Drejtësia e pezulluar dhe hija e zezë e kryeministrit mbi të

Drejtësia e pezulluar dhe hija e zezë e kryeministrit mbi të

Nga Ndricim Kulla

Dje, kur Edi Rama refuzoi hapur kërkesën e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të Belinda Balluku, ai nuk bëri thjesht një veprim politik ose procedural. Por ai shprehu diçka shumë dhe më të thellë: frikën. Jo frikën e zakonshme të një politikani përballë një krize të radhës, por frikën instinktive të një pushteti që ndjen se çdo tullë e murit që e mbron mund të fillojë të bjerë nëse hapet porta e drejtësisë. Dhe këtë çast, parlamenti nuk duket më si një institucion i republikës, por si një strehë ku pushteti përpiqet të mbrojë vetveten nga drita që vjen nga jashtë .

Ky refuzim ndërkohë është një mesazh i pastër . Dhe si çdo mesazh politik, ai iu drejtohet njëkohësisht disa audiencave: ndërkombëtarëve që kanë mbështetur reformën në drejtësi, qytetarëve shqiptarë që presin barazinë para ligjit dhe vetë elitës së pushtetit që kërkon garanci për mbrojtje politike.

Prej më shumë se dy dekada Shqipëria është vendosur në një marrëdhënie të veçantë me Evropën politike dhe institucionale, veçanërisht me strukturat e Bashkimit Evropian. Reforma në drejtësi , e vlerësuar si një nga ndërhyrjet më të thella institucionale në historinë e shtetit shqiptar u projektua dhe u mbështet nga partnerët ndërkombëtarë si një mekanizëm për të çliruar drejtësinë nga ndikimi politik dhe nga lidhjet e saj historike me korrupsionin dhe krimin.

Në këtë kontekst, insistimi i faktorëve ndërkombëtarë që proceset hetimore të mos pengohen nga politika nuk ishte vetëm një rekomandim teknik, por një parim themelor për besueshmërinë e reformës. Kur pushteti politik vendos të pengojë një proces të tillë, ai në mënyrë të pashmangshme krijon një tension të fortë në ushtrimin e reformës që vetë pushteti me retorikë ka pretenduar se e mbështet.

Refuzimi për t’i hapur rrugë hetimit nuk është thjesht një mosmarrëveshje procedurale por një hendek . thellë me prokurorinë. Ai është një sfidë ndaj vetë logjikës së reformës në drejtësi. Dhe lë të kuptohet se, pavarësisht retorikës së viteve të fundit, ekziston ende një vijë e padukshme përtej së cilës drejtësia nuk lejohet të shkojë dhe ky është kufiri ku fillon rrethi i pushtetit.

Kjo është arsyeja pse reagimi ndërkombëtar ndaj një vendimi të tillë zakonisht është më i thellë sesa një kritikë diplomatike. Ai është një moment reflektimi që zien përbrenda për vetë projektin e reformës. Sepse nëse drejtësia nuk mund të hetojë pa pengesa figurat më të larta të qeverisë, atëherë lind pyetja e pashmangshme në se është reforma një realitet institucional apo vetëm një arkitekturë formale?

Por ndoshta mesazhi më i fortë i këtij refuzimi nuk u drejtohet ndërkombëtarëve, por qytetarëve shqiptarë.

Në çdo shoqëri demokratike ekziston një kontratë social-politike e pashkruar midis shtetit dhe qytetarëve,ku ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Kjo ide, që duket aq elementare, është në fakt themeli i besimit publik. Kur qytetarët shohin se ligji vepron mbi të dobëtit, por ndalet përpara të fuqishmëve, atëherë lind një ndjenjë e thellë padrejtësie , një ndjenjë që në planin afatgjatë është shumë më shkatërruese se vetë korrupsioni.

Refuzimi për të lejuar një hetim të plotë ndaj një figure të lartë qeveritare ku flamurin kryesor të betejës e mban kryeministri për arsye se është edhe vetë i akuzuar kryesor brenda, krijon pikërisht këtë ndjesi: bindjen se drejtësia në Shqipëri vazhdon të jetë e pushtetit . Se ekziston një zonë e paprekshme ku pushteti politik mbrohet nga mekanizma informalë solidariteti dhe lojaliteti.

Në këtë kuptim, mesazhi që mund të perceptohet nga qytetarët po bëhet më i hidhur,se sistemi politik ende funksionon mbi parimin e mbrojtjes reciproke të elitave dhe jo mbi parimin e përgjegjësisë para ligjit.

Një shoqëri që fillon të besojë këtë gjë hyn në një fazë të rrezikshme cinizmi. Sepse kur qytetarët humbasin besimin se drejtësia mund të funksionojë, ata gradualisht humbasin edhe besimin te vetë demokracia.

Në filozofinë politike ekziston një ide e thjeshtë: pushteti i vërtetë nuk është ai që kontrollon institucionet, por ai që ka frikë prej tyre.

Nëse një qeveri është e bindur për pastërtinë e saj, ajo nuk ka arsye të pengojë një hetim. Përkundrazi, hetimi bëhet mënyra më e mirë për të sqaruar të vërtetën dhe për të mbrojtur legjitimitetin e saj publik.

Por kur pushteti reagon me rezistencë ndaj hetimit, lind dyshimi se frika nuk është thjesht politike, por ajo mund të jetë edhe ekzistenciale. Sepse një hetim serioz shpesh nuk ndalet tek një individ,por ai fillon të zbulojë rrjete, mekanizma dhe struktura të tëra vendimmarrjeje.

Në këtë kuptim, mbrojtja e një zyrtari të vetëm mund të jetë në të vërtetë mbrojtja e një sistemi të tërë.

Shqipëria prej vitesh ka vendosur integrimin evropian si horizontin e saj strategjik. Por integrimi nuk është vetëm një proces teknik negociatash,por ai është mbi të gjitha një proces besueshmërie politike.

Institucionet evropiane nuk kërkojnë vetëm reforma ligjore,por ato kërkojnë prova konkrete se këto reforma funksionojnë në praktikë. Dhe prova më e rëndësishme është pikërisht trajtimi i rasteve të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.

Në këtë aspekt, çdo pengesë ndaj drejtësisë në raste të tilla krijon një problem të madh reputacioni për vendin. Sepse mesazhi që mund të perceptohet jashtë është se elita politike shqiptare ende nuk është e gatshme të pranojë standardin evropian të përgjegjësisë.

Procesi i integrimit nuk ndalet vetëm për shkak të një vendimi të vetëm politik. Por një seri vendimesh të tilla krijojnë gradualisht një klimë dyshimi që e bën këtë proces më të ngadaltë dhe më të pasigurt.

Historia e shteteve moderne tregon se krizat e tilla janë shpesh momente prove. Ato janë çaste kur institucionet duhet të tregojnë nëse janë më të forta se interesat e pushtetit të momentit.

Në fund të fundit, çështja nuk është vetëm nëse një person është fajtor apo i pafajshëm. Kjo është një pyetje që mund t’i përkasë vetëm drejtësisë. Dhe pyetja reale në rastin konkret është : pse drejtësia nuk lejohet të bëjë punën e saj?!..

Share it :