Prapaskena e ‘Paketës së Maleve’, Spahia: Po përgatitet tjetërsimi i pronave në zonat turistike të Veriut

Prapaskena e ‘Paketës së Maleve’, Spahia: Po përgatitet tjetërsimi i pronave në zonat turistike të Veriut

Nisma më e fundit e qeverisë, e quajtur ‘Paketa e Maleve’, është vënë në shënjestër të kritikave të forta nga opozita, e cila e cilëson atë jo si një projekt zhvillimor, por si një mekanizëm grabitqar për tjetërsimin e pronave.

Gjatë bisedës me moderatoren Eneida Ndoci në Edicionin e Pasdites në SYRI TV, deputeti i PD-së Bardh Spahia, ka analizuar krijimin e grupit të përbashkët të punës qeveri-bashki për këtë paketë, vuri në dukje një detaj shqetësues: përzgjedhjen e kryebashkiakëve që aktualisht janë nën hetim nga SPAK, si Benet Beci i Shkodrës dhe Majlinda Bufi e Roskovecit, për të drejtuar këtë proces

Dy mjeshtrat e aferave korruptive janë zgjidhja ideale për këtë plan,’ ironizoi Spahia, duke shtuar se përfshirja e tyre sinjalizon qëllimet e vërteta të projektit. Sipas tij, Paketa e Maleve synon t’u marrë tokën banorëve autoktonë të zonave malore për t’ia kaluar investitorëve të ashtuquajtur strategjikë, të cilët shpesh janë vënë aty për interesa klienteliste dhe pastrim parash. Ai denoncoi faktin se aplikimet për këtë paketë janë bërë edhe për zona që nuk janë fare malore, duke treguar mungesën e seriozitetit dhe transparencës.

Spahia solli shembullin e dhimbshëm të Thethit, ku pas thirrjeve të qeverisë për emigrantët që të kthehen dhe të investojnë kursimet e tyre në turizëm, shteti ndërhyri brutalisht duke u rrënuar investimet në kulmin e sezonit turistik. ‘Kjo shkaktoi një plagë sociale të paimagjinueshme. Pasi banorët harxhuan kursimet e viteve dhe u futën në borxhe, shteti ua shkatërroi gjithçka,’ u shpreh Bardh Spahia në SYRI TV.

Share it :