Prangosja e zyrtarëve të lartë, Rama zbut “masat e arrestit” me dorën e Sadushit

Nga Boldnews.al

Arrestimi i zyrtarëve të lartë, bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Edi Rama, ka nxitur këtë të fundit të ngrejë “shqetësimin publik” për rritjen e numrit të të paraburgosurve në Shqipëri.

Njeriu që e nisi jetën e tij qeveritare me shprehjen “burg, burg, burg”, një politikë që përmbyti qelitë me qytetarë që nuk paguan energjinë elektrike, që nuk paguanin faturat, që hapnin një dritare pa leje apo që qarkullonin pa patentë, tashmë shfaqet i surprizuar për keq se si vendi është shndërruar në “dele te zezë” në Këshillin e Europës për numrin e lartë të individëve që mbahen të arrestuar pa vendim dënimi të formës së prerë.

Në foto: Kryeministri Edi Rama në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste

Reagimi i Ramës erdhi pas arrestimit të disa prej njerëzve të tij më të afërt, përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si edhe kur kryeministri dhe masa e tij e deputetëve socialist refuzuan me arrogacën e “83 kartonave” kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin për arrestimin e (ish) zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Ndërkohë që ankohet për vrazhdësinë e gjyqësorit, Rama nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për të zbutur efektet e aplikimit të paraburgimit.

Mënyra se si dhe kur vendosen masat e “arrestit në burg” janë të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, një ligj i posaçëm, të cilin Rama ka mundësinë ta ndryshojë në Parlament me maxhorancën e tij të madhe.

Por, ndërhyrja tek “masat e sigurimit” mund të krijojë andralla ligjore më të mëdha për kreun e qeverisë, pasi një modifikim i vogël mund të shoqërohet me shumë amendime të tjera në Procedurën Penale. Rama nuk ka kohë për të kryer një arnim të zgjeruar të Kodit, pasi njerëzit e tij janë në paraburgim ose kandidatë për arrestim. Ndaj, duket se është gjetur një zgjidhje tjetër.

“Vetëofrohet” Sadushi

Në skenë shfaqet Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Për momentin është e paqartë nëse Sadushi është vetëofruar apo ka një kërkesë nga kryeministri.

Gjykata e Lartë thotë se në 9 Mars 2026 “…ka marrë një vendim të rëndësishëm, për të nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës gjyqësore të njehsuar me vendimin nr.7, dt. 14 tetor 2011 të Kolegjeve të Bashkuara…”.

Për të arritur këtë qëllim, Gjykata e Lartë po shfrytëzon rastin e një shtetasi nga Lezha, B.Z., i arrestuar në Tetor 2025 për “kultivim lëndësh narkotike”.

Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, “çështja konkrete nuk paraqet interes vetëm për zgjidhjen e rastit individual, por ngre nevojën për të vlerësuar nëse praktika e konsoliduar nga vendimi unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, duhet të vijojë të mbahet në të njëjtin kuptim apo kërkon rishqyrtim të pjesshëm”.

Gjykata e Lartë thotë tashmë se vendimi i vitit 2011 ka humbur aktualitetin dhe ai duhet ndryshuar për t’iu përshtatur rrethanave të kohës.

Megjithatë, vetë Gjykata pranon se “…pas vitit 2011, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk kanë sjellë një transformim rrënjësor të strukturës materiale të neneve 228-230” (që lidhen me masat e arrestit në burg, arrestit në shtëpi dhe shtrim i detyrueshëm në spital).

Në foto: Njoftimi i Gjykatës së Lartë

Nisur nga fakti që Gjykata e Lartë “ka marrë një vendim të rëndësishëm për ndryshimin për ndryshimin e vendimit unifikues të vitit 2011 për masën e sigurimit arrest në burg…”, por që, siç e pranon edhe vetë, nuk duket se ka asnjë indicje të fortë dhe, për më tepër, nuk sjell asgjë të re në mënyrën se si zbatohet ligji, e gjithë kjo situatë ngre pikëpyetje të rëndësishme mbi këtë nismë të Sokol Sadushit dhe vartësve të tij.

Çfarë halli ka Sadushi?

E mbuluar me aureolën e problemeve proceduriale penale, vendimi i Gjykatës së Lartë të drejtuar nga Sokol Sadushi vjen në kohën që është më e përshtatshme për kryeministrin Edi Rama.

Në njoftimin e Gjykatës së Lartë thuhet se synohet të sqarohet, ndër të tjera, një detaj në Kodit të Procedurës Penale që është amenduar që në vitin 2017. Pra, Gjykata e Lartë do të vlerësoj një detaj të miratuar 9 vjet më parë, pikërisht tani që Rama ka “shqetësim” për paraburgimin.

Në foto: Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi

Gjithashtu, Gjykata e Lartë thotë që do të synojë të sqarojë edhe disa element, të cilët lidhen me mënyrën se si arsyetohet “rrezikshmëria e veprës penale” dhe “përshtatshmëria e masës së sigurimit arrest me burg”, element, të cilët, për koincidencë, po përmenden gjithnjë e më shpesh nga kryeministri Rama kur ankohet publikisht për arrestimin e Erion Veliajt e Ilir Beqajt apo edhe kur refuzoi kërkesën për arrestimin e Belinda Ballukut.

Gjykata e Lartë ka rol thelbësor në standardizimin e praktikës gjyqësore. Por, kriteret për caktimin e masave të sigurimit janë çështje ligjore (në Kodin e Procedurës Penale), të cilat janë miratuar dhe mund të amendohen në Parlament, me vullnetin politik, më së paku të “maxhorancës me 83 vota” të Edi Ramës.

Përsa kohë, Parlamenti nuk ka ndryshuar qasjen e tij për masat e sigurimit, atëherë, mund të shtrohet pyetja: Çfarë halli ka Sokol Sadushi?

Share it :