Keqleximi i një shoqërie: Katastrofa analitike e Marta Kos
Nga Ndriçim KULLA
Studimi sociologjiko-politik që Marta Kos duket se përpiqet të artikulojë mbi korrupsionin në Shqipëri nuk është thjesht i gabuar në përfundime, por problematik në vetë themelin e tij konceptual, sepse ai nuk buron nga një vëzhgim i ndershëm i realitetit konkret shqiptar, por nga një parapërgatitje ideologjike që e deformon realitetin për ta përshtatur me një qëndrim të gatshme burokratikë, ku përgjegjësitë shpërndahen në mënyrë të barabartë mes shoqërisë dhe pushtetit, duke e zbehur në mënyrë të qëllimshme rolin e strukturave qeverisëse në prodhimin dhe mirëmbajtjen e korrupsionit.
Në këtë kuptim, deklaratat e saj nuk mund të lexohen si një analizë sociologjike, por si një konstruksion politik që përdor gjuhën e sociologjisë për të justifikuar një qëndrim të paracaktuar, ku shoqëria shqiptare paraqitet si bashkëfajtore në mënyrë të mjegullt, ndërsa qeveria, e drejtuar nga Edi Rama, trajtohet me një adhurim që bie në kontrast të fortë me realitetin e perceptuar dhe të denoncuar vazhdimisht nga segmente të gjera të kësaj shoqërie.
Kjo qasje është katastrofike jo vetëm sepse është e padrejtë, por sepse ajo përmbys një nga parimet themelore të analizës sociologjike moderne: dallimin midis midis pushtetit që prodhon rregulla dhe qytetarëve që detyrohen të operojnë brenda tyre, shpesh në kushte presioni, frike apo pamundësie reale për të vepruar ndryshe. Kur ky dallim zhduket, atëherë analiza shndërrohet në një mekanizëm fajësimi kolektiv, ku përgjegjësia shpërndahet aq gjerësisht sa në fund nuk i mbetet askujt në mënyrë konkrete.
Në rastin shqiptar, kjo mënyrë të menduari bëhet edhe më e rëndë, sepse ajo injoron një realitet të dokumentuar: ekzistencën e një kulture të fortë denoncimi, rezistence dhe mospranimi ndaj korrupsionit nga një pjesa më e madhe e shoqërisë, e cila për vite me radhë ka artikuluar, shpesh në kushte të vështira, kritika të vazhdueshme ndaj mënyrës se si pushteti menaxhon institucionet dhe burimet publike.
Duke e injoruar këtë dimension, studimi implicit i znj. Kos e redukton shoqërinë shqiptare në një abstraksion të paformë, një masë që etiketohet lehtësisht si “e prirur ndaj korrupsionit”, pa marrë parasysh diferencimet e brendshme, konfliktet sociale, apo raportet e pabarabarta të fuqisë që janë thelbësore për çdo analizë serioze sociologjike.
Ky reduktim nuk është i pafajshëm; ai i shërben një funksioni të qartë politik: zhvendosjes së fokusit nga përgjegjësia e pushtetit të Edi Ramës tek një faj i shpërndarë në mënyrë difuze në shoqëri. Në këtë mënyrë, kritika ndaj qeverisjes zbehet, ndërsa perceptimi ndërkombëtar i realitetit shqiptar filtrohet përmes një lenteje që e bën situatën të duket më pak problematike nga sa është në të vërtetë.
Në këtë pikë, problemi nuk është thjesht një deklaratë e gabuar apo një lapsus interpretativ, por një model i të menduarit dhe vepruarit , që duket se përsëritet dhe konsolidohet në qarqe të caktuara të burokracisë evropiane, përfshirë struktura si Komisionit Evropian, ku realitetet komplekse të vendeve në proces integrimi shpesh përpunohen në forma të thjeshtuara që i shërbejnë stabilitetit politik më shumë sesa të vërtetës empirike.
Ky është një moment ku analiza duhet të bëhet më e thellë: pse një burokraci që teorikisht duhet të jetë garante e standardeve demokratike prodhon përfundime që relativizojnë problemet? Përgjigjja nuk gjendet vetëm në individë të veçantë, por në logjikën e funksionimit të institucioneve, ku stabiliteti, menaxhimi i krizave dhe ruajtja e marrëdhënieve politike shpesh marrin përparësi ndaj artikulimit të së vërtetës së plotë.
Në këtë kuptim, rasti i znj. Kos nuk është një devijim i izoluar, por simptomë e një fenomeni më të gjerë, ku burokracia ndërkombëtare, në përpjekje për të ruajtur një paraqitjen koherente për procesin e integrimit, priret të minimizojë kontradiktat reale që ekzistojnë në terren.
Por pikërisht këtu lind paradoksi: duke u përpjekur të mbrojë procesin e integrimit, kjo qasje rrezikon ta dëmtojë atë në mënyrë më të thellë, sepse krijon një hendek gjithnjë e më të madh midis perceptimit zyrtar dhe përvojës së përditshme të qytetarëve. Kur qytetarët ndjejnë se realiteti i tyre nuk reflektohet në diskursin evropian, atëherë besimi në këtë proces fillon të gërryhet, jo nga propaganda anti-evropiane, por nga vetë mospërputhja midis fjalëve dhe fakteve.
Në këtë kontekst, ideja se shoqëria shqiptare ka një “mentalitet të korruptuar” nuk është vetëm një tezë e gabuar, por edhe një tezë raciste që rrezikon të bëhet profeci vetëpërmbushëse, sepse ajo justifikon mungesën e ndërhyrjeve të forta institucionale dhe e zhvendos debatin nga reforma strukturore tek moralizimi i përgjithshëm.
Një analizë serioze sociologjike do të kërkonte të kundërtën: të identifikonte mekanizmat konkretë të prodhimit të korrupsionit, lidhjet midis politikës dhe ekonomisë, rolin e institucioneve të dobëta, dhe mënyrën se si këto faktorë ndikojnë në sjelljen individuale. Vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet se korrupsioni nuk është thjesht një çështje morali individual, por një fenomen strukturor që kërkon përgjigje strukturore.
Në mungesë të kësaj qasjeje, çdo deklaratë që vjen nga lart, sado e veshur me gjuhë teknike apo diplomatike, rrezikon të perceptohet si një akt arbitrar, një gjykim i shkëputur nga realiteti, dhe në fund si një formë e re paternalizmi që i flet shoqërisë jo për ta kuptuar, por për ta klasifikuar.
Dhe pikërisht këtu qëndron katastrofa e këtij “studimi” të pashpallur të Marta Kos : ai nuk ndihmon në kuptimin e problemit, por në mjegullimin e tij; nuk nxit përgjegjshmëri, por shpërndan fajin; nuk forcon procesin e integrimit, por e ekspozon atë ndaj një krize besimi që është shumë më e rrezikshme se çdo kritikë e drejtpërdrejtë.
Dhe, ajo që mbetet nuk është një analizë, por një pasqyrë e deformuar, ku realiteti shqiptar nuk reflektohet siç është, por siç i leverdis një logjike politike që kërkon qetësi mbi të vërtetën, dhe stabilitet mbi drejtësinë. Dhe në këtë zgjedhje të heshtur, por të qëndrueshme, qëndron edhe thelbi i problemit.




