Zoti në qiell dhe zoti ynë pagan i plotfuqishëm në tokë

Zoti në qiell dhe zoti ynë pagan i plotfuqishëm në tokë

Toni Gogu, politikan socialist, i cili deklarohet si besimtar i krishterë, u emërua nga Edi Rama Ministër i Drejtësisë. Pati ankesa nëse profili i tij i deklaruar si besimtar cënon apo jo laicitetin e shtetit, ndërsa vetë Gogu në një rast është deklaruar i prerë kundër martesave brenda gjinisë dhe e ka deklaruar këtë me forcë.

Afërsisht në të njëjtën kohë, kryeministri Edi Rama trazoi shoqërinë, kryesisht besimtarët myslimanë, me një libër në të cilin janë përfshirë fjalime të ndryshme që ai ka mbajtur nëpër sebepe të ndryshme fetare. Libri përmban disa fjalime mbi sebepe të myslimanëve dhe të bektashinjve, përfshirë festa dhe inagurime. Por për shkak se u prezantua gjatë një iftari, dhe duke qenë se iftari për Ramazan është ngjarja më e shpeshtë, librit iu referuan menjëherë si “libri i fjalimeve të iftarëve”.

Dikush me shumë të drejtë vuri në dukje se kritikat (dhe jo vetëm kritikat) janë bërë pa e lexuar librin. Jo vetëm që kjo është shumë e vërtetë, por e vërtetë duket se është edhe kjo tjetra: libri nuk është bërë për t’u lexuar. Dhe autori i këtyre radhëve pranon se po jep opinion mbi librin (më saktë mbi sebepin e prezantimit të librit) ndërsa nuk shkoi përtej faqes së tretë ku gjendej përmbajtja. Sepse, helbete, Edi Rama është politikan. Ai nuk është teolog dhe, me aq sa dimë, nuk është filozof trashedental, ambicia e të cilit është të meditojë mbi Zotin dhe natyrën e Zotit, mbi njeriun dhe natyrën e njeriut dhe marrëdhënien mes Krijuesit dhe të krijuarit. Dhe për më tepër, si politikan, z. Rama është njeri me ditë shumë të ngarkuar. Hamendësohet se ai nuk i shkruan të gjitha fjalimet vetë. Ai ka këshilltarë të cilët ia përgatisin. Në këtë kontekst, nuk është e mundur të dallohet, edhe nëse e lexon librin me shumë vëmendje, se ku mbarojnë mendimet e kryeministrit dhe ku fillojnë ato të këshilltarëve të tij. Dhe duke qenë se libri është i mbushur me fjalime të karakterit meditues fetar, pavarësisht nëse është shkruar tërësisht apo pjesërisht nga Edi Rama, ai është një libër që supozohet se është jopolitik dhe ekzistenca e këtij libri nuk ka se pse të na shqetësojë apo të na gëzojë ne të tjerët që shohim nga Edi Rama jo si udhëheqës fetar, por si politikan.

Problemi, si me rastin e besimit të ministrit Gogu ashtu edhe me rastin e librit të Edi Ramës, nuk ka të bëjë aq shumë me Zotin në qiell, por ka të bëjë me një zot tjetër këtu në tokë. Marrëdhëniet në një shoqëri moderne nuk janë hyjnore. Ato janë njerëzore. Marrëdhëniet qytetare nuk janë mes besimtarëve dhe pabesimtarëve, janë mes qytetarëve dhe qytetarëve. Dhe ndërsa çdokush ka të drejtë të ketë besimin e vet dhe ta shpallë atë publikisht, është mirë të kemi parasysh se ky Zoti i plotfuqishëm në qiell nuk duhet dhe nuk mundet të përdoret si perde për të maskuar këtë zotin në tokë. Zoti në tokë për të cilin po flas është Zoti Pushtet. Është një zot pagan ky, i cili ka të përbashkët me Zotin në qiell disa cilësi dhe që dallohet prej tij për disa cilësi të tjera. Zoti pushtet është i padukshëm dhe është i plotfuqishëm në pretendime. Zoti pushtet është pagan dhe nuk ka kompas moral, nuk ka as koordinata ligjore. Zoti pushtet nuk i nënshtrohet Urdhëresave të Moisiut. Zoti pushtet njeh vetëm një ligjësi që është amorale. Është ligjësia e të mundshmes. Zoti pushtet dhunon nëse mundet, vjedh nëse mundet, vret nëse mundet. Rrjedhimisht, përgjatë historisë së njerëzimit, shoqëritë njerëzore, pavarësisht nëse besojnë apo jo te Zoti në qiell, janë organizuar dhe kanë vendosur kufizime mbi perëndinë pushtet. Ndërsa perëndia pushtet kurdo që ka gjetur pa vëmendje njerëzit në tokë, ose i ka gjetur jo mjaftueshëm të kulturuar për të kuptuar natyrën e tij, ka zgjeruar kufijtë e asaj që ka të mundshme. Ky zgjerim i të mundshmes së zotit pagan të pushtetit tokësor vjen në dëm të lirive, të drejtave dhe mirëqenies së njerëzve këtu në tokë. Dhe zakonisht e mundshmja për këtë zotin pushtet ka qenë ku e ku më e madhe kur ka vepruar nën emër dhe nën pretedimin e autoritetit të Zotit në qiell.

Në Romën e lashtë politikanët ishin gjithashtu priftërinj ndërsa gjatë epokës së diktaturës me perandorë, perandorët rregullisht ngjiteshin në qiell për t’iu bashkuar zotave si divus për burrat dhe diva për gratë. Dhe kur krishtërimi u kodifikua në Perandorinë Bizantine, perandorët vijuan të shpallen shenjt për të legalizuar nga qielli pushtetin e tyre pa limit në tokë. Romakët e kufizonin të mundshmen e këtij zotit pushtet me dy mënyra: duke kufizuar kohën gjatë së cilës prifti politikan e ushtronte pushtetin dhe njëkohësisht duke mos e lënë pushtetin në duart e vetëm një njeriu, por duke e ndarë atë, p.sh., duke pasur dy konsuj që detyroheshin të bashkëqeverisnin ose përndryshe bllokonin pushtetin e njëri-tjetrit.

Që nga koha e Machiavelli-t e pas, bota e zhvilluar ka ndarë gradualisht religjionin nga politika për t’u siguruar që keqbërjet tokësore të mos mbulohen dhe as të justifikohen me autorizim nga Zoti në qiell. Sepse marrëdhënia jonë është politike, është qytetare, është ligjore. Marrëdhënia jonë nuk është hyjnore. Rrjedhimisht, mbajtja e besimit fetar në sferën private, nuk është një dhunim i të drejtave të besimtarit por është një respekt që besimtari apo pabesimtari tregon ndaj shoqërisë njerëzore.

Ndërsa ne jemi të zënë me këtë punën e kopertinës së librit të Edi Ramës apo simbolin e kryqit në Facebook të ministrit të Drejtësisë, zoti pushtet po tregon dhëmbët duke sulmuar kufijtë që ka vendosur shteti ligjor. E kam fjalën për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Zoti në qiell nuk ndihmon dot për të zgjidhur këtë problemin tonë tokësor, nevojën për të ruajtur sistemin e balancave dhe kufizimeve të caktuara, jo në Bibël apo Kuran, por në nenin 7 të Kushtetutës. Hiqni imunitetin e Ballukut!/ Reporter.al

Share it :