Tabuja që theu Albin Kurti

Tabuja që theu Albin Kurti

Nga Andi Bushati

Kjo fitore e thelle e Kurtit dhe VV është thyerja e një tabuje. Ajo përbën rastin e parë që na dëshmon se edhe në vende si tonat, jetëgjatësia në pushtet nuk kalon vetëm përmes shkallmimit të demokracisë
Jehona e fitores shkatërruese që korri Vetëvendosja këtë 28 dhjetor, duke përsëritur rezultatin plebishitar të Shën Valentinit 2021, e kapërcen thjeshtë territorin e Kosovës. Duke u ngritur në mbi 50% dhe duke siguruar qeverisjen e vetme, pa koalicion, ajo po thyen një traditë ballkanike të vijueshmërisë së sukseseve elektorale. Prandaj kjo që ka ndodhur këtë të dielë ka fuqinë e një modeli të ri, të pa eksperimentuar më parë.
Le të shpjegohemi. Që kur kjo pjesë e gadishullit tonë la pas krahëve epokën komuniste, ne kemi njohur fitore të njëpasnjëshme të partive tradicionale. Milo Gjukanoviçi dhe socialistët e tij e udhëhoqën Malin e Zi për tre dekada, ku heroi i pavarsisë së vendit shërbeu herë si kryeministër e herë si president. Një tjetër fqinj i yni, Maqedonia, u drejtua për 10 vite nga Nikolla Gruevski, i cili fitoi katër palë zgjedhje, ndonëse VMRO DPMNE, nuk e gëzoi dot mandatin e katërt, si pasojë e një ndërhyrje të fuqishme të vendeve perendimore.
Të kthehemi tani te ata që janë ende në fron. Aleksandar Vuçiçi si shef i partisë Progresiste Serbe u kurorëzua kryeministër në 2012. Ai u bë president i Serbisë në 2017, duke ruajtur kontrollin mbi partinë dhe qeverinë dhe fitoi më pas një mandat të dytë, që e shpie atë në vitin e 15 në krye të vendit.
Po ashtu edhe Edi Rama, ka regjistruar në 2025, kulmin e pushtetit të vet, me 83 deputetë, pasi kishte udhëhequr për 12 vjet, pa ndërprereje.
Pra në kuptimin numerik Albin Kurti dhe Vetëvendosja janë ende shumë pas. Por rekordi i tyre, modeli i ri, thyerja e tabusë që përbën fitorja e këtij 28 dhjetori, nuk qëndron tek kohëzgjatja, por tek forma me të cilën arrihet ajo.
Edhe në Mal të Zi (1991=2020) edhe ́në Maqedoni (2006=2014) edhe në Serbi e Shqipëri, sukseset elektorale dhe qeverisja e pandërprerë kanë pasur të gjitha një emërues të përbashkët. Tendencën për të zhbërë sistemin demokratik duke rrëshkitur drejt autokracisë. Edhe Gjukanoviçi edhe Gruevski edhe Rama e Vuçiçi krijuan një pushtet personal, u mbështetën tek oligarkët të cilët i pasuruan pamasë; prodhuan një mjedis të favorshëm mediatik rreth tyre, kryesisht duke blerë e në rastin më fatkeq duke dhunuar media; nënshtruan përdhunshëm sistemin e drejtësisë, duke e përdorur atë në dëm të kundërshtarëve apo etnive të tjera, atje ku ekzistonin. Ngjashmëria e regjimeve të tyre ishte asfiksimi i sa më shumë lirive dhe pushteteve duke e ruajtur vetëm iluzionin e garave zgjedhore, të cilat, dalë ngadalë, sa më shumë kohë kalonte, aq më tepër shndërroheshin në farsa.
Aq i zakonshëm u bë ky model sa shumëkush=, e këtu se përjashtoj as veten=, filloi të besonte se për të ndenjur gjatë në pushtet, në kërë pjesë të botës, ishte e detyrueshme ti bije në qafë demokracisë.
Llogaria bëhej e thjeshtë. Në vendet tona të dala nga errësira të gjata, njerëzit ishin të etur dhe të padurueshëm. Të parashutuar papritur në një botë kapitaliste, ata donin sukses, mirqënie dhe përmirësim të atypëratyshëm të jetës. Shpejtësia e rezultateve të një qeverie, sado mirë të punonte ajo, nuk mund të ishte sinkron me shpejtësinë e imagjinatës dhe pritshmërive të votuesve të saj. Prandaj një qeversje edhe po të qe, qoftë normale, apo qoftë e mirë, do prodhonte ndëshkim dhe do largojej me votë.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij paradoksi, mendje perverse, të yshtura për pushtet të pa matë, eksperimentuan një rrugë tjetër. Nëse njerëzit nuk i kënaq dot, atëherë ata duhen manipuluar, nëse ke frikë se zgjedhësit të ndëshkojnë, arëhere liria e tyre duhet kufizuar, ńëse i trembesh reagimit të shoqërisë, atëherë ai duhet asfiksuar, përmes nënështrimit të të gjitha pushteteve të tjera. Kjo qe rruga që ka siguruar përgjatë këtyre tre dekadave jetgjatësinë në pushtet të autokratëve të Podgoricës, Shkupit, Beogradit apo Tiranës.

