SPAK, fundi i “bastardëve” pa lavdi

SPAK, fundi i “bastardëve” pa lavdi

Nga Armand Shkullaku

Partizans e pavarësisë së SPAK me mbështetje amerikane, e panë se kjo ishte një shaka përballë pushtetit të Edi Ramës. Spakistët që menduan të nxjerrin një herë këmbën nga rrethi, në vend të Belës morën bishtin e tyre për ta futur ndër shalë

Duhej të kalonte një dekadë që, më në fund, edhe mbështetësit më të flaktë të reformës në drejtësi të bindeshin, me fjalë e me vepra, se krijesa e lartësuar si ngjizje nga fara e përzgjedhur ndërkombëtare, është një pjellë krejtësisht në duart e Edi Ramës. Ky i fundit u ka treguar sot, si baballarëve të pretenduar ashtu edhe fanatikëve të SPAK (si krijesë e amerikanëve), se babai i vetëm dhe i gjithëpushtetshëm është vetëm ai.

Vendimi i Ramës për t’i prerë SPAK këmbën që guxoi të nxjerrë nga rrethi, duke refuzuar imunitetin e Ballukut, shërben si akti i fundit për t’i vënë kapak një debati që zuri fill sapo u krijuan institucionet e para të së ashtuquajturës drejtësi e re. Në këtë debat, për përkrahësit e reformës, dy tezat kryesore të thjeshtuara ishin, e para, se SPAK ishte i pavarur dhe nuk mund të kontrollohej nga Edi Rama përsa kohë ishte një investim i SHBA dhe BE dhe, e dyta, se në rast se SPAK do t’i afrohej kryeministrit ky do të ishte i pafuqishëm ta ndalte atë, sepse përsëri bëhej fjalë për një krijesë me fuqi të injektuar nga partnerët strategjikë.

Kryeministri i dha fund sot këtij debati, duke zyrtarizuar me “akt noterial” plotfuqishmërinë e tij mbi pushtetin e drejtësisë. Pretendimet se çdo kërkesë e SPAK nuk do të refuzohet nga mazhoranca, se kjo prokurori është arritja më e madhe në historinë e drejtësisë shqiptare apo se fuqia e Uashingtonit, Brukselit apo Berlinit garanton veprimtarinë e saj, u shkrinë sapo kjo fuqi tentoi të sfidonte atë që ka nën kontroll të gjitha pushtetet në Shqipëri. SPAK mund ta pretendojë atësinë përtej kufijve, por Rama u kujtoi të gjithëve se kush e çon ndërmend të rebelohet ndaj tij, përfundon si “bastard” pa lavdi

Në këtë pikë, akti i hapur i Ramës është i vlefshëm për të kuptuar që në zanafillë se pavarësia e SPAK nuk buronte nga investimi amerikan e europian, por nga vullneti i atij që ka në duar të gjitha pushtetet në Shqipëri. Përsa kohë “heronjtë e fëmijëve tanë” i përgjigjeshin thirrjeve të tij për të linçuar dhe burgosur kundërshtarët politikë, përsa kohë që merrnin leje për të goditur edhe brenda gardhit të Rilindjes (për veshmbathje e shtëpi banimi) por nuk guxonin të preknin procedura tenderimesh, ata ishin fytyra e drejtësisë së pavarur. Përsa kohë nuk hetohej si u shpikën inceneratorët, check up-ët, 5D-ët…, si vidhet Shqipëria për të vjedhur vota e si vidhen vota për të vjedhur Shqipërinë, SPAK ishte i lirë të vepronte dhe Partia Socialiste nuk bëhej zyrë avokatie për askënd. Kaq mjaftonte që brohorimat për drejtësinë i investuar nga amerikanët të mbysnin çdo farë dyshimi se në fakt ajo ishte drejtësia e Edi Ramës.

Në gjysëm provën e parë që SPAK guxoi të ndërmarrë për të hetuar numrin dy të qeverisë, për procedura tenderimesh dhe jo për shtëpi e veshmbathje, pra për thelbin e qeverisjes dhe jo për kumbulla e dardha, Edi Rama doli hapur, me zë, figurë dhe vulë, se drejtësia e re është e pavarur vetëm në territorin që i ka përcaktuar ai. Dhe nuk ka asnjë forcë, të brendshme apo të jashtme, që mund t’i ndryshojë këta kufij. Partizanët e pavarësisë së SPAK me mbështetje amerikane, e panë se kjo ishte një shaka përballë pushtetit të Edi Ramës. Spakistët që menduan të nxjerrin një herë këmbën nga rrethi, në vend të Belës morën bishtin e tyre për ta futur ndër shalë

Vendimi i Ramës për t’i rivizatuar botërisht territoret se ku duhet të shkelin pushtetet e tjera, nuk ishte një tërheqje veshi vetëm për SPAK. Duke refuzuar arrestin për Ballukun, ai eleminoi edhe pushtetin gjyqësor që me siguresat që medemek i ka dhënë sistemi do të mund ta ndryshonte ose jo këtë masë në tri shkallët e gjykimit. Me këtë akt ai ka dashur të tregojë qartë jo vetëm se në Shqipëri nuk mund të ketë pushtete jashtë kontrollit të tij, por se edhe jashtë Shqipërisë, ata që reformën në drejtësi e cilësonin një histori suksesi, duhet të pranojnë se suksesin e saj e përcakton vetëm Edi Rama.

Me pushtetin që ka akumuluar ai ndihet aq i fortë, sa edhe të ashtuquajturit sponsorë të reformës në drejtësi, nuk kanë se çfarë t’i bëjnë. Brukseli e Uashingtoni ose duhet të pranojnë që pjella e tyre rezultoi një “bastard” në duart e Ramës, ose të vazhdojnë përrallën e reformës si histori suksesi duke mbështetur hetimin e SPAK sipas vijave të përcaktuara nga ai që realisht e kontrollon drejtësinë në Shqipëri. ©lapsi.al

Share it :