Negociatat/ Mbetet pezull tenderi i portit të ri të Durrësit

Belinda Balluku kishte premtuar ta shpallte fituesin në 31 Janar, por ndërkohë gjendja e saj penale është përkeqësuar ndjeshëm

Në ditët e fundit të tetorit, vitin e kaluar, pak para se të merrej e pandehur, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi me bindje se fituesi i tenderit për ndërtimin e Portit të Ri të Durrësit do të shpallej më 31 janar 2026.

Deklarata u bë në ceremoninë e prezantimit të drejtorit të ri, Liburn Aliu, kur Balluku u shpreh se procesi kishte qenë i gjatë dhe se “5 kompani të huaja kanë garuar dhe më 31 janar kemi fituesin e garës për ndërtimin e portit”.

Videosh

00:09
00:21

Por premtimi nuk u mbajt. 31 janari kaloi në qetësi dhe asnjë fitues nuk u shpall për të ndërtuar portin e Durrësit, një investim që shkon gati 400 milion euro. Procedura u shty, ndërsa në sistemin elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik shfaqen afate të rinovuara për mbylljen e procesit të prokurimit deri më 9 mars 2026.

Vendimi për ta shtyrë shpalljen zyrtare të fituesit nuk ka logjikë, sepse nga gara ishin skualifikuar kompani me peshë franceze, italiane dhe holandeze, për të kaluar në fazën e fundit vetëm me qiprioten Archiridon.

Mbetet i paqartë hapi final drejt njoftimit të kompanisë fituese, duke ngritur pyetje rreth legjimitetit dhe transparencës së procesit, që deri më tani është shoqëruar me dyshime të shumta.

Kush është pas Archirodon?

Nga dokumentet zyrtare të prokurimit për Portin e Ri të Durrësit rezulton se fazën e fundit të garës mbeti vetëm një ofertues: Archirodon Construction (Overseas) Company Limitedme bazë në Qipro.

Archirodon është një ndërmarrje me histori gjysmë-shekullore, pjesë e grupit ndërkombëtar Archirodon Group NV, me seli kryesore në Dordrecht të Holandës dhe Athinë të Greqisë, dhe me operacione në mbi 30 vende në botë. Kompania është e fokusuar në projekte të mëdha marine, infrastrukturës dhe punime të lidhura me porte, dredging dhe projekte të tjera me kompleksitet të lartë.

Në dokumentet e kompanisë, Archirodon shfaqet si pjesë e një portofoli investimesh që lidhen me grupe të mëdha kapitali si Al Nowais Investments, një grup investimi i Emirateve të Bashkuara i fokusuar në infrastruktura energjetike dhe industriale, ku Archirodon përmendet si një prej investimeve kryesore në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës.

Një burim financiar ndërkombëtar, S&P Capital IQ përmes MarketScreener, e identifikon palën nga Lindja e Mesme si Al Nowais Investments LLC, që së bashku me “aksionerin ekzistues” morën 40 për qind nga Boskalis. 

Al Nowais Investments është një grup privat investimesh me bazë në Abu Dhabi, i ndërtuar si biznes familjar, që deklaron se zotëron, kontrollon dhe menaxhon një portofol të diversifikuar kompanish operative, kryesisht në inxhinieri, kontraktim, materiale ndërtimi dhe pasuri të paluajtshme, si dhe kryen investime “principal” në sektorë të zgjedhur. 

Forbes Middle East e rendit Al Noëais Investments në listën Top 100 Arab Family Businesses 2025 dhe e përshkruan si një grup i themeluar në fund të viteve 1970 nga familja Al Noëais, me shtrirje në sektorë të shumtë si inxhinieri dhe ndërtim, shërbime për industrinë e naftës, shëndetësi, sisteme komunikimi, teknologji, industri elektrome-kanike dhe kimike, real estate, hoteleri dhe projekte infrastrukturore të mëdha.

Vetë Al Nowais Investments e liston Archirodon si pjesë të portofolit të investimeve, çka e konfirmon lidhjen e pronësisë në nivel grupi.

Personi kyç është Hussain Al Nowais, biznesmen me origjinë nga Emiratet dhe figura më dominuese në strukturën drejtuesve të kompanisë. Dy javë më parë ai u shfaq në një intervistë për mediat arabe në Samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (Abu Dhabi Sustainability ëeek 2026).

Në të njëjtin aktivitet në Abu Dhabi, ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Nuk ka raportime për një takim mes tij dhe biznesmenit arab.

Si u përjashtuan kompanitë europiane nga tenderi

Përbërja e saktë e aksionerëve të Archiridon fshihet pas një zone offshore, por është një informacion vendimtar për portin e ri në Porto Romano, si pjesë e rëndësisë strategjike të porteve në rajonin e Mesdheut.

Gjithsesi, në vendin tonë pengesat u lidhën me “thembrën e Akilit” të qeverisjen e Edi Ramës,trukimet në garën për tenderat qindra miliona euro.

Kompanitë europiane u skualifikuan nga tenderi për Portin e Ri të Durrësit sipas një modeli që ngjan më shumë me një skemë të mbyllur eliminimi, sesa me një garë reale ndërkombëtare.

