Ndotja e ajrit, një vrasës i heshtur në qytetet shqiptare

Në javën e parë të korrikut, ndërsa temperaturat regjistronin rekorde të reja dhe ajri rëndohej nga vapa përvëluese e verës, qielli mbi qytetin industrial të Elbasanit u mbulua me re të dendura tymi, si rrjedhojë e një zjarri që përfshiu venddepozitimin e mbetjeve në periferi të tij.

Sipas matjeve të realizuara nga organizatat mjedisore, si pasojë e zjarrit masiv që përfshiu fushën e mbetjeve, sasi të mëdha dioksidi karboni, metani dhe dioksidi azoti u përhapën në ajër, duke tejkaluar normat e lejuara.

Shqipëria detyrohet nga direktivat e Bashkimit Europian dhe legjislacioni i brendshëm që të monitorojë cilësinë e ajrit si dhe ndikimin e ndotjes në shëndetin e popullatës.

E megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi dhe intervistave me ekspertë tregojnë se qytetet kryesore të vendit nuk kanë mjete që të prodhojnë të dhëna të besueshme për cilësinë e ajrit, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk i publikon këto të dhëna në kohë reale.

Paaftësia për të mbledhur të dhëna mbi sasinë e grimcave të rrezikshme në ajër, sipas ekspertëve, ka paralizuar edhe reagimin ndaj shkaqeve të ndotjes, e cila fajësohet për një gamë të gjerë problemesh shëndetësore në rritje.

Sjellin probleme në aparatin respirator, probleme të frymëmarrjes, rritje të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, lodhje, irritime dhe ndikim afatgjatë në shëndet, alergji, kollë dhe shqetësime, sidomos tek fëmijët dhe të moshuarit,” tha Imeldi Sokoli, ekspert mjedisi.

Megjithëse ka ngritur një inspektorat të dedikuar për mjedisin, Bashkia e Elbasanit i tha BIRN se kapacitetet e kësaj agjencie lënë për të dëshiruar.

“Inspektorati i Mjedisit, Bashkia Elbasan, nuk disponon logjistikën e duhur për të kryer monitorime në ajër, ujë dhe tokë, por vepron duke i konstatuar nga ana vizive në terren, në të gjithë subjektet që operojnë në territorin e Bashkisë Elbasan”, shpjegoi bashkia në një përgjigje me shkrim.

Pamje e cunguar

Stacioni i AKM-së për ajrin në Shkollën Jusuf Puka, Durrës. Foto Geri Emiri

Ndotja e ajrit është përqendrimi në atmosferë i substancave të dëmshme – gazra, grimca të imëta apo komponime kimike, në nivele që rrezikojnë shëndetin e njerëzve, ekosistemet dhe klimën.

“Bazuar në të dhënat e monitoruara të cilësisë së ajrit urban për vitin 2024, vlerësohet se cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është në një nivel shumë të mirë”, shkruhet në raportin vjetor të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për vitin 2024.

Sipas një analize të Institutit të Shëndetit Publik, 17.6% e aksidenteve cerebrovaskulare, sëmundjeve ishemike të zemrës, sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike (SPOK), astmës dhe kancerit të mushkërive lidhen drejtpërdrejt me ndotjen e ajrit.

Ekspertët e mjedisit theksojnë se matja e rregullt e disa elementeve të caktuara ndihmon në lidhjen e tyre me efektet që mund të kenë në shëndetin e njeriut.

“Sa i përket monitorimit të cilësisë së ajrit, ky proces ka rol kyç për të lidhur ndikimin që ka cilësia e ajrit në shëndetin publik, pasi normat e larta të komponentëve të matur, si PM2.5, PM10, NO2 dhe CO2, sjellin probleme të ndryshme shëndetësore”, tha Imeldi Sokoli.

AKM është institucioni kryesor përgjegjës për monitorimin e cilësisë së ajrit në Shqipëri dhe, sipas saj, të dhënat mblidhen në kohë reale nga gjashtë stacione automatike, një stacion automatik lëvizës dhe dy stacione automatike të dedikuara për grimcat e pluhurit. Megjithatë, këto të dhëna nuk publikohen në mënyrë të vazhdueshme.

AKM i tha BIRN, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, se me ndihmën e Bashkimit Europian po punon që në të ardhmen të realizojë “publikimin në kohë reale të të dhënave të ajrit urban”

Nga ana tjetër, aktivistët e shoqërisë civile dhe organizatat mjedisore konstatojnë se matja e realizuar nga agjencia jep një panoramë të cunguar, për shkak të numrit të kufizuar të stacioneve të matjes dhe publikimit vetëm një herë në vit të të dhënave përmes raportit të gjendjes në mjedis.

Për ekspertët e mjedisit, mungesa e publikimit të të dhënave nga pikat zyrtare të monitorimit shtetëror në kohë reale krijon një hendek informacioni të përditësuar, që ndikon drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për informim dhe mbrojtje shëndetësore.

“Një nga problematikat kryesore lidhet me funksionimin e pikave të monitorimit të cilësisë së ajrit, të cilat në shumë raste rezultojnë prej vitesh pasive ose nuk publikojnë rregullisht të dhëna të aksesueshme për publikun”, evidentoi eksperti i mjedisit, Endi Biba.

Megjithë rrezikun që i kanoset shëndetit publik nga ndotja e ajrit, bashkitë kryesore të vendit, ngjashëm me Elbasanin, nuk kanë kapacitete për të monitoruar sasinë e grimcave të dëmshme. Në përgjigje të kërkesave për informacion, Tirana, Durrësi, por edhe qyteti naftënxjerrës i Kuçovës, i thanë BIRN se nuk kanë instaluar pajisje për matjen e parametrave të ajrit.

Share it :