Alarmante/ Shqiptarët po hanë bukë me ngjyrues kancerogjene
Një prej problemeve më masive që konstatohet tek bukët është niveli i proteinave.
Ky tregues përbën një prej drejtimeve kryesore që ndiqen edhe në praktikat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Referuar udhëzuesve dhe manualëve zyrtarë të miratuar, niveli i proteinave duhet të jetë në masën 12 %.
‘Do të duhet patjetër që të gjitha dyqanet, është edhe ligji për vlerat ushqyese të bukës, që do të thotë etiketa ushqimore, e di që buka shitet brenda ditës apo të nesërmen por përsëri do të duhej që për secilën prej atyre bukëve që shiten në dyqane duhet të ketë një analizë që përcakton vlerat ushqimore të secilës prej tyre pasi përbërja shpesh herë është komplet e ndryshme nga njëra-tjetra’, u shpreh Sokol Abazi, kimist.
Në mostrën e parë të bukës masive rezultati është 11 %. Fjala është për të njëjtën furrë ku u konstatua edhe mashtrimi me bukën integrale. Ndërkohë, në mostrën e dytë, rezultati është 11,78 %. Pra, rezulton se buka masive në të dy furrat nuk është e shëndetshme. Mungesa e proteinave paralajmëron dobësimin e metabolizmit në organizëm.
Nëse për 2 mostra rastësore rezultoi se niveli i proteinave është nën normë, pyetja që ngrihet natyrshëm është: po nëse do të zgjerohet kampioni, sa masive do të jetë kjo situatë…?!
Nga pikëpamja epidemiologjike kur diçka del me shumë pak mostra pra në këtë rast me dy kampione dhe shihet që njëri prej të dyve ka sasi kaq të lartë do të thotë që problemi duket që është relativisht i përhapur përsa kohë gjendet me kaq pak ekzaminim apo hetim. Normalidsht po të kishte qenë një problem shumë më i vogël do të duhej një nivel shumë më i madh mostrash për të arritur të kapin një pikë probkematike’, u shpreh Ilir Alimehmeti, mjek.
Në analizat e kryera për bukët integrale, rezulton se njëra prej mostrave nuk ka nivelin e duhur të fibrave.
Rezultati tregon nivelin prej vetëm 0,82 % ose më pak se 1 gram për 100 gram produkti. Pra, thënë më shkurt, rezultati është shumë afër zeros që tregon se buka është totalisht mashtrim. Edhe pse nuk ka një kuotë zyrtare të përcaktuar, ekspertët gjykojnë se niveli minimal i fibrave duhet të jetë 6 %, ose 6 gram për 100 gram produkt që konsiderohet edhe standardi i Bashkimit Evropian.
‘Ne nuk jemi në gjendje, kemi dështuar për të verifikuar nëse kjo, përveç pjesëve të standardeve që nuk thuhet pra nëse kjo buka çfarë sasie të miellit integral duhet të ketë, pra sa është përqindja që kjo të quhet një bukë integrale apo buke e zezë ne nuk i kemi këto’, u shpreh Ana Vuksani, pedagoge UBT.
‘Pamë që një bukë integrale kishte një nivel shumë të ulët të fibrave, ajo nuk është bukë integrale. Këtu je duke abuzuar me cilësinë. Nëse dieta dhe njerëzit kërkojnë bukë integrale ti duhet ti ofrosh një buke integrale’, u shpreh Ilir Pecnikaj, kimist.
‘Nuk arrij ta kuptoj se si mund të abuzohet me cilësinë, sepse me cilësinë është vetë direkt prodhuesi që abuzon me cilësinë, pra e di në mënyrë të shkëlqyer që është duke abuzuar. Pse duhet të më bësh një produkt me cilësi shumë të ulët dhe të ma shesësh si një produkt me cilësi të lartë. Këtu është problemi, unë shkoj për të blerë një bukë integrale dhe ju më ofroni një bukë masive ose e prodhuar me një miell i cili lejohet të prodhohet vetëm në punishten e ëmbëlsirave dhe ma shet për bukë integrale’, u shpreh Ilir Pecnikaj, kimist.
Rasti konkret përbën tregues se në bukë është përdorur ngjyrues dhe ajo nuk është natyrale. Me pak fjalë, qytetarët mashtrohen dhe konsumojnë një bukë me ngjyrues si bukë integrale. Në këtë rast, konsumatori jo vetëm nuk blen një bukë që ka përfitime shëndetësore, por përkundrazi mund të ketë pasoja në shëndet.
‘Nuk ka një përqindje të caktuar të ngjyruesve që duhet përdorur te buka dhe aditivët janë nga përgjegjësit kryesor për shkaktimin e kancerit në organizmin e njeriut. Ky është një falsifikim, është një mashtrim që i bëhet së pari konsumatorit duke i marrë nga xhepi paratë për një produkt që nuk është produkte që blen dhe kjo në fakt në bazë të ndryshimeve të kodit penal në 2019 përbën vepër penale’, u shpreh Ana Vuksani, pedagoge UBT.
