Sa po paguan Rama për të mbrojtur Ballukun

Sa po paguan Rama për të mbrojtur Ballukun

Nga Andi Bushati

Përpëlitja gati tre mujore e Edi Ramës për të mbrojtur me çdo kusht Belinda Ballukun si dhe shkuarja më tej, për të prodhuar ligje të reja që forcojnë paprekshmërinë e bashkëpunëtorëve, po përvijohet si një test interesant për të vëzhguar marëdhënien e tij të re me BE-në. Disa sinjale tashmë janë dhënë.

Në një pjesë të mirë të mediave më në zë ndërkombëtare, protestat para kryeministrisë, nuk përshkruhen më si manifestime të opozitës, por si reagim i qytetarëve kundër korrupsionit, ku në të gjitha rastet zv/kryeministrja nuk harrohet të përmendet nominalisht. Edhe institucionalisht reagimet nuk kanë munguar. Në fund të janarit, gjatë një mbledhjeje në Bruksel, të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE, Shqipërisë iu dha sinjali i qartë se, rruga e integrimit mund të pësonte ngecje.

Më pas, Komisioni kërkoi në mënyrë ultimative shqyrtimin e imunitetit të Ballukut, që shumica qeveritare po e zvarriste.

Gjatë vizitës së fundit në Tiranë, kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister, në sinkron me ambasadorin Gonzato, përmendën se rasti Balluku nuk është thjeshtë një çështje juridike, por se në të kundërt ngërthen edhe “përgjegjësi politike”.

Disa vende anëtare të kryesuar nga Gjermania e të mbështetur edhe nga Holanda e Franca kanë ngritur shqetësimin se me rastin e zv/kryeministres, me fjalorin e përdorur kundër gjykatësve dhe prokurorëve si dhe me ndryshimet ligjore që parashikohen të bëhen për të mbrojtur politikanët e lartë, qeveria e Tiranës rezikon të cënojë investimin më të madh të evropianëve, reformën në drejtësi, që ata vijojnë ta konsiderojnë me kokëfortësi si një “histori suksesi”.

Në fakt, në mbretërimin e gjatë të Edi Ramës ky nuk është momenti i vetëm i fërkimeve me BE-në dhe shtetet kryesore anëtare. Vitet 2018- 2020, kur vendit i mohohej në vijimësi hapja e negocitave dhe kur disa parakushte të Bundestagut Gjerman u shndërruan në 15 kushtet e Parlamentit Evropian (që përfshinin dënimin e vjedhësve të votës së Durrësit dhe Dibrës, ndëshkimin e politikanëve të lartë dhe ndërprerjen e betejës me mediat), kanë qenë tepër të vështira për të. Atëhere jo vetëm ishte vënë në pikpyetje e ardhmja everopiane e vendit por edhe vetë reputacioni i qeverisë që e drejtonte.

Falë një lobingu të fuqishëm, luftës për shkatërrimin e çdo rivaliteti politik të brendëshëm dhe sidomos prej ndryshimit të kontekstit gjeopolitik pas konfliktit në Ukrainë, Rama arriti ta përmbysë këtë tendencë në favor të tij.

Por, të gjitha këto ndodhi dhe lëvizje nuk do të kishin pasur asnjë vlerë, nëse ai nuk do të kishte përdorur me sukses një atu: atë të vetmit politikan që mbështetste reformën në drejtësi, kundrejt një opozitë që ishte shpallur hapur kundër saj. Ndonëse ia dinin korrupsionin, kanabizimin, tendencat autoritare, ndonëse mediat dhe shërbimet inteligjente i informonin qeveritë e tyre me fakte për atë që ndodhte realisht në Shqipëri, Rama kish arritur të shpëtonte nga luajtja mrekullisht e rolit të aleatit të dëgjueshëm që nuk kundërshton. Si nëpër filma me agjentë të luftë së ftohtë, ai përfitonte nga sllogani: “Eshtë vërtet një bir kurve, por është biri ynë i kurvës”.

Pyetja është, po tani? Ç’ndodh nëse kryeministri heq dorë nga tabuja e paprekshmërisë së reformës në drejtësi? Nëse ai prodhon ligje për mbrojtjen e ministrave të tij? Nëse ai i bëhet pengesë drejtësisë për rastin Balluku?

