Detajet/ Si po e ndryshon Rama ligjin per zhvlersimin e pezullimit te Ballukut! ( precedenti per raste te ardhshme)

Detajet/ Si po e ndryshon Rama ligjin per zhvlersimin e pezullimit te Ballukut! ( precedenti per raste te ardhshme)

Nga podcasti i tij sot, Edi Rama paralajmëroi se ditën e nesërme, bashkë me kreun e Grupit të PS, Taulant Ballën dhe drejtuesin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjën, do të depozitojnë nismën për ndryshimet ligjore që lidhen me kompetencat e gjyqësorit, pas vendimit për pezullimin e ministres Belinda Balluku.

Rama (citimi poshtë) tha se pushteti gjyqësor nuk mund të ndërhyjë në punën e pushtetit ekzekutiv dhe shtoi se nisma për ndryshime ligjore do i paraqitet fillimisht grupit të PS-së. Më pas nisma për ndryshime ligjore do të kalojë në Kuvend.

Kryeministri u kujdes të theksojë se çështja nuk është vetëm te personi, Belinda Balluku, por te parimi i ndarjes së pushteteve. Këtu ai iu rikthye këngës së vjetër, se pezullimi i një ministri apo një funksionari tjetër të lartë të shtetit shqiptar nga gjykata, paralizon punën në dikasterin përkatës, siç ishin fluturimet me Kanadanë dy muaj më parë.

Por si do të ndryshojë ligji?
Si është:
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Si do Rama ta bëjë:
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Sidoqoftë, këto ndryshime nuk e rikthejnë në detyrë zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturë, Belinda Balluku, pasi ligjet nuk kanë fuqi prapavepruese.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Dua të ndalem edhe për një sqarim të nevojshëm lidhur me konkluzionet e mbledhjes së grupit parlamentar këtë javë pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse përsëri, si zakonisht, fillon qarkullon në ajër një tymnajë interpretimesh nga më të ndryshmet. Edhe një herë tjetër, nuk është çështja tek personi, çështja është tek parimi dhe në këtë rast nuk është tek parimi abstrakt, por është tek parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve kushtetuese, që të thotë: një vendim gjyqësor për pezullimin nga detyrat e një ministri, në kuadër të një mase sigurimi penal, ka nxjerrë në pah një boshllëk që është një boshllëk që ekziston sa në koka prokurorësh e gjykatësish dhe, edhe në legjislacionin tonë, përderisa në këtë vend pa kulturë të konsoliduar demokratike, dhe me një drejtësi të pavarur, në moshë shumë të mitur, nuk mjafton fryma e Kushtetutës që është shumë e qartë, po duhet edhe gërma e ligjit, madje gërmë për gërmë për gërmë, qoftë edhe për gjëra elementare si kjo.

Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, këtë nuk e diskuton askush dhe askush nuk është mbi ligjin e këtu biem dakord të gjithë, të paktën të gjithë me fjalë, por unë bie dakord edhe me vepra. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet.

Pra, faktikisht nëse ti thua që “unë pezulloj një minister”, “unë pezulloj Presidentin e Republikës”, “unë pezulloj Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe ku di unë disa të tjerë që mbulojnë funksione të padelegueshme, faktikisht, ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin, sepse nuk është pezulluar thjesht personi, siç mund të ndodhë me një drejtor, punën e të cilit e bën dikush tjetër, por është pezulluar funksioni.

Ndërkohë që, pikërisht për shkak të funksionit, emërimi apo shkarkimi i ministrit, nuk është gjëkundi kurrë në asnjë vend të botës mund ta them me plot gojën tani, sepse nuk e ka nxjerrë dot kush një rast, kur në një vend të botës, kjo kompetencë është e një prokurori dhe një gjykatësi në një seancë paraprake, drejtësia duhet të jetë e pavarur.

Sot ajo është e pavarur dhe duhet të mbetet përgjithmonë e pavarur, por pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat ndër të tjera kanë edhe të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra dhe kjo e drejtë dhe detyrë, nuk ndahet me gjyqësorin, nuk i takon gjyqësorit dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori.

Gjithsesi, tanimë kur as Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për rastin konkret, ne do të kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën në cilësinë e deputetit, unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do t’i paraqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes, dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias.
Gjykata Kushtetuese mori vendim 4-4 për kërkesën e kryeministrit Edi Rama që kërkonte rrëzimin e vendimit të SPAK për pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, duke lënë kështu në fuqi pezullimin e saj.

A po krijohet keshtu precedenti per marrjen e vendimeve te ardhshme me minsitra apo dhe vete kryemeinistrin????

Share it :