Kur një bukë integrale përmban vetëm 0.82 gram fibra, ajo është qartësisht nën nivelin minimal prej 3 gram/100 g që aplikon si normë BE. Duket se kontrolli nuk ka funksionuar apo diçka ka çeduar duke shkaktuar pasoja te konsumatori. Sipas analizave të industrisë në BE, bukët integrale të tregut zakonisht përmbajnë mbi 6–7 gram fibra.
‘Për hir të vërtetës ne jemi të gjithë këtu dhe nuk kemi dëgjuar një operator biznesi të penalizohet sepse ka mashtruar haptazi konsumatorin’, u shpreh Ana Vuksani, pedagoge UBT.
Së pari, fibrat nuk janë vetëm një numër në etiketë, por tregojnë strukturën ushqimore të bukës sa pjesë të kokrrës së drithit mbeten në produkt dhe sa mbështesin shëndetin e tretjes, kontrollin e sheqerit, ndjesinë e ngopjes dhe përfitime të tjera metabolike që shoqërojnë dietat e pasura me drithëra integrale.
‘Aditivët që janë përgjegjësit kryesorë për shkaktimin e kancerit siç është ngjyruesi tek buka e zezë sot në Shqipëri ne nuk kemi kapacitete laboratorike për të evidentuar faktin nëse kjo bukë, integrale apo e zezë është si pasojë e grurit cilësor të përdorur apo si rezultat i përdorimit të ngjyruesve për përmirësuesve artificial’, u shpreh Ana Vuksani, pedagoge UBT.
‘Patjetër që përdoren ngjyrues për ta bërë bukën të duket si ato bukët që hanim atëherë që ishin me krunde me hime, por ato në fakt janë ngjyrues nuk kanë asnjë vlerë të shtuar përsa u përket fibrave të cilat do të sillte një grurë i cili nuk është bluar aq mirë, aq imët nuk është situr aq mirë ai është… shumica e tyre janë bërë me shtesa vetëm sa i japin atë ngjyrën, fibrat tregojnë që nuk janë në lartësinë e duhur’, u shpreh Sokol Abazi, kimist.
Ne realizuam një hulumtim që përfshin nga elementët më bazikë, tek ato më të komplikuar. Fillimisht, iu drejtuam terrenit për të bërë blerje të rastësishme si çdo qytetar normal.
‘Më e keqja është se kur flasim për sigurinë ushqimore asnjë nuk shpëton. Edhe ata që kanë atë detyrë fëmijët e tyre hanë po atë pastë po atë akullore, pinë po atë ujë, thithin po atë ajër, por për momentin nuk e kemi atë ndërgjegjshmëri profesionale do të thosha pa u futur në korrupsion apo përfitime të tjera. Është thjesht, jemi akoma të varfër nga pikëpamja kulturore çfarë hamë’, u shpreh Sokol Abazi, kimist.
Buka masive, është më e përdorura në tryezat tona. Faktori i parë i dukshëm që mund të kryhet lehtësisht nga secili prej nesh është pesha. Buka peshonte 800 gramë, nga 1 kilogramë që duhet të jetë. Pra, qytetari grabitet në 20 % të sasisë. Të gjitha llojet e bukëve të tjera e kanë të detyrueshme që të kenë të shënuar në ambalazhin e tyre përbërësit duke përfshirë edhe peshën por kjo mungon.
AKU: Në të gjitha njësitë ku prodhohet dhe tregtohet produkti bukë është i detyrueshëm pasqyrimi për konsumatorët i emërtimit të llojit të bukës, dhe i përbërësve sipas kartës teknologjike përkatëse, në një vend të dukshëm për konsumatorët.
‘Tek buka ka shumë gjëra që nuk shkojnë. Ne jemi i vetmi vend në Europë që bukën e shesim me copë, pra ne abuzojmë që tek shitja. në ligj është e shkruar që shitet me kg, njësia matëse është kg dhe ne shesim me copë’, u shpreh kimisti, Ilir Pecnikaj.
‘Në të gjithë Shqipërinë keni parë ndokund që të peshohet buka dhe të thuhet që kjo buka është 2 kg, 1 kg apo 500 gr që këtu fillon abuzimi. E gjithë markata e bukës në Shqipëri është jashtë çdo lloj kontrolli’, u shpreh kimisti, Ilir Pecnikaj.
Etiketimet janë një tjetër detyrim për prodhuesit e bukës, por kjo nuk realizohet. Në etiketë duhet të kenë të specifikuar çdo përbërës të bukës. Prodhuesit mjaftohen me vendosjen e logove të tyre në ambalazh dhe asnjë element tjetër të rëndësishëm për konsumatorin. Por, këto janë problemi më i vogël…
Duke pasur në fokus cilësinë dhe sigurinë, në blemë 4 bukë të cilat vendosëm ti çojmë në laborator për analiza konkrete. Përzgjedhja e furrave të bukës ishte rastësore. I vetmi kriter ishte blerja në pika pranë zonave me dendësi të lartë banimi.