Aq të spikatur u bënë këta shembuj sa, tepër lehtë, ato mund të përbënin një manual përdorimi për çdokënd që synonte moslëshimin e fronit në Ballkanin Perendimor. Këtë model e përforconte edhe më shumë mungesa e një shembulli të kundërt. Ajo përforconte idenë se triumfi politik, përpara se të kishte si kusht mirëqeverisjen, ishte i varur nga prishja e rregullave të lojës dhe minimi i demokracisë.
Në këtë vigjilje të ndërrimit të viteve ky version unik i historisë ka rënë. Albin Kurti dhe Vetëvendosja vërtetuan me forcën e shembullit, se është e mundur të fitohet një mandat i tretë, madje plebishitar, edhe pa bashkëpuniar me oligarkinë financiare edhe pa blerë televizionet e mëdha, edhe pa kapur drejtësîë edhe pa nënshtruar shoqërinë civile dhe sindikatat. Mjafton të mos punosh për një pakicë, mjafton të mos besosh te manipulimi por te puna, mjafton të mos shndërrohesh në lake të ndërkombëtarëve, që të shantazhojnë me dosje korruptive dhe mund ti përballosh lehtësisisht akuzat e opozitave, kritikat e mediave, dyshimet e prokurorëve.

Kjo fitore e thellë e Kurtit dhe VV-së është thyerja e një tabuje. Ajo përbën rastin e parë që na dëshmon se edhe në vende si tonat, jetëgjatësia në pushtet nuk kalon vetëm përmes shkallmimit të demokracisë. Pikërisht për këtë rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është i veçantë vetëm për votuesit që e prodhuan atë. Ai ka një rezonancë përtej Kosovës, pasi ofron shembullin e një rruge të pa shkelur për të gjithë rajonin.
@Lapsi.al