Në fazën e parakualifikimit u përjashtuan konsorciume të mëdha europiane si Jan De Nuldhe grupi Vinci.

Arsyeja zyrtare lidhej me mungesën e disa dokumenteve mbështetëse për një projekt konkret në ishullin Reunion, edhe pse bëhej fjalë për një nga projektet infrastrukturore më të njohura në botë, të realizuar nga një konsorcium ku Vinci ishte lider. Në thelb, një kompani me dekada përvojë, qindra mijëra punonjës dhe dhjetëra miliarda euro xhiro vjetore u përjashtua për një formalitet që nuk cenonte aspak kapacitetin real teknik apo financiar të ofertuesit.

Kur Jan De Nul dhe Vinci tentuan të ankimonin skualifikimin, procesi u bllokua sepse autoritetet kërkuan pagesën e 0.5 për qind të vlerës së tenderit, rreth 2 milionë euro, vetëm për shqyrtimin e ankesës, duke lënë vetëm dy ditë afat për kryerjen e pagesës.

Praktikisht, Komisioni i Prokurimit Publik refuzoi ta shqyrtonte ankesën dhe autorizoi vijimin e procedurës, duke mbyllur derën për çdo kontroll real ligjor mbi vendimin e skualifikimit.

Hapi i fundit i skemës ishte eliminimi edhe i Van Oord, kompanisë hollandeze me reputacion global në ndërtimin e porteve dhe marinave. Skualifikimi i saj u justifikua me mosparaqitjen në kohë të ekuivalentimit të licencave dhe dokumentacionit të stafit, edhe pse kompania kishte kuptuar se këto kërkesa do të plotësoheshin vetëm para nënshkrimit të kontratës dhe kishte nisur procedurat në e-Albania, duke kërkuar shtyrje afati. Autoritetet nuk pranuan asnjë shtyrje dhe ndërprenë komunikimin, duke e lënë kompaninë jashtë gare.

Kështu, pas një serie përjashtimesh të njëpasnjëshme mbi baza formale, në garë mbeti vetëm filiali qipriot i Archirodon, një kompani e krijuar rishtazi për projekte të tilla.

Situata e Ballukut dhe vizitat diplomatike në SPAK

Në nëntor të vitit të kaluar, Kryeministri Rama ishte në Hagë ku u njoh edhe me shqetësimin e holandezëve për garën problematike për portin e Durrësit.

Takim i kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit Dick Schoof në Hagë
Takim i kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit Dick Schoof në Hagë

Në një postim në X, kryeministri holandez Dick Schoof shkruajti mes të tjerash se Ramës, “i shpreha vlerësimin tim për bashkëpunimin e mrekullueshëm ekonomik dhe shanset që ka biznesi holandez, si për shembull në projektin prestigjioz të NATO-s, Porto Romanon“.

Qeveria shqiptare e bëri njërin vesh shurdh, ndaj holandezët avancuan me planin B.

Në Tiranë u aktivizua ambasadori Reinot Vos pjesë e pandashme e trupës diplomatike që kishte mbështetur zgjedhjen e Klodian Brahos.

Shumë shpejt, Vos u pa në derën e SPAK ku bisedoi nga afër me kreun e ri të SPAK, Klodian Braho për shqetësimet që kishte.

I njëjti ambasador, ishte në takime edhe me shoqatat e prokurorëve. Vos u shfaq si vizitor edhe në Gjykatën Kushtetuese, atje ku pritet të merret një vendim për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

Sa më të shpeshta vizitat e ambasadorëve në dyert e prokurorive apo gjykatave, aq më i përkeqësuar paraqitet pozicioni i Belinda Ballukut. E pandehura vazhdon të mbajë postin e zv.kryeministres dhe ka garancinë e Ramës se nuk do të arrestohet, por proceset mbeten aty, bashkë me mesazhet e telefonave dhe dokumentat e firmosura prej saj.

Në anën tjetër, kontaktet e diplomatëve të huaj me gjyqësorin shqiptar nuk janë diçka e re. Përkundrazi prokurorë dhe gjykatës shqiptarë, të infektuar nga një virus i shëmtuar vasaliteti, janë gati të përkulen përballë çdo diplomati që u troket në derë. Por ato janë aty për të zgjidhur shqetësimet e qytetarëve të vendeve të tyre.

Lapsi.al u interesua pranë portit aktual në Durrës se përse një proces me premisa të qarta për shpallje fituesi u shty pa një arsyetim transparent, megjithatë deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

400 milionët e portit të ri të Durrësit mbeten aty. Në pritje për t’u negociuar në ndonjë tryezë tjetër. Se kush do t’i fitojë… arabët, grekët apo holandezët, kjo nuk dihet ende. Disa po tërheqin, disa po shtyjnë, të tjerë po negociojnë dhe të tjerë po numërojnë për të gjetur një të mesme të artë ,që nuk është çudi të përfundojë duke ndarë paratë dhe duke i ftohur dosjet e nxehta që presin në SPAK./Lapsi.al

Share it :