Shtrenjtimi i naftës, Këlliçi: Rama, tallje mizore me qytetarët

Shtrenjtimi i naftës, Këlliçi: Rama, tallje mizore me qytetarët

Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve, duke akuzuar Edi Ramënm për mungesë masash konkrete dhe tallje me qytetarët.

Në një reagim në rrjete sociale, Këlliçi shprehet se rritja e çmimit të naftës në 218 lekë është e papërballueshme për qytetarët, ndërsa kritikoi deklaratat e Ramës, të cilat i cilësoi si të papërgjegjshme dhe të shkëputura nga realiteti.

Sipas tij, justifikimet e Ramës për rritjen e çmimeve, duke i lidhur me zhvillimet ndërkombëtare, nuk adresojnë problemin real dhe nuk ofrojnë zgjidhje për qytetarët që përballen çdo ditë me kosto në rritje të jetesës.

Këlliçi theksoi se, ndryshe nga vendet e rajonit që kanë ndërhyrë me politika fiskale dhe paketa mbështetëse, në Shqipëri mungojnë masat konkrete për të lehtësuar barrën ekonomike të qytetarëve.

Sipas tij, shqiptarët po paguajnë më shtrenjtë për karburant dhe produkte bazë krahasuar me vendet fqinje, ndërkohë që kanë të ardhura më të ulëta.

Rritjes së çmimeve i shtohet dhe tallja kryeministrore!

Kryeministri i cili dje paradite rriti çmimin e naftës në 218 lekë, u shfaq pasdite si opinionist amator, me komente qesharake, të tipit kjo ka ndodhur prej luftës në Iran. Bota rrotullohet, e plot dokrra si këto. Vetëm për masat që duhej të kishte marrë si Kryeministër, nuk tha asnjë fjalë. Ndërsa sot në monologun me mikrofon, Edi Rama u shpreh se gjithçka është në rregull. Ai nuk e ul dot çmimin, por po monitoron. Dhe gjërat po shkojnë mirë sipas tij.

Ku po shkojnë gjërat mirë përveçse në oborrin e tij?! Si duhet të tingëllojnë këto fjalë tek qytetarët që e marrin karburantin dhe shumë prej ushqimeve 40% më shtrenjtë se vendet e rajonit, ndërkohë që kanë të ardhurat më të ulëta në kontinent?! Krejt ndryshe nga vendet normale, apo dhe fqinjët tanë, që kanë ndërhyrë tek taksat dhe kanë miraruar paketa financiare lehtësuese e mbështetëse, Edi Rama këtu ka vetëm fjalë, premtime për të ardhmen dhe tallje mizore.

Kësaj sjellje njerëzit duhet t’i japin përgjigjen që meriton. Me 17 prill është rasti të bashkohemi sërish në sheshish e protestës!”,- shprehet Këlliçi.

Share it :