Share it :
Krahasimi, Paloka kujton filmin italian: Nuk është problem ‘thatësira’ për integrimin e vendit por mafia… ‘Balluku’ Nga një moment kyç dhe një vërtetim suksesi, në një hap procedural pa rëndësi. Ky është ndryshimi drastik i narrativës së qeverisë shqiptare në lidhje me raportin e IBAR, duke ngritur pyetje mbi arsyet e vërteta të këtij ndryshimi qëndrimi. Ndërsa deri para pak muajsh miratimi i raportit shihej si një vijë finishi, tashmë rëndësia e tij po minimizohet, duke lënë të kuptohet se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë ka hasur në një pengesë të madhe. Sipas deputetit demokrat Edi Paloka që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, arsyeja e këtij ngërçi nuk duhet kërkuar te 101 kushtet teknike të vendosura nga Bashkimi Evropian, por te një çështje specifike politike që mban emrin “Belinda Balluku”. Sipas tij, mosveprimi për këtë rast është kthyer në arsyen kryesore të bllokimit të negociatave. Qeveria, në përpjekje për të shmangur vëmendjen nga ky problem thelbësor, akuzohet se po përdor një taktikë diversioni, duke theksuar kushte të tjera si ato mjedisore. Kjo situatë është krahasuar në mënyrë ironike me një skenë nga filmi “Johnny Stecchino”, ku një mafioz ankohet se problemi më i madh i Palermos është “thatësira”, duke injoruar plotësisht praninë e mafies. Në mënyrë analoge, theksohet se “thatësira” e vërtetë e procesit të integrimit shqiptar nuk janë kushtet teknike, por çështjet e lidhura me pandëshkueshmërinë në nivele të larta politike. Sipas deputetit demokrat bëhet e ditur se presioni ndërkombëtar është rritur ndjeshëm. Përfaqësues të lartë të BE-së, dhe veçanërisht të qeverisë gjermane, raportohet se i kanë komunikuar qartë kryeministrit Edi Rama se pa një zgjidhje për rastin në fjalë, që përfshin dorëzimin e imunitetit, Shqipëria jo vetëm që nuk do të përparojë, por rrezikon të bëjë hapa pas në rrugën e saj evropiane. Ngecja aktuale në proces nuk është thjesht një vonesë, por një bllokim me pasoja konkrete që mund të çojnë në regresin e aspiratës evropiane të vendit vlerësoi Paloka. Flavio Qarri: Tani pyetja është e thjeshtë Paloka, për publikun që po na ndjek, le ta bëjmë sa më të thjeshtë që është e mundur. Çështja është, nëse IBAR-in deri nga dhjetori këta e trajtonin që do të ishte, le të themi kufiri i ri i vërtetimit të suksesit të tyre, pse këto muajt e fundit po thonë të kundërtën, që nuk ka asnjë lloj rëndësie në ecurinë për Bashkimin Evropian? Edi Paloka: Është kjo që sapo the ti Flavio, është e vërtetë, por është po aq e vërtetë që kufiri që caktove ti ka qenë deri me 12 maj. Sepse kishte nga ata, jo direkt Rama po, me ato mënyrat e tij që spinon domethënë nëpër media po me ndonjë figurë dytësore politike. Kishin lënë të kuptohej sikur me datë 12 raporti i IBAR do kalonte. Por thashë, duke përdorur kështu figura dytësore në mënyrë që mos dilte krejt bllf Rama. Rezultatin e pamë dhe pjesa që IBAR është i parëndësishëm apo ka edhe humore të tjera të kësaj qeverie, si ajo deklarata e kësaj komisioneres tonë për integrimin, që tha na ka vënë 101 kushte Bashkimi Evropian dhe më i rëndësishmi është ai i mjedisit, tha. Se kjo më kujtoi, më kujtoi një detaj, besoj Johnny Stecchino e kanë pare. Është ai detaji kur ky qytetari naiv që e luan Roberto Benigni, dy rolet, nga veriu shkon dhe e pret mafiozi në aeroport dhe ndërkohë që ecnin, ai i shpjegonte hallet që ka Palermo dhe ka një moment aty që i thotë, Palermo thotë, Palermitanët kanë një problem shumë të madh thotë, që e vuajnë por na e kanë nxjerrë dhe namin e keq në gjithë botën i thotë. Një problem domethënë që po na turpëron, që na ka bërë kështu e domethënë gjithë zezat dhe në fund i thotë, cili është ky problem? thotë. Është thatësira, i thotë ai. Domethënë, problemi që ishte kulmi i mafies në Palermo dhe ky i thotë kemi këtë problem e madh që është thatësira. Edhe puna e këtyre 101 kushteve që përmendëm këta, që tha mjedisi, sigurisht mjedisi është shumë i rëndësishëm. Por ne e dimë të gjithë se cila është thatësira e këtyre. Është Belinda Balluku, sepse tashmë e kanë marrë vesh edhe më të fundit e shqiptarëve dhe ata që nuk kanë fare lidhje me informacionin direkt, që arsyeja kryesore e bllokimit këtë herë të negociatave dhe të integrimit dhe bllokimi i raportit të IBAR ka emrin Belinda Balluku, që nënkupton Edi Ramën. Kësaj po përpiqet Rama t’i shmanget sa më shumë, e kemi parë në të gjithë daljet e fundit, që përveç se mbron Ballukun dhe aktin e tij në parlament, përpiqet të bëjë pastaj këtë që thatë ju, që ta bëjë sa më të parëndësishëm këtë hap të procesit të integrimit, pra miratimin e raportit të IBAR. Po e vërteta është që, nëse arrin me këta burokratët e Komisionit apo të Bashkimit Evropian të blejë ndonjërin këtu apo atje Rama, kur vjen puna pikërisht në këtë hap të procesit, siç është edhe miratimi i raportit të Ibar, ku vendosin shtetet, nuk pi më ujë “kosi”. Në këtë rast. Domethënë “kosi” mund të thotë ç’të dojë, mund të bëjë fletë, mund të nxjerrë fletë lavdërimi sa të dojë për Ramën aty, po nuk i pi ujë “kosi” në këtë rast tek shtetet, të cilët kanë informacionet e tyre, njohin realitetin dhe në fund fare vendosin ata. Nuk vendos as “Kosi”, as dikush tjetër nga këta që mban me rrogë Rama. Dhe këtu ka ngecur dhe këtu sigurisht do të ngeci Rama. Flavio Qarri: Tani, çfarë do të thotë të ngeci? Okej, e kuptoj pjesën e avancimit, e kuptoj pjesën e parakalimit të Malit të Zi, por a ka pasoja kjo ngecje konkrete? Edi Paloka: Sigurisht, pasojat janë jo thjesht vonesa, sepse po rithem një fakt që tashmë është thënë e stërthënë. Kur erdhi Kirschbaum, megjithëse nuk është dashur bërë publike me kërkesë të tij, po tash ajo është bërë publike. Kur erdhi Kirschbaum në Shqipëri apo dhe grupet e tjera, delegacionet e tjera të Komisionit Evropian, Bashkimit Europian, partive popullore, po sidomos përfaqësuesit e qeverisë gjermane, ja kanë thënë troç Ramës. Ramës dhe atyre të tjerëve mbas tij, si Taulant Balla e këta zarat që ka Rama që i mban ison. Nëse nuk lëshoni Belinda Ballukun, nëse dorëzoni imunitetin e Belinda Ballukut, jo vetëm do bllokohet integrimi, por do të ktheheni pas. Dhe kjo po ndodh…