Shqipëria ‘arenë lufte’, 35 vrasje me tritol dhe armë në gati 1 vit

Shqipëria ‘arenë lufte’, 35 vrasje me tritol dhe armë në gati 1 vit

Deri ditën e djeshme numri i vrasjeve për vitin 2025 në Shqipëri ka shkuar në 35.

Ngjarjet që kanë ndodhur brenda një viti, janë shumë. Nga 4 janari i këtij viti dhe deri më 4 nëntor, janë 20 raste me vrasje përdorim tritoli dhe me radhë. Dy ngjarje në muaj, pa përfshirë të sotmen (shënim: i referohet atentatit në Rinas, me një të vrarë dhe një të plagosur). Ky është bilanc lufte. Nuk është bilanci i një vendi të qetë”.

Kështu deklaroi Enkelejd Alibeaj, ish-ministër dhe deputet, ndërsa shtoi se “krimi e ka sfiduar shtetin përfundimisht”, duke sfiduar si kundërpërgjigje të deklaratës së Ministres së Brendshme Albana Koçiu teksa deklaroi se “Shqipëria është një vend i sigurt”.

Shifrat

Beteja e shifrave për ulje të numrit të vrasjeve nga viti në vit dhe qëndrimeve se krimi i organizuar po mbjell terror, ka sjellë edhe reagimin e ekspertëve të sigurisë.

“Numri i vrasjeve vërtetë është ulur nga viti në vit, por është rritur shumë agresiviteti dhe përdorimi i mjeteve luftarake që lenë pasoja”, thotë për Faktoje.al, eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Vrasja në Rinas

Vetëm 50 metra larg “portës hyrëse të Shqipërisë”, në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, katër persona të armatosur dhe maskuar vranë Gilmando Danin, i dënuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe plagosën rëndë efektivin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani (Sheqeri), i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me viktimën.

“Është cenuar siguria kombëtare. Aeroporti është objekt i rëndësisë së veçantë dhe ka praktika ndërkombëtare që në një perimetër prej 300 metrash përqark siguria është mjaft e lartë”, thotë Sota, ndërsa thekson se mënyra e krimit dhe më pas largimi, minimalisht tregojnë paaftësi reaguese nga strukturat e sigurisë.

“Krimi është kryer në mes të ditës, me fluks të lartë lëvizjesh dhe mbi të gjitha pranë stacionimeve policore”, thotë Softa.

Shifrat

Policia e Shtetit tha për Faktoje.al se në nëntë muaj janë shënuar 29 vrasje. Por për muajin tetor dhe deri ditën e djeshme numri i tyre ka shkuar 35.

“Shqipëria është vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi Lonly Planet. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton t’i referohemi fakteve dhe shifrave”, tha dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ministrja Albana Koçiu.

Kjo deklaratë erdhi vetëm një orë para se në Rinas të ndodhte krimi i rëndë me një të vrarë dhe një të plagosur, ky i fundit pjesë e strukturave policore. “Krimet e rënda, atentate të mirë-organizuara që ndodhi në ambiente të hapura me prani të shumtë qytetarësh, sjellin pasoja të rënda”, thotë Softa, ndërsa shton se përdorimi i lëndëve eksplozive, armëve të gjata (kallshnikovëve) me rrezik të lartë dëmtimesh tregon agresivitet, por edhe siguri nga ekzekutorët.

“Kemi të paktën tre vite që format e atentateve kanë ngjashmëri. Godasin me shpejtësi, largohen nga vendi i ngjarjes dhe djegin automjetet bashkë me armët për të zhdukur çdo gjurmë”, thotë Softa.

Sipas tij, autorët e këtyre krimeve shfaqin agresivitet dhe pavarësisht se klasifikohen si akte terroriste sërish qytetarët e pafajshëm shpesh mbesin viktimë.

Pamundësi apo të “lidhur”?

Ngjarja e Rinasit rishfaqi edhe një herë dyshimet që eksponentë të botës së krimit krijojnë lidhje me strukturat policore. Prania në automjetin e viktimës Dani e efektivit të policisë ishte një tjetër rast që ngre pikëpyetje të shumta për këtë fenomen.

“Autorët e krimeve të rënda, kryesisht në përplasjen mes grupeve kriminale shpesh sigurojnë mbështetjen e policisë, por ka edhe raste që strukturat e rendit gjenden edhe të papërgatitura për të reaguar”, thotë Softa.

Vetëm në Shkodër përgjatë këtij viti janë shënuar nëntë të vrarë, tre prej të cilëve në zona të banuara dhe në prani të shumë qytetarëve.

Përfundimi

Deklarata e ish-ministrit Enkelejd Alibeaj për 20 vrasje me tritol dhe armë konsiderohet pjesërisht e vërtetë duke iu referuar shifrave.

Sikurse pranohet edhe nga ekspertët e çështjeve të sigurisë, mënyra e krimeve me pasojë vrasjen e dy ose më shumë personave dhe plagosjen edhe të qytetarëve të pafajshëm tregon agresivitet dhe një lloj “përsosmërie” të krimit, pasi shumë ngjarje të rënda mbesin ende pa autor.

/Sebi Alla – Faktoje

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news