Kjo është blerja e parë e realizuar. Një bukë masive e bardhë dhe një bukë integrale. Mungesa e kuponit tatimor është problemi më i parëndësishëm në këtë investigim që synim ka sigurinë ushqimore. Buka nuk kishte etiketime të qarta në ambalazh por vetëm logon e biznesit dhe të dhënat e tij siç pohuam edhe më sipër.
Këtu, jemi në pikën e dytë të prodhimit dhe tregtimit.
Blerja edhe këtu është identike si në rastin e parë: një masive të bardhë dhe një bukë integrale. Edhe në këtë rast shitësi nuk lëshonte kupon tatimor. Ky veprim nuk ishte vetëm për ne, por edhe për ata që blenë bukën përpara nesh.
Pa humbur kohë, menjëherë pas blerjeve ne i jemi drejtuar laboratorit i cili është i akredituar për një gamë mjaft të gjerë analizash. Nisur nga diskutimet, problemet e hasura në miell, vendosëm të analizojmë praninë e mykotoksionave, pesticideve, proteinat, fibrat dhe ndotësit ku përfshihen edhe metalet e rënda.
Mënyra se si veprohet në laborator dhe ndjekja e plotë e proceseve me kamera është e pamundur, megjithatë ne arritëm të shohim aparaturat ku do të kryhet analizimi i mostrave e më pas të kemi rezultatet. Këto janë aparaturat për të matur secilin nga elementët e sipërcituar…
Diçka që ne e konstatojmë rëndom në shtëpitë tona, mori tjetër vëmendje përmes një demonstrimi publik të deputetit socialist Erjon Braçe. Pse arrin të thahet buka brenda 24 orësh nga momenti blerjes, një pyetje që nuk mori asnjë përgjigje…
Por, përtej këtij denoncimi, ajo që përbën shqetësim është përdorimi i ngjyruesve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se nga inspektimet e kryera, nuk ka konstatuar asnjë rast të tillë.
AKU: Nga AKU janë marrë masa për kryerjen e kontrolleve për praninë e ngjyrueseve në subjekte të cilat prodhojnë bukë dhe prodhime brumi dhe gjatë këtyre kontrolleve nuk ka rezultuar prani ngjyruesish në ambientet e prodhimit.
‘Askush nuk e di a garantohen në të gjithë zinxhirin e tyre, përshtypja ime duke njohur kapacitet analizuese që kemi është që jo, pasi shpesh herë bëhen vetëm analiza shumë të thjeshta, një lagështi apo një hi, të cilat vetëm nëse do të ishte një falsifikim i atij produkti, vërtet debil do të thosha që të shtonin gjëra që të linin hi, apo lagështia që do të ishte më e lartë se sa duhej në limitet e tyre nuk garantojnë aspak cilësi’, u shpreh Sokol Abazi, kimist.
Por, fakti që nuk janë gjetur në momentet e kontrollit, nuk përjashton mundësinë e përdorimit. Një demonstrim i thjeshtë mund të krijojë indicie të forta për analiza më të detajuara.
Ne blemë tre bukë, dy integrale dhe një masive të zezë. Në një ene të pastër, të mbushur me ujë, vendosëm një fetë bukë nga secila prej tyre.
Në këtë formë ne pritëm një orë për të parë nëse uji do të ngjyrosej. Pas një ore ne e hoqëm bukën nga uji dhe rezultati është ky që po shikoni në ekran
Në të tre rastet uji është ngjyrosur. Njëra prej bukëve integrale ka lëshuar më shumë ngjyrë. Nëse afrojmë një gotë me ujë të pastër pranë, diferenca bëhet edhe më e qartë, uji është ngjyrosur.
Ky eksperiment i thjeshtë tregon që në tre bukët janë përdorur ngjyrues për të mashtruar qytetarin.
‘Tek mielli dhe tek buka kemi një udhëzim 207 i cili jep vetëm standardet e cilësisë dhe jep nivelin e lagështirës, nivelin e hirit, nivelin e fibrave dhe nivelin proteinik, por këtu ne nuk kemi një akt nënligjor të mirëfilltë i cili në fakt na tregon nëse kjo buka është vërtetë bukë integrale siç e quajmë ne bukë e zezë për të cilën ne paguajmë më shumë, apo është një bukë që i janë shtuar aditivë të cilat janë përmirësues artificial ngjyrues’, u shpreh Ana Vuksani, pedagoge UBT.
Por, ky është një element që del zbuluar edhe në analizat e realizuara nga ne të cilat do ti zbulojmë pas pak…
‘Dhe ajo shprehja që ne jemi çfarë hamë, nuk është e vërtetë, pasi ne do të ishim me kohë përbindësha pasi ajo që hamë nuk është e kontrolluar dhe e garantuar siç duhet’, u shpreh Sokol Abazi, kimist. Inside Story/ Top Channel






