe pushteti i përqendruar vetëm në një dorë.
Hannah Arendt e përshkruante këtë si një nga format më të rrezikshme të dominimit: jo thjesht shtypje fizike, por deformim i realitetit. Kur njerëzit nuk janë më të sigurt se çfarë është e vërtetë e çfarë gënjeshtër, atëherë rezistenca bëhet e vështirë.
Prandaj, rrëzimi i një regjimi të tillë nuk fillon zakonisht me një akt të vetëm dramatik, por me një proces kthjellimi. I cili duket se ka nisur.
Historia tregon se cilat janë disa rrugë më pas që çojnë rënie të këtyre regjimeve:
Së pari, erozioni i legjitimitetit: kur zëra të brendshëm nisin të shohin realitetin në sy dhe të mos ndihen legjitimë në postet që mbajnë. Këtë e kanë shfaqur shpesh të ashtuquajturat revolucione të Kadifenjta. Pra, regjimi nuk shembet nga një përplasje e dhunshme, por nga humbja graduale e besimit nga brenda dhe ai publik. Kur qytetarët fillojnë të mos e marrin më seriozisht propagandën dhe të sfidojnë narrativën zyrtare — qoftë edhe në mënyra të vogla — pushteti fillon të zbehet dhe lideri të duket i zhveshur nga autoriteti. (Shihni një video të një studenti që tallet me Ramën për negociatat. Duket që fjalët e tij, të thëna në sy kryeministrit, janë një kufi ndarës mes frikës dhe rebelimit.)
Një regjim që pretendon të jetë demokratik ka nevojë për këtë iluzion; kur ai thyhet, themelet lëkunden.
Opozita?
Kemi një shembull nga lëvizja Solidarnos në Poloni: kombinimi i unitetit të opozitës dhe shoqërisë civile.
Në Poloni, lëvizja Solidarnos tregoi se organizimi kolektiv mund të sfidojë një sistem të kontrolluar. Edhe kur zgjedhjet manipulohen, presioni i organizuar — protesta, sindikata dhe përdorimi i medias alternative — krijon hapësira që regjimi nuk i kontrollon dot plotësisht. Megjithëse opozita jonë nuk duket të jetë plotësisisht në këtë rrugë, disa zhvillime besoj se do ia imponojnë të shkojë drejt kësaj.
Ka edhe një mënyrë tjetër: çarja brenda radhëve të pushtetit. Makiaveli ka thënë se pushteti rrallë bie vetëm nga jashtë; shpesh ai rrëzohet kur vetë mbështetësit e tij fillojnë të dyshojnë. Në shumë raste historike, nga rënia e regjimeve komuniste në EJL deri te Pranvera Arabe, një pjesë e elitës u shkëput ose refuzoi të përdorte forcën, duke e bërë regjimin të pambrojtur. Kujdes!!! Këtu nuk kam parasysh aspak Erion Braçen.
Dhe e fundit është presioni ndërkombëtar — edhe pse jo gjithmonë vendimtar — mund të luajë rol. Duket se ky faktor po ndikon më shumë se gjithë faktorët e mësipërm që përmenda deri tani. Dhe kjo për vetë faktin se të huajt e shohin që ne jemi një popull që bie në diktaturë kollaj.
Por regjimet që mbahen si “demokratike” shpesh varen nga imazhi i tyre jashtë. Dhe Rama kështu është mbajtur deri tani, por nuk shihet më i tillë nga ndërkombëtarët dhe kjo është e dukshme. Kur ky imazh dëmtohet, kostoja e mbajtjes së pushtetit rritet.
Megjithatë, ndoshta elementi më i rëndësishëm është ai që Vaslav Havel e quante “fuqia e të pafuqishmëve”: vendimi i individëve për të jetuar në të vërtetën, jo në gënjeshtër. Një shitës që refuzon të vendosë një slogan propagandistik në vitrinë mund të duket i parëndësishëm, por kur ky akt ndiqet nga shumë të tjerë, ai kthehet në një ortek shoqëror.
Pra, një regjim i tillë nuk rrëzohet vetëm me zgjedhje, sepse zgjedhjet janë pjesë e mekanizmit të tij. Ai rrëzohet kur kombinimi i ndërgjegjësimit qytetar, organizimit kolektiv dhe zgjimit të brendshëm e bën të pamundur vazhdimin e iluzionit.
Në fund, pyetja nuk është vetëm si bie një regjim i tillë, por kur. Dhe përgjigjja shpesh është: atëherë kur mjaftueshëm njerëz ndalojnë së besuari në historinë që ai u tregon.




