Shkrepëse demokratike bullgare

Shkrepëse demokratike bullgare

Nga Basir Çollaku

Mijëra qytetarë bullgarë në një protestë të madhe në mbarë vendin, për një Bullgari pa Mafia, nuk kursyen as shishe flakëhedhëse, as përballje fizike me policinë, në Sofie e disa qytete. Reagimi ka detyruar qeverinë të tërhiqet nga projketbuxheti, si dhe presidentin të kërkojë dorëheqje të qeverisë. Ulje taksash dhe luftë kundër korrupsionit, një vend pa mafia, ishin mjaftueshëm bindje për qytetarët, të turreshin e mbushnin sheshet.

Protesta dhe përleshjet me trupat e rendit, djegie, zjarrvënie, bllokime portesh, rrugësh, për kohë të gjatë, kemi parë në të gjithë Evropën. Në Greqi fermerët kanë bllokuar autostradat duke lajmëruar bllokimin e të gjithë porteve. Zjarret në Paris për disa javë, kujtojmë jelekverdhët, apo në Berlin, Athinë, SHBA, janë modele fort demokratike, të paqortuara nga askush në kafene ambasadorësh, por të reflektuara në dëgjesë e hapje veshësh për qeveritarët, në një bindje e plotësime kërkesash me shpejtësi të barabartë me reagimet.

Po në Shqipëri?!

Krimi, bandat, vrasjet, pastrimi i parave, aksesi në institucione të të gjithë pushteteve i Mafias ndërkombëtare e vendase, e trafikantëve të drogës, është në nivele terroriste dhe Shqipëria ka një reagim anemik kundër tyre, sikur jemi selia e parajsës mbi dhe. Kemi të pandehur gjithë qeverinë, ku nuk mungojnë ministra të burgosur, të arratisur, në hetim, bashkiakë të tillë plot. Kemi zëvëndëskryeministren Belinda Balluku, të pandehur, për abuzime në qindramilionë euro, bashkë me kryeministrin frmëtar. Por rezistenca e kryeministrit për ta mbajtur me çdo kusht në zyrë, është shkërmoqja e antikorrupsionit, falë sekreteve dhe presionit.

Ndërkohë profesoresha ish-diplomate, mikja e Ramës Federica Mogerini, rektore e Kolegjit edhe për kampusin e Tiranës, arrestohet në Bruksel për mashtrime në tendera e fonde publike në detyrën e saj. Atje për prangosje hajdutësh nuk presin leje nga Hëna apo Venezia. Kemi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, të arrestuar, me 13 akuza për korrupsion, fshehje pasurie, e pastrim të produkteve të veprës penale familjarisht i hetuar. Kemi të huaj që vijnë e marrin dhjetëra milionë euro nga taksat tona, nuk ngulin asnjë lopatë në punë, e zhduken si turistë buxhetorë, duke na lënë puplat, e në bëjmë sehir. Kemi vëllanë e kryeministrit Olsi Rama akuzuar nga prokuroria e media evropianë e botërore si pjesë e grupit të trafikut ndërkombëtar të kokainës “Xibraka” Kemi ministra të kësaj qeverie, të cilët fluturojnë me çarter privat për në “Aruba” për një samit kokaine, me hartën e Shqipërisë si plaçkë në tavolinë.

Por sërish presim ta ndëshkojë këtë akt, apo ta ekranizojë Netflixi si gjetje kinemaje, e jo hetim apo përballje drejtësie. Shqiptarët, ata ende të paikur nëpër eksod, lexojmë të ngujuar nëpër qoshe banesash mesazhet e administratës amerikane, ku sanksionohet narkoqeveria e kryeministri Rama, pastaj prapë presim të zbarkojnë aleatët të përmbysin të jashtëligjshmit nëpër zyrat tona shtetërore. Shumë herë më kollaj. Ca shkrepëse demokratike bullgare, apo senegaleze, e veshët e zyrtarëve hapen sa një megafon, dhe demokracia dërgon haber se ende rron e merr frymë. Në të kundërt, me këtë kanibalizëm krim-pushtet, lini testamentet me trashëgimi preshi.

Share it :