I vetmi sistem që ne kemi për të “lexuar” të ardhmen është të kuptojmë si BE-ja është sjellë në të shkuarën. Kur ish partia në pushtet në Rumani, refuzoi të ndryshonte ligjet për të mbrojtur liderin e saj nga SPAK-u lokal, nuk arriti dot asgjë dhe presioni ndërkombëtar bëri që Liviu Dragnea të përfundojë gjithësesi në burg.

E njëjta fabul u përsërit edhe në një vend tjetër anëtar, në Poloninë e drejtuar nga konservatorët e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS). Me të ardhur në pushtet ata synuan një reformë që tentonte një ndikim më të madh politik mbi sistemin e drejtësisë. Ndonëse një vend i rëndësishëm për BE-në, Polonia u përball për herë të parë në histrori me aktivizimin e nenit 7, për heqjen e të drejtës së votës (2017), Varshavës iu vendosën gjoba ditore dhe iu bllokuan miliarda euro fonde nga plani i rimëkëmbjes (2021).

Të gjitha këto goditje, pa precedent, kishin një shpjegim: mos krisjen e fasadës që e ruan drejtësinë të pavaruar nga politika.

Pikërisht, respektimi i këtij parimi ka qenë edhe amnistimi më i fortë i të gjitha mëkateve të Ramës në sytë e Brukselit. Atij i është harruar pothuajse gjithçka falë talentit për ta paraqitur veten si i vetmi partner lokal që ndohmon implementimin e reformës në drejtësi.

Por, historia e sigurimit të kësaj mburoje, duke bërë rrugës kurban ata që i kanë ndenjur në krah dhe i janë bindur urdhërave të tij do të mbërrinte, një ditë, tek një tavan i pakapërcyeshëm. Sot, Ramës po i kërkohet të dorëzojë krahun e vet djathtë të djathtë të akuzuar, si asnjëherë më parë, për procedura ku ai është kokë e këmbë i përfshirë personalisht. Pranadaj dilema që ka këtë herë është më e fortë: a duhet të vazhdojë ta mbajë të ndezur dritën jeshile për SPAK dhe GJKKO? A mos vallë po pranoi parimin e pezullimit do të hapë atë rrugë që një ditë mund të sjellë fundin e vet? A thua po i lëshoi pe heqjes së çdo imuniteti, do të trokasin edhe në derën e ti?

Dyzimi përballë të cilit gjendet është nervëshkatërrues: nga njëra anë i duhet ti vërë fre spak-istëve që deri më tani i ka pasur nën hyqëm, por që dyshon se pardonë të rinj mund ti’a nxjerrin nga vatha. Nga ana tjetër, i duhet mburoja e nxënësit të bindur të ndërkombëtarëve që i ka siguruar legjitimitet për një kohë të gjatë.

Pikërisht, ngaqë nuk ka vendosur se cilën rrugë do të zgjedhë Rama e ka bërë tërkuzë imunitetin e Ballukut, pa thënë kurrë, në mënyrë të prerë nëse, do e dorëzojë apo jo; për të njëjtën arsye ai njëherë turfullon e shan gjykatësit e prokurorët, pastaj u rrezervon atyre paqe, shoqëruar me heshtje të gjata; fiks për këtë projekton ndryshime ligjesh që garantojnë paprekshmëri, por heziton ti votojë ato më urgjencë në kuvend.

Nga kahu që do të marrë në këtë udhëkryq, do të varet e ardhmja e tij. Jo ajo e një kryeministri, vendi i të cilit mëton një integrim të shpejtë në BE. Aq më pak ajo e fabulës me të cilën “fitoi” zgjedhjet e fundit. Por, thjeshtë ajo personale.

Prandaj dhe Rama është i dyzuar, pasi e di që dosja Balluku e ka detyruar të paguajë një çmim: ose atë të fundit të fabulës prej nxënësi të bindur të ndërkombëtarëve, ose tjetrin, që me riskun e ruajtjes të së parës, ta dorëzojë fatin e vet politik, krejt i pambrojtur, në duart e tyre. /Lapsi.al

